MENU
klinika

Varg protestash

Luftë kulturore në Budapest

09.10.2020 - 16:20

        Studentët e Universitetit të Teatrit dhe Artit Filmik protestojnë kundër kontrollit të politikës ndaj institucioneve të kulturës. Prej javësh, ata mbajnë të bllokuar që nga shtatori, mjediset e univeristetit.

Janë bërë thuajse dy vjet, që në të gjitha teatrot në kryeqytet dhe rrethina drejtuesit po zëvendësohen nga njerëz të partisë në pushtet FIDES, të kryeministrit Viktor Orban. FIDES konsideron rrymat artisitke të teatrit gjerman, si përgjegjëse për një influencë “shkatërrimtare” kulturore, raportojnë mediet vendase.

Për të protestuar ndaj masave të tilla, studentët kanë ngritur barrikada në hyrjen e Universitetit të Teatrit dhe Artit Filmik në Budapest. Pllakat prej druri dhe shiritat me letër ngjitëse, i pengojnë drejtuesit e rinj që të hyjnë në universitet. Ata këndojnë në shenjë proteste. Kjo, sepse qeveria hungareze ua ka hequr kompetencat shkollave të larta dhe institucioneve kulturore, duke ka krijuar për Universitetin e Budapestit, një fondacion të ri.

Një ndër përfaqësuesit e studentëve protestues, thotë: “Ne kërkojmë që drejtoria e re, të japë dorëheqjen. Do të luftojmë së bashku kundër pushtetit shtypës.”

Një nga drejtueset e protestës së studentëve është Panni Szurdi. Ajo mban lidhje me ish-profesorët e universitetit, që kanë dhënë dorëheqjen për shkak të marrjes së drejtimit nga qeveria dhe tani janë nën presion. “Qeveria po bën një luftë të vërtetë kundër nesh. Profesorët tanë dhe studentët, përballen vazhdimisht me shpifje.”

Kështu, për shembull, Laszlo Upor. Ai është dramaturg dhe u zgjodh para pak kohe, rektor i Universitetit, por drejtoria e re e Universitetit e shkarkoi menjëherë nga posti. Ashtu si pjesa më e madhe e profesorëve, edhe ai e mbështet protestën. “Pika më e rëndësishme e së ashtuquajturës reformë e qeverisë është që t’i marrë praktikisht senatit të universitetit, përfaqësuesve të studentëve dhe profesorëve ndikimin në marrjen e vendimeve të kuratoriumit të fondacionit. Kjo është përcaktuar në dokumentin themelues.

Qeveria populiste e djathtë në Hungari, ka hapur një lloj lufte kulturore, siç e quan ajo. Të rinjtë duhet të marrin edukatë patriotike, – thotë ajo. Në Budapest, nuk flitet më për lirinë dhe shkencën.

Në fjalën para parlamentit, kryeministri Viktor Orban theksoi: “Edukimi patriotik bën që fëmijët të mos kthehen në skllevër. Ne duam vetëm që ata ta kuptojnë atë që kanë arritur të parët tanë dhe ta çojnë atë edhe më tej. Nuk është e thjeshtë t’i bësh të tjerët që të kuptojnë se është gjë e bukur të jesh patriot, por ne do t’ia dalim mbanë.”

Fondacioni i ri i universitetit, nuk ka vendosur ende kontakt me studentët protestues, të mbledhur rreth Panni Szurdi-t.

Regjisori konservator Attila Vidnyanszky, është drejtor i fondacionit të universitetit. Ai deklaroi për një stacion televiziv të afërt me qeverinë, se armiqtë e Hungarisë, forcat e huaja, i kanë nxitur studentët që të dalin në protesta. “Ata janë forca të frikshme. Është një ushtri që ushtron aktivitetin në internet, një trupë ndërkombëtare. Ne kemi informacione nga vendet e tjera, por më kanë thënë edhe kolegët e teatrit, se protestat organizohen nga rrethe të caktuara. Kjo është shumë e dhimbshme.”

Por, studentja Panni Szurdi, mendon ndryshe: “Ne i njohim teoritë e forcave të huaja që ndodhen në prapavijë, që gjoja duan të sulmojnë Hungarinë. Me teori të tilla konspiracioni, ata shkatërruan organizatat joqeveritare që luftonin për të drejtat e njeriut. Qeveria e përdor gjithnjë këtë kartë.”

Lufta kulturore në Hungari, nuk ka përfshirë vetëm universitetet. Shumë grupe teatrore, që merrnin subvencione shtetërore janë mbyllur tashmë. Edhe “Trafo” – një teatër eksperimental në Budapest, po lufton për ekzistencën. Punonjësit e tij, duan të luftojnë presionit që ushtrohet nga lart.

Drejtori i Teatrit eksperimental, Vilmos Vajdai, vëren: “Teatri i pavarur është halë në sy të pushtetarëve. Ata duan të na shuajnë, por, nuk e kanë të lehtë. Ne mund të luajmë teatër edhe duke pasur shumë pak para, sepse për këtë punë jemi. Ata nuk do ta kenë të lehtë as me studentët, të cilët, nuk thyhen lehtë. Duket, se konflikti do të zgjasë.

Skena kulturore dhe studentët, nuk janë pa mbështetje në këtë protestë. Në muajin shtator, ata krijuan një zinxhir me njerëz, që fillonte tek universiteti dhe mbaronte te parlamenti hungarez. Në të morën pjesë mijëra banorë të Budapestit. Edhe teatrot nga vendet e tjera jashtë Hungarisë, po reagojnë. Në shenjë proteste kundër politikës së qeverisë hungareze edhe teatri me emër gjerman, “Berliner Ensemble”, ka anuluar shfaqjet e planifikuara në Hungari.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqetësimet e Ministrit të Financave

‘Jelekverdhët’, katastrofë ekonomike për Francën

Në Teatrin Eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli’’

‘’Artisti i vetëm’’, Hanz Klip protestë kujt?!


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit