MENU
klinika

Robert Luis Stivenson vs Henri Xhejms

Romancieri aventurier kundër shkrimtarit artist

26.11.2020 - 16:01

       “Dëshira është një teleskop i mrekullueshëm”: romancieri aventurier kundër shkrimtarit artist. Robert Luis Stivenson vs Henri Xhejms

 

Ajo midis Robert Luis Stivenson dhe Henri Xhejmsit, qe një marrëdhënie e thellë miqësie. Kur u takuan për herë të parë trashëgimtari i fundit i romancës tradicionale angleze dhe gjykuesi i parë autoritar i letërsisë së re amerikane, që të dy po orvateshin të kuptonin se ku ishte drejtuar ajo formë e pakapshme që ne e quajmë roman. Njëlloj si aroma e panterës në bestiaret  mesjetare, në të vërtetë romani dukej kudo dhe askund, me shtrirje të vrullshme për shekullin e borgjezisë triumfuese. Miqësia mes të dyve mori menjëherë formën e një takim-përplasjeje të frytshme midis dy mënyrave të ndryshme për të kuptuar të shkruarin romanesk./Konica.al

Për herë të parë u takuan në 1874, në klubin “Savile” në Londër. Nga njëra anë, një njëzetekatërvjeçar skocez me një të kaluar të trazuar, ende në kërkim të dellit të tij letrar; nga ana tjetër, një 30-vjeçar njujorkez, tashmë i afirmuar për produktivitetin e tij të rrëmbyeshëm, i cili po flirtonte me kulturën angleze në përpjekje për të larë mëkatin e lindjes në një tokë të egër. Të dy do të fillojnë një dialog të ngushtë korrespondence, gjithnjë duke mbetur në marrëdhëniet që i përcaktojnë si miq rivalë. Ose, mund ta pranojmë rivalitetin vetëm në kuptimin profesional, domethënë rivalitetin midis ideve të ndryshme për punën vetjake. Sepse përtej polemikave letrare, lidhja që bashkonte Stivenson me Xhejmsin ishte vërtet e fortë, pasi ky i fundit, me vdekjen e mikut në 1894, pranoi se kishte humbur “një nga arsyet më të mëdha dhe më të forta… për të vazhduar më tej, të përpiqej për të punuar, për të planifikuar dhe ëndërruar për të ardhmen”.

Shkëmbimi i letrave mori karakterin e një diskutimi publik në një revistë, kur më 1883, pas një pasazhi të heshtur në gazetën “Toung Folks”, u botua Ishulli i thesarit”, duke  korrur sukses të madh. Romani, i cili, siç shkruante Tabucchi, ka “brenda erën, fantazinë dhe fëmijërinë” shfaqi aty për aty një përbindësh të çuditshëm, shkrimtarin e ashpër të ambienteve dhe portreteve borgjeze në të dy anët e oqeanit. Prandaj nuk është për t’u habitur që vitin e ardhshëm, në “The Art of Fiction”, me mjaft ndikim, po ashtu Xhejmsi trajton punën e mikut të dashur me fjalë të pasigurta dhe të paafta për të përcaktuar se çfarë është në të vërtetë kjo aventurë e mrekullueshme e paskrupullt. Ligjërimi teorik i esesë përqendrohet në nevojën për një qasje serioze ndaj romanit, për ta marrë atë për një formë të vërtetë artistike, të qeverisur nga rregulla dhe porosi të sakta. Vërejtjet e Xhejmsit për një formë realizmi shumë të veçantë, “ajrin e realitetit” dhe “iluzionin e jetës”, përfshinin disa referenca të “Ishulli i thesarit”. Po, sipas autorit ishte një histori “magjepsëse”, por me një problem: shkrimtari amerikan nuk arrinte të identifikohej me historinë: “Është e vërtetë që edhe unë kam qenë fëmijë, por nuk kam shkuar kurrë në kërkim të një thesari të varrosur”. Dhe këtu përgjigjja e paharrueshme e Stivenson zbulon distancën midis artistit pragmatik të botës së re dhe zgjuarsisë dinake të fisnikërisë së lashtë skoceze. Në “A Humble Remonstrance” (Një protestë modeste), një pjesë e botuar si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj esesë së Xhejmsit, Stivenson shpreh: “Ja pra, të themi të vërtetën, një paradoks i dëshiruar; sepse nëse ai kurrë nuk ka qenë në kërkim të thesarit të varrosur, atëherë mund të vërtetohet se ai kurrë nuk ka qenë fëmijë”. Mbyllja elegante qëndron në themel të një ligjërimi, që në të vërtetë artikulohet në argumente shumë precize, duke pasur parasysh që Stivenson vazhdon me një mbrojtje të zellshme të mënyrës së tij të të kuptuarit të romanit. Qendra e mendimit të tij është se aventurat dhe marionetat e çuditshme, që janë Xhimi, Long Silveri, piratët, por edhe Xhekill dhe Hajd, vëllezërit Ballantrae, personazhe që nuk përshkruhen në një analizë psikologjike arbitrare si protagonistët e realizmit dhe natyralizmit borgjez, me dozën e mirë të portreteve shprehin shumë më tepër për ndjenjat dhe pasionet njerëzore, sesa një vëllim detajesh rreth gotave të çajit dhe përshkrimet e vështrimeve./Konica.al

Në esenë pararendëse mbi romanin (“A Gossip on Romance”, 1882), Stivenson e kishte nënvizuar qartë këtë konceptim, që synon drejt një hedonizmi natyral të eksperiencës letrare: “Në çdo gjë të denjë për emrin e leximit, vetë procesi duhet të jetë imponues dhe i zjarrtë; ne duhet ta gllabërojmë librin me sy, të na entuziazmojë dhe, pasi të kemi mbaruar leximin pedant, mendjet tona duhet të jenë të mbushura me një vallëzim fantazmagorik dhe të shfrenuar figurash, e pamundur të na zëjë gjumi ose për të menduar për ndonjë gjë tjetër. Fjalët duhet të vazhdojnë të tingëllojnë në veshët tanë, si gjëmimi i valëve, dhe historia, nëse trajtohet një histori, na përsëritet para syve me mijëra imazhe shumëngjyrëshe”. Fjalimi vijon drejt thelbit të teorisë së tij: është më mirë të preferosh idealen e reales, ose më mirë të përpiqesh të bësh realiste abstrakten dhe idhulltaren, atë çfarë ai e quan “poezi të rrethanës”.[…] Romani modern aventuresk, trashëgimtar i romanit të mesjetës së vonë dhe më pas Rilindjes, mbart me vete ato arketipe antropologjike, të huazuara gjithashtu nga përrallat dhe shëmbëlltyrat gojore, për të cilat, sipas Stivenson, janë gjithçka që ia vlen të shkruhet. Këtu qëndron distanca e madhe, kësaj here artistike, me Xhejmsin. Për shkak se portretet e grave dhe skenat e jetës shoqërore të përshkruara aq mirë nga shkrimtari amerikan nuk parashikojnë aspak rrugën epiko-përrallore të zgjedhur nga Stivenson. Edhe pse admiron lojën e mençur letrare të mikut të tij, Xhejms nuk është në gjendje t’i kuptojë pasojat e saj të thella, madje tragjike do thosha. Ashtu si loja e fëmijëve, të shkruarit për Stivenson është vërtet kënaqësi, dëshirë dhe imagjinatë e marrë jashtëzakonisht seriozisht. Në vijim në “A Humble Remonstrance”: “Unë besoj se, në shumicën e rasteve, provohet i vërtetë fakti që artisti do të shkruajë me shumë më shumë shije dhe efektivitet vetëm për ato gjëra që ka dashur të bëjë, sesa ato që ka bërë. Dëshira është një teleskop i mrekullueshëm”.

Ku ka epigraf më të mirë për veprën e Stivenson: “Dëshira është një teleskop i mrekullueshëm”. Nisur nga dëshira, e natyrshme dhe e hareshme si era që përkëdhel fytyrën, për të treguar për njeriun dhe gjërat të tij, kjo ishte kredoja e shkrimtarit skocez. Dhe jo pa një ironi të lehtë, Stivenson u përpoq ta përfshinte mikun e tij të dashur në shakullinën e frikës dhe çudisë, nëse është e vërtetë që ai zgjodhi t’i thërriste dy vëllezërit Ballantrae të romanit homonimet Henri dhe Xhejms. Dy vëllezër që u lidhën dhe u ndanë fatalisht, si dy shkrimtarët në jetë./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Panairi i librave të vegjël"

Botimet Nazarko më pranë lexuesit

Mjeshtri i "gotikut krahinor"

Shkrimtari më simpatik i Amerikës


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit