MENU
klinika

E prezantuar në paradën ushtarake

Raketa e re balistike e Koresë së Veriut, kërcënim për SHBA-në….

11.10.2020 - 17:04

Koreja e Veriut ka zbuluar një raketë të re balistike në paradën e ditës së djeshme, madhësia “kolosale” e së cilës ka befasuar edhe analistët e kalitur të arsenalit të këtij vendi. Ekspertja e mbrojtjes, Melissa Hanham shpjegon se çfarë është raketa dhe pse është një kërcënim për SH.B.A. dhe botën.

Për të festuar, 75-vjetorin e Partisë së Punëtorëve në pushtet të Koresë së Veriut, vendi zhvilloi një paradë ushtarake të përmasave të jashtëzakonshme pas mesnatës. Eventi i organizuar edhe me koreografi, paraqiti gjithë madhështinë që bota priste nga kjo shfaqje masive e Koresë së Veriut.

Pati po ashtu edhe një fjalim çuditërisht emocional nga Kryetari, Kim Jong-un, i cili disa herë u prek ndërsa fliste për sfidat e vendit. E fundit, por sigurisht jo më pak e rëndësishmja në paradë u zbulua raketa më e madhe ndërkontinentale balistike e Koresë së Veriut deri më sot.

Kim dhe ‘arma strategjike’ e premtuar.

Më 1 Janar 2020, Kim mbajti fjalimin e tij të përvitshëm të Vitit të Ri ku njoftoi se Koreja e Veriut ishte “duke zhvilluar sistemin e armëve më të fundit që e kanë vetëm vendet e përparuara”. Ai specifikisht i referohej një sistemi armësh “strategjike”, pra nënkuptoi armë bërthamore në proces zhvillimi.

Kim e lidhi me kujdes armën me SH.B.A.-të, duke deklaruar se “në të ardhmen, sa më shumë që Shtetet e Bashkuara hezitojnë të zgjidhin marrëdhëniet Kore e Veriut-SH.B.A., aq më të pafuqishme do ta gjejë veten para fuqisë së Republikës Popullore Demokratike të Koresë, e cila po bëhet më e fortë se çdo parashikim”.

Kjo raketë e re balistike është arma strategjike e premtuar e Kim Jong Un. I referohet absolustisht SHBA-ve dhe vjen si një fakt i kryer përballë negociatave të dështuara me administratën, Trump.

Një kërcënim i ri për sistemet e mbrojtjes raketore të SHBA.

Koreja e Veriut tashmë ka dy raketa balistike të testuara. Hwasong-14 e cila u testua dy herë në 2017 dhe me një distancë prej 10.000 km mund të arrijë pothuajse të gjithë Evropën perëndimore dhe rreth gjysmën e kontinentit amerikan. Hwasong-15, i testuar gjithashtu në 2017, ka një diapazon prej 13.000 km.

Kjo raketë e rre ende nuk është testuar dhe është një raketë me dy faza me lëndë djegëse të lëngshme, por me një gjatësi dhe diametër më të madh se Hwasong-15. Derisa të zbulohen motorët ose të kryhet një provë, nuk ka gjasa që të dimë diapazonin e tij të saktë.

Sidoqoftë, projekti i bën qëllimet e Koresë së Veriut shumë të qarta: ata nuk kanë nevojë të rrisin më rrezen e raketave të tyre. Në vend të kësaj, ata janë duke u përqëndruar në përpjekjen për të lëshuar shumë koka bërthamore në një raketë të vetme. Kjo do të ishte një goditje tjetër për sistemet e mbrojtjes raketore të SH.B.A.-së, sepse për secilën kokë duhet të lëshohen përgjues të shumtë.

Një arsye urgjente për t’u shqetësuar.

Ekzistojnë disa pyetje për modelin e raketës së re balistike gjë që e bën të pasigurt se kur do të testohet apo shpërndahet. Megjithatë kamioni nën raketë është shumë shqetësues.

Një nga kufizimet kryesore të aftësisë së Koresë së Veriut për t’u përfshirë në luftë bërthamore është numri i lëshuesve që ata kanë.

SHBA-të mendojnë që Koreja e Veriut mund të nisë 12 raketa balistike maksimumi. Kjo përllogaritje bazohet në hipotezën që secili prej gjashtë lëshuesve të lëshojë një raketë dhe Koreja e Veriut të përpiqet të lëshojnë me shpejtësi një raketë të dytë përpara se SHBA të hakmerret.

Në vitin 2012, Koreja e Veriut importoi në mënyrë të paligjshme gjashtë kamionë të rëndë WS51200 nga Kina dhe i modifikoi ato për t’i kthyer në lëshuesit e transportuesit (TEL). Këto TEL janë ato që Koreja e Veriut ka përdorur për të parakaluar, transportuar dhe ngritur raketat balistike të saj.

Kjo paradë përfaqëson herën e parë që kemi parë më shumë se gjashtë kamionë në veprim.

Prandaj është e qartë se Koreja e Veriut është akoma në gjendje të marrë komponentë për lëshues të rëndë pavarësisht sanksioneve dhe kontrolleve të eksportit.

Është gjithashtu e qartë se ata kanë ndërtuar sektorin e tyre të prodhimit për të modifikuar këto mjete dhe tani potencialisht prodhojnë vetë lëshuesit e tyre të raketave.

Raketa e re balistike e Koresë së Veriut, prodhuar në një vit të vështirë për vendin është një mesazh për botën që të mos e nënvlerësojë shtetin, udhëheqësin e tij ose aftësinë teknologjike të popullit të saj.

Përkthyer dhe përshtatur nga bbc/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Pazaret Putin-Trump, ja çfarë luhet në prapaskenë

Rënia e Assadit, një teori e re po qarkullon në Kremlin

Pas Serbisë, Gjermania “i vë syrin” edhe Bosnjë-Hercegovinës

Minierat e litiumit mund të hapen në gjithë Ballkanin

Investime marramendëse në Moskë!

Jeta e re luksoze e familjes Assad