MENU
klinika

Raste të reja me COVID-19 në Berat

Infektohet një mësuese dhe një zjarrfikës

03.10.2020 - 11:33

Rastet me Covid-19 kanë njohur rritje javët e fundit në qarkun e Beratit. Një mësues në fshatin Rroshnik në Berat ka rezultuar pozitiv me koronavirus, duke bërë që klasa e tij të mbyllet dhe 12 nxënësit e saj të karantinohen deri në pritje të përgjigjeve të tamponëve të kryer.

Edhe një punonjëse në një fasoneri në qytetin e Beratit ka rezultuar e infektuar me SarsCov-2 por kjo nuk ka vënë në rrezik punonjëset e tjera të repartit të saj pasi e infektuara kishte 10-ditë që nuk paraqitej në punë për shkak se kishte marrë lejen vjetore. Për herë të parë, koronavirusi ka hyrë edhe në Repartin e Zjarrfikësve në qytetin e Beratit, ku një zjarrfikës është infektuar.

Zjarrfikësi kishte disa ditë që kishte shfaqur shenjat e infektimit dhe ishte karantinuar në banesë, në pritje të përgjigjes së tamponit, që mbërriti pozitiv. Kjo ka bërë që Drejtoria e Higjenës në Berat të kryejë dezinfektimin e Repartit Zjarrfikës në Berat dhe dezinfektimin e mjeteve zjarrfikëse në shërbim. Po kështu edhe 4 kolegët e tij zjarrfikës në turn kanë kryer tamponin dhe janë karantinuar. Mjekët epidemiologë të DSHP Berat bëjnë me dije se po kryhet hetimi epidemiologjik i rasteve të kontaktit të personave të infektuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN