Organizatorët e NBA, pasi menaxhuan me sukses rikthimin në fushë të kampionatit pas ndërprerjes së marsit nga pandemia Covid-19, po mendojnë që tani për sezonin e ri 2020-2021. Për momentin nuk ka asnjë datë zyrtare se kur do të nisë kampionati, teksa synohet fundi i dhjetorit ose fillimi i janarit.
Sipas mediave amerikane, objektivi i komisionarit Adam Silver është data 22 dhjetor për të luajtur ndeshjet e para të sezonit të ri. Ky start i kampionatit në dhjetor bëhet për arsyen që ai të përfundojë para fillimit të Lojërave Olimpike të Tokios në fundin e korrikut. Në këtë mënyrë, yjet e NBA-së mund të shkojnë në Olimpiadë.
Ky skenar parashikon një kampionat me 72 ndeshje në sezonin e rregullt, minimumi për t’u garantuar skuadrave kontrata televizive. Gjithashtu, duke qenë se “All Star Game 2021” është në dyshim për shkak të koronavirus, mendohet që në shkurt ekipet të bëjnë një pushim 2-javor.
Pas zyrtarizmit të datës 18 nëntor si dita kur do të kryhet “draft” i lojtarëve të rinj në NBA, po përvijohet edhe më shumë sezoni i ri 2020-2021. Sipas ESPN, dy ditë më vonë pritet të nisë edhe merkato e “free agent”, lojtarëve të lirë, pra më 20 ose 21 nëntor. Kjo do të sjellë një fillim të fazës përgatitore të skuadrave më 1 dhjetor.