MENU
klinika

Viti 1999: Dritëroi rrëfehet mbi dhe për dashurinë

Intervista e rrallë: Gruaja ime habitet me mua, më dashuron…

13.10.2020 - 16:25

         Shkrimtari i madh, në dallim nga shumë të tjerë, të rinj apo me përvojë në Shqipëri, ka shkruar më shumë për gruan. Dritëro Agolli e vlerëson bukurinë shpirtërore dhe fizike të femrës, dashurinë e saj, si edhe misionin e mëmësisë.

Në një prej intervistave dhënë kohë më parë, në vitin 1999, Dritëroi tregon mënyrën sesi ndihej i dashuruar nga Sadija, bashkudhëtarja e jetës që nuk iu nda për asnjë çast, por ka folur dhe për mbesën, Ana, duke u shprehur sesi do të donte të jetë Ana, kur të rritet.

Zoti Dritëro, nga rinia juaj ç’do të kujtonit me nostalgji?

Do të kujtoja oborrin e fqinjit të shtëpisë sonë, ku dilte mëngjes për mëngjes një vajzë që më dukej shumë e bukur dhe që ishte më e madhe se unë. Dhe tek ujiste trëndafilat e thumboi një bletë dhe iu ënjt faqja. Dhe unë qava se m’u duk sikur do të shëmtohej përgjithmonë. Por, u bë më e bukur.

A keni ndonjë poezi në fletorkën e rinisë, që s’e keni publikuar?

Kam, po janë marrëzira rinie, gjëra të kota. Një nga këto vjersha ka titullin “Sikur” dhe është kjo:

Të gjitha asaj do t’ia fal
Dhe shkollën dhe profesorët
Dhe prushin këtu në mangall,
Ku ngrohen rreth tij konviktorët
Sikur të më thotë në agim:
“O Dritkë i dashur, o jetë,
Të pret pragu im
Të vish me torbë të leshtë”!

Van Gogu, për një vajzë preu veshin. Ju ç’do të bënit, për një femër?

Unë, për një femër nuk do ta prisja veshin si Van Gogu, por do prisja një pishë për të bërë një djep që të rrisja fëmijë.

Në poezitë tuaja i krahasoni shpesh femrat me fushën, natyrën. Ku e shihni ngjashmërinë?

E shoh ngjashmërinë në bukurinë, begatinë dhe pjellshmërinë doemos dhe në “plotpushtetshmërinë” e pamposhtur, si natyra.

Ç’është për ju, dashuria?

Asnjeri nuk e ka përkufizuar dashurinë. Për mua dashuria është në fillim një lot i përcëlluar, që më vonë kthehet në një lumë të flaktë që të merr me vete jo për të të mbytur, por për të të ndezur. Poetesha e madhe ruse, Ana Ahmatova, ka të drejtë, ku thotë për dashurinë: Ajo më parë përcëllon Si erë e ftohtë moti, Pastaj në zemër zë pikon Një pikë e kripur loti…

Ç’vlerësoni te bashkëshortja juaj?

Te gruaja ime, unë vlerësoj ruajtjen e dashurisë dhe habitjen ndaj dashurisë, habitja ndaj dashurisë e ka bërë të mos ambientohet me mua, por t’i dukem gjithmonë i çuditshëm. Me një fjalë, asaj unë nuk i dukem thjesht një shok, por edhe një dashnor.

Historitë më të bukura që janë shkruar për dashurinë, janë shpesh tragjedi. Si e shpjegoni?

Jeta në përgjithësi e ka në vetvete tragjizmin, përderisa është vdekja. Jeta dhe vdekja janë në themel të artit, këtu përfshihet edhe lindja, edhe vdekja e dashurisë. Arti, këto i bën të jashtëzakonshme. Dhe kjo e jashtëzakonshme na pëlqen, na duket e bukur. Ndërsa filozofikisht, kjo është e zakonshme. E cili nga ne, nuk ka dështuar në dashurinë e parë? Në realitet, kjo është një tragjedi. Kur tregohet, duket e bukur, pasi ka konflikt. Pa konflikt, nuk ka art të bukur.

Në Shqipëri, kohët e fundit, vihet re një shpërthim erotik në art. Mendoni se është komercializëm, apo diçka tjetër?

Te ne erotizmi në art shërben për komercializëm. Më shumë shkruhen gjëra erotike për modë. Mendohet se shkrimtar modern është ai që ve në qendër të krijimit seksin, duke keqkuptuar Frojdin apo Jungun, apo Fromin. Pastaj shkrimet me erotizëm, janë edhe rrjedhim i irritimeve të filmave dhe romaneve të lehtë dhe banalë. Dikur kemi pasur një zbrazësi të kësaj letërsie dhe tani mundohemi ta mbushim, pasi në jetë, siç dihet, nuk mbetet asnjë gjë e zbrazur.

Sa i rëndësishëm është për ju personazhi femër?

Pa personazh femër, arti bëhet qose, bëhet impotent, në kundërshtim edhe me natyrën. Natyra dhe natyra njerëzore pa femrën, do të vdisnin. Unë nuk dua që të jetë qose libri im, prandaj i jap vend femrës në dhomat dhe në korridoret e tij.

Kur është për ju, momenti më i përshtatshëm për të shkruar?

Unë shkruaj natën, kur të gjithë flenë dhe është qetësi. Kur shkruaj, kam qejf të dëgjoj ndonjë bulkth, që bën kri-kri. Nata është e filozofisë. Dita është e punëve për të jetuar. Njeriu, natën filozofon.

Dikur i keni kënduar hidraulistes, mjelëses, vajzës së hidrocentraleve. Ç’do t’i thoshin ato një femre moderne sot?

Unë u kam kënduar të gjitha llojeve të femrave: edhe të arave, edhe të salloneve. Ju mendoni se ajo që mjel lopën është më pak moderne se ajo që pi qumështin pasi ka bërë prostitucion me një mashkull? Ju kujtoni se nuk ka vajza moderne sot në kompjuterët e hidrocentraleve? Ato qeshin me plot femra budallaqe që e heqin veten moderne dhe nuk dinë që uji i lumit kthehet në rrymë elektrike dhe futet në frigoriferët e tyre, për ta mbajtur të ftohtë “coca-cola”! Kështu që kuptimi i modernes, nuk qëndron jashtë punës dhe veprimtarisë së femrës.

Anën, mbesën tuaj, e keni pikë të dobët. Çfarë do t’ju pëlqente të bëhej ajo, kur të rritet?

Vërtet, Anën e kam dobësinë më të madhe. Është e zgjuar dhe e bukur ,dhe mua më kujton si njeriun më të zotin. Unë nuk e di, se çfarë do të më pëlqente të bëhej kur të rritej. Dëshiroj, vetëm të mësojë të rritet, të jetë e zgjuar dhe e bukur, dhe të mos ketë kompleksin e inferioritetit.

UNË PO JU THEM DISA MENDIME TË NJERËZVE TË DITUR, QË NUK MË KUJTOHEN EMRAT:

• Kur një grua shpreh vlerësimin e saj për një burrë, ajo atë nuk e dashuron.

• Dashuria lind nga oreksi, zgjat nga uria dhe vdes nga ngopja.

• Nuk ekzistojnë gra që të jenë më të këqija se të tjerat.

• Burrat martohen se janë të lodhur, gratë se janë kurioze: të dy palët nga kjo gjë mbeten të zhgënjyer.

• Njeriu që flet keq për gratë, flet keq për nënën e vet.

• Skëterra e grave është pleqëria.

• Ruhet shumë i dashuri i parë, sa pa u gjendur i dyti.

• Njeriu i parë i një gruaje ose është një dashuri e madhe, ose një gabim i madh.

 

Shkëputur nga revista “Femra Moderne”, 31 dhjetor 1999

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja ç'shkruante Moikom Zeqo!

Kush ishte Sadije Agolli?

Vendimi i Bashkisë në ditëlindjen e Dritëroit

13 Tetor…lindi Agolli dhe Devolli gëzoi përjetë!