Kërkimi global për të gjetur një vaksinë për Covid-19 deri më tani është përqëndruar në kërkimin klinik, por prodhimi dhe shpërndarja gjithashtu duhet të merren parasysh.
Vaksinat në vetvete nuk shpëtojnë jetë, por përmes tyre bëhet forcimi i imunitetit. Kjo nxjerr në pah një sfidë me të cilën po përballet bota në këto momente.
Procesi i përdorur për të krijuar një vaksinë në një laborator është i ndryshëm nga ai i përdorur për prodhimin me shumicë të tyre nga industria farmaceutike.
Sot prodhohen miliarda doza vaksinash çdo vit, të cilat janë kundër gripit, fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR).
Pandemia e gripit të derrit 2009, e cila shkaktoi vdekjen e qindra mijëra njerëzve, çoi në prodhimin e tre miliardë dozave vaksina që u shpërndanë brenda gjashtë muajsh.
Zhvillimi i një vaksine të re është një proces i gjatë. Përhapja e Ebolas nga 2014 në 2016 në Afrikën Perëndimore rezultoi në vdekjen e më shumë se 11,000 njerëzve.
Krijimi dhe prodhimi i një vaksine krejtësisht të re në shkallë kombëtare ose globale është një përpjekje titanike, thonë ekspertët.
“Ne jemi duke bërë një vaksinë për një virus për të cilin kurrë më parë nuk kemi tentuar diçka të ngjashme si dhe duke përdorur platforma që nuk janë përdorur gjerësisht në klinikë me pacientë”, shpjegon Angela Rasmussen, një virologe në Qendrën e Universitetit të Columbias për infeksionet.
Kërkimet për krijimin e vaksinave mund të zgjasin deri në 10 vjet nga zhvillimi fillestar deri në shpërndarjen masive.
Sidoqoftë, për Covid-19, ekziston një përpjekje globale për ta ulur kohën në vetëm 18 muaj, ndërsa duhet të ruhen të njëjtat standarde të sigurisë.
Për prodhimin e saj do të ketë një fazë të zhvillimit laboratorik, të ndjekur nga testimi tek kafshët dhe më pas disa faza të provave klinike.
Pasi këto faza të kenë përfunduar me sukses, vaksina do të dorëzohet për aprovim, përpara zhvillimit të një procesi prodhimi dhe me pas do bëhet përhapja në nivel botëror.
Procesi i prodhimit të vaksinave po përshpejtohte edhe pse asnjë vaksinë ende nuk është aprovuar si e tillë ndaj në këtë moment edhe risku është i lartë.
Kjo dukuri mbart një rrezik të konsiderueshëm financiar, pasi ekziston mundësia që disa vaksina të mos aprovohen.
Procesi i prodhimit në masë të një vaksine është i njëjtë nëse bëjmë krahasim me krijimin e një torte.
Psh përbërësit janë të mjaftueshëm për një ëmbëlsirë të vogël por nëse i shumëfishojmë për një tortë të madhe mund të ndodhë që të digjen anët ndërsa brendësia të mbetet ende e papjekur kështu ndodh edhe me prodhimin në masë të një vaksine, mund të mos funskionjnë përbërësit kur krijohet në sasi të madhe.
Përbërësit në provëz janë shumë në rregull ndërsa kur hidhen në enë të mëdha nuk bashkohen e funksionojnë si duhet.
Prandaj edhe nevojitet një shkallëzim gradual i procesit të prodhimit.
Vaksina do të prodhohet në grupe gjithnjë e më të mëdha, me çdo grumbull të kontrolluar për të siguruar ruajtjen e efikasitetit të saj. Dhe ka shumë tentativa që nuk kanë dhënë rezultat deri në këto momente.
Për më tepër nevojiten 2 doza për çdo person që të funksionojë ndaj edhe do prodhohet dyfishi i sasisë. Disa vaksinat gjithashtu kërkojnë pajisje të posaçme për t’u përdorur.
Ekzistojnë disa vaksina të bazuara në ADN që kërkojnë një pajisje elektroporimi për secilën dozë. Elektroporimi është përdorur më parë për të dhënë një ilaç kanceri. Ai përdor një pajisje me madhësinë e një furçe dhëmbësh elektrike për të gjeneruar një rrymë të vogël elektrike që hap vrima në membranën e një qelize, duke lejuar hyrjen e një ilaçi ose vaksine.
Megjithëse pajisja mund të përdoret shumë herë, është një sfidë shtesë e prodhimit për të siguruar që ka një numër të mjaftueshëm të tyre. Personeli mjekësor gjithashtu do të duhet të ketë trajnimin e duhur dhe të dijë se si përdoren këto pajisje.
Vaksinat zakonisht vendosen brenda shishkave të vogla prej qelqi. Ndërsa mund të duket e habitshme por qelqi është një burim i kufizuar, qelqi i përdorur në shishet e vaksinave është i një lloji të veçantë të quajtur borosilikat. Është shumë rezistent ndaj ndryshimit të temperaturës.
Duke pasur parasysh kërkesën kolosale që Covid-19 po gjeneron për shishe shtesë, kjo mund të kufizojë numrin e vaksinave që do jenë në dispozicion fillimisht. Sigurisht problem është edhe shpërndarja e vaksinave në zona rurale dhe të paarritshme nga mjetet e transportit dhe do duhet një punë kolosale për të mbërritur në çdo zonë të prekur të globit.
F.H.