MENU
klinika

Ciceroni: Res Publica

Cilat janë 6 gabimet e njerëzimit

07.12.2020 - 15:51

       Marcus Tullius Ciceron do të vritej, 7 dhjetorin e vitit 43 para Krishtit. Konsull romak, filozof, politikan, jurist, orator e konstitucionalist, nga më të shquarit në antikitet. Ekzekutohet si armik i Romës, kur ajo po shndërohej me shpejtësi nga Republikë në Perandori, nga udhëheqje kolegjiale (Senati) në atë të një njeriu të vetëm (Perandori).

Ai ekzekutohet në vitin 43 p.e.s, si armik i Romës, kur kishte filluar të besonte se karriera politike ishte arritja e tij më e rëndësishme; sepse veç orator i përkryer, ai ishte edhe një prej politikanëve më të mirë të Romës.

Ciceroni fitoi famë me kundërshtimin e tij ndaj Jul Cezarit i cili kërkonte të bëhej i plotfuqishëm; më vonë ai denoncoi Mark Antonin që nuk riktheu republikën (pas vdekjes së Cezarit); dhe kritikoi Oktavianin që synonte të bëhej perandor.

Ciceroni u fal nga Cezari kur ky u kthye në Romë pas fitores ndaj Pompeit, por nuk mundi t’i shpëtonte zemërimit të Mark Antonit dhe Oktavianit që e ndoqën dhe e vranë si armik te shtetit; koka iu pre, duart iu gjymtuan, trupi iu nda copa – copa, shkruajnë kronikanët.

Ciceroni ra viktimë e pasioneve politike të kohës; tregojnë, se një herë, disa vite më vonë, Oktaviani (Perandor) e gjeti nipin e tij duke lexuar një libër të Ciceronit, që u përpoq ta fshihte nga frika se gjyshi i tij do të zemërohej.

Por Oktaviani e mori librin, lexoi disa rreshta dhe ia ktheu duke thënë: “Lexoje pa frikë, Ciceroni ishte njeri i mësuar që e donte vendin e tij.” Me kalimin e shekujve, Roma përjetoi trazira, përmbysje; shkrimet e Ciceronit u zhdukën; më pas u ruajtën nga murgjit në manastire.

 

Zbulimi i letrave të Ciceronit në shekullin XIV nga Petrarka dhe publikimi i tyre, është cilësuar si shkëndija e Rilindjes evropiane.

Rilindja solli gjithashtu ringjalljen e Ciceronit dhe, vetëm pas tij e nëpërmjet tij, edhe ringjalljen e pjesës tjetër të lashtësisë klasike.

Kulmi i prestigjit të Ciceronit erdhi gjatë periudhës së iluminizmit (shekulli XVIII); ndikimi i tij është vënë re tek mendimtarët si John Locke, David Hume dhe Montesquieu; veprat e Ciceronit renditen mes atyre më me ndikim në kulturën evropiane dhe ende përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të materialit parësor për shkrimin dhe rishikimin e historisë romake, sidomos në ditët e fundit të Republikës, kur ndodhi edhe vdekja e tij.

Sipas Ciceronit, janë gjashtë gabime, që njerëzimi vazhdon t’i përsërisë në çdo kohë:

1- Besimi se fitimi personal arrihet duke shkatërruar të tjerët.

2- Shqetësimi për gjërat që s’mund të ndryshohen.

3- Këmbëngulja se një gjë është e pamundur, vetëm sepse ne nuk mund ta arrijmë.

4- Refuzimi për të lënë mënjanë preferencat e parëndësishme.

5- Neglizhenca e zhvillimit dhe sqimës së mendjes.

6- Përpjekja për të detyruar të tjerët të besojnë dhe të jetojnë si ne.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një Skënderbe... një Garibald

“Damis, këta shqiptarët tuaj janë luanë!”