“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Për nga zemra ime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj, ia përkushtoi të varfërve.
Si sot 17 vjet më parë, Papa Gjon Pali II lumturoi Nënë Terezën e Kalkutës, proces që u finalizua me shenjtërimin e saj nga Vatikani, në 4 shtator 2016.
“Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.
Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e murgeshave, të quajtur “Misionarët e Bamirësisë”.
Nga ky moment, Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia kushtonte të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4,000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nënë Tereza, nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë, se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.
Ajo udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.
Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit që bëri me te dha kete koment: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjen e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.
Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qënie njerëzore të lindur apo jo.
Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, ajo beri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret femijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?
Duaje jetën…
Duaje jetën ashtu siç është
duaje plotësisht, pa pretendime;
duaje kur të duan apo kur të urrejnë,
duaje kur askush nuk të kupton,
apo kur të kuptojnë të gjithë.
Duaje kur të gjithë të braktisin,
apo kur në qiell të ngrenë si mbret.
Duaje kur të vjedhin gjithçka,
apo kur të dhurojnë.
Duaje kur ka kuptim
apo kur ngjan se nuk ka një fije.
Duaje në lumturi të plotë
apo në vetminë absolute.
Duaje kur je i fortë,
apo kur ndihesh i pafuqishëm.
Duaje kur ke frikë,
apo kur ke një mal guximi.
Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha
e sukseset e mrekullueshme;
duaje edhe për gëzimet e vogla.
Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet,
duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje.
Duaje sa herë që lindesh
e sa herë që je duke vdekur.
Por mos duaj kurrë pa dashuri.
Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopsht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qënë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.
Me kalimin e viteve, ajo u bë “Madre Tereza”, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën.