MENU
klinika

Tenis

Roland Garros prodhon surpriza në raundin e dytë

01.10.2020 - 12:05

Raundi i dytë i grand slam të Roland Garros ka nisur me surpriza. Tenistja amerikane Serena Williams është tërhequr si pasojë e një dëmtimi.

Problemi që pati me Thembrën e Akilit që në US Open u shfaq edhe në këtë turne, duke detyruar tenisten të ngrejë “flamurin e bardhë”. Kështu, sfida për të fituar grand slam nr.24 në karrierë, aq sa Margaret Court, duket si një mallkim për tenisten 38-vjeçare.

Përveç tërheqjes së Serena Williams, pati edhe disa surpriza të tjera. Lamtumirë i tha turneut bjellorusja Viktoria Azarenka, që u mund 2-0 nga sllovakja Schmiedlova. U eliminua edhe tenistja tjetër amerikane, Cori “baby” Gauff, që u mund 2-1 nga italiania Trevisan.

Numri 2 në botë, tenistja rumune Simona Halep, fitoi 2-0 ndaj patriotes së saj Begu dhe shkon në raundin e tretë. Më tej avancon edhe tenistja ukrainase Elina Svitolina, që mundi 2-1 meksikanen R.Zarazua.

Te meshkujt, numri 2 në botë, spanjolli Rafael Nadal, fitoi 3-0 ndaj amerikanit Mcdonald. Vuajti disi, por në fund ia doli mbanë gjermani Alexander Zverev, që mposhti 3-2 francezin Herbert. Në raundin e tretë shkojnë edhe austriaku Dominic Thiem dhe zvicerani Stanislas Wawrinka.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN