MENU
klinika

Formula 1

Leclerc rrit ambicien: Ferrari mund të dalë i treti

05.11.2020 - 16:38

Në garat e fundit të Formula 1, Ferrari ka bërë disa paraqitje të mira, të cilat janë konsideruar si hapa të rëndësishëm për të ardhmen. I këtij mendimi është Charles Leclerc, që e sheh me më shumë optimizëm të ardhmen. Kur mbeten edhe 4 gara nga fundi, piloti nga Montecarlo i kokëkuqes shpall synimet e makinës që drejton:

“Vendi i tretë për konstruktorë është i mundshëm për t’u arritur këtë sezon. E rëndësishme është që kemi bërë disa hapa përpara në garat e fundit edhe pse të vegjël. Sa herë që kemi patur një problem e kemi analizuar dhe situata ka ndryshuar në garën tjetër. Ky është një sinjal i mirë për të ardhmen. Natyrisht që duhen bërë edhe shumë hapa të tjerë dhe vijuar në këtë rrugë”.

Dihet që Mercedes u shpall kampion pas garës së fundit në Imola. Në vendin e dytë për konstruktorë renditet Red Bull Racing Honda, i shkëputur ndjeshëm nga skuderitë e tjera falë paraqitjes së mirë të Max Verstappen, që thuajse që në çdo garë ka qenë në podium.

Ferrari aktualisht renditet në vendin e gjashtë me 103 pikë, 32 pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Renault. Po nëse Leclerc po merr pikë të rëndësishme, ai që ka lënë në baltë është Vettel, që në total ka grumbulluar 18 pikë, shumë pak për një ish-kampion si gjermani.