MENU
klinika

Pothuajse asgjë në llogari

Maradona vdiq i varfër, jetoi me rrogën

27.11.2020 - 13:47

Dikush mund të mendojë se Diego Armando Maradona ka lënë pasuri të mëdha. Por jo! Vitet e fundit të Maradonës ishin shumë të komplikuara. “El Pelusa”, i cili vdiq të mërkurën për shkak të një arrestimi kardio-pulmonar në Buenos Aires, kishte pasur probleme shëndetësore, të tilla si ai që kohët e fundit e detyroi t’i nënshtrohej një operacioni në tru.

Por, “10”, gjithashtu, kishte edhe vështirësi financiare. “Maradona nuk kishte pothuajse asgjë në llogarinë e tij bankare. Ai vdiq i varfër, – shkruan Luis Ventura, një gazetar argjentinas shumë afër Diegos. – Ata që i rrinin rrotull i vodhën pothuajse gjithçka”.

Ventura shpjegoi se Maradona jetonte me pagën që merrte si trajner i Gimnasia La Plata, klubi i fundit në karrierën e trajningut. Kësisoji, konfirmohet fakti se Maradona kishte probleme të mëdha financiare në vitet e tij të fundit të jetës.

Te Gimnasia La Plata, ai kishte një pagë të përafërt me një milion euro në vit, edhe pse kjo shifër nuk u zbulua kurrë zyrtarisht. Maradona e filloi karrierën e tij si trajner i Gimnasia në shtator 2019 dhe pati një ndikim të madh në La Plata.

Pavarësisht ngritjeve dhe uljeve në pozicionin e tij, ai i përmbushi detyrat deri në fillim të këtij muaji, kur iu desh t’i nënshtrohej një operacioni për një hematomë subdurale në kokë. Nëse financiarisht ai vdiq i varfër, shpirtërisht iku në botën tjetër i pasur, me dashurinë më të madhe që mund t’i japin gjithë tifozët anembanë globit.