MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 3

Skënderbeu dhe Apolonia surprizojnë në transfertë

21.11.2020 - 15:50

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të javës së tretë në Kategorinë Superiore. Skënderbeu dhe Apolonia kanë surprizuar në transfertë, duke marrë pikë më vlerë, përkatësisht ndaj Bylisit në Ballsh dhe Kastriotit në Kamzë.

Skënderbeu fitoi 2-0 në një transfertë të vështirë. Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa në 70’ Pusi zhbllokoi ndeshjen me një gol të bukur. Më pas Bylis përfiton penallti, por pret Dajsinani.

Dhe po nuk shënove, e pëson. Tereziu në 85’ realizon golin e dytë dhe të nokautit. Një fitore me shumë vlerë për ekipin korcar, teksa këtë sezon është ndërtuar me elementë të rinj dhe kërkon të mbetet mes më të mirëve.

Ndërsa Apolonia mori një barazim 1-1 në Kamzë ndaj Kastriotit. Edhe në këtë sfidë pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0, me vendasit më ngacmues, por pa gjetur dot golin.

Në të dytën, miqtë surprizojnë me Mihanan në 80’. Por pa kaluar as 5 minuta, Kastrioti përfiton penallti pas një prekje të topit me dorë në zonë nga ana e fierakëve. Gjuan saktë Plaku dhe 1-1.

Në 5 minutat e fundit dhe shtesën krutanët hidhen në sulm për të marrë fitoren, por nuk e arrijnë dot. Apolonia ishte e pafuqishme për ta ndëshkuar me ndonjë kundërsulm.