MENU
klinika

"Dritë në rilindjen e Venecies"

Sukses ekspozita e skulptorit Helidon Xhixha në Itali

14.10.2020 - 15:17

         Është pritur shumë mirë nga publiku dhe mediet, ekspozita e personale e Helidon Xhixhos. Titulluar “Dritë në rilindjen e Venecies”, ekspozita vjen me 7 vepra të skulptorit./Konica.al

I lindur në Durrës, në një familje artistësh, me një karrierë ndërkombëtare, Xhixha dallohet për skulpturën në çelik – metal industrial me sipërfaqe si pasqyrë, që reflekton qytetin e Venecies.

Ekspozitës së skulptorit shqiptar, i cili me veprat e tij i ka dhënë një ndriçim më shumë qytetit të vjetër të gondolave, televizioni italian i ka kushtuar një kronikë të posaçme.

“Një manifestim të jashtëzakonshëm i kalimit prej artisti, përmes “filozofisë”, ai eksploron konceptin e kaosit dhe rendit, në homazh të mënyrës sesi këto elemente janë ndërthurur mes njëri-tjetrit ndër shekuj, në fiolozofi sikurse në art, apo në botën reale. Të gjitha veprat e Xhixhos, flasin. Secila përcjell një mesazh shumë të qartë për publikun. “Ajsberg”, është pa dyshim, vepra e tij më e famshme, si simbol alarmi ndaj ndryshimeve klimatike” –  do të cilësohej nga kritika në Itali, arti i Helidon Xhixhos.

“Gjithmonë jam përpjekur të përjetësoj veprat e mia nëpërmjet dritës. Në kohët e errëta, ne kemi nevojë për dritë. Kjo ndodh si në Venecie ashtu dhe gjithë botën, kur ne lundrojmë në pasiguri, arti që ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm duke treguar gjithmonë të vërtetën. Dhe ajo që dua të tregoj unë nëpërmjet dritës të artit tim, është rilindja e Venecies.”

Është një lidhje e fortë, ajo mes Xhixhos dhe këtij qyteti. Në bienalen e vitit 2015, Xhixha ka sjellë “Ajsbergun”, një skulpturë të vendosur në kanalin e Madh – vepër që denoncon me forcë, ndryshimet klimatike, nëpërmjet një arti që pasqyron realitetin.

“Arti ia del mbanë gjithmonë. Edhe pse është një periudhë izolimi, kur të gjithë janë kaq të shqetësuar për të ardhmen, për të nesërmen, artisti është ai që bën gjithmonë një hap përpara”. Ekspozita “Dritë në rilindjen e Venecies” është e çelur deri më 20 dhjetor.

Helidon Xhixha ka lindur në Shqipëri, por jeton dhe punon midis Milanos e Dubait. Ai e nisi karrierën artistike, kur ishte ende shumë i ri dhe menjëherë preku suksesin: veprat e tij të njohura monumentale, që frymëzohen nga tema të rëndësishme shoqërore dhe ekzistenciale, arkitekturat e tij mbresëlënëse, realizuar prej çeliku që nuk ndryshket, janë pjesë e koleksioneve të rëndësishme publike dhe private. Pjesëmarrja në Bienalen e Venecies, Bienalen e Dizajnit në Londër, çmimet që ai ka marrë në të gjithë botën, pa dyshim, i japin një pozicion prestigjioz në skenën ndërkombëtare të artit, të skulpturës bashkohore./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për herë të parë në Shqipëri

“Nadar, mes rregullave dhe tekave”