MENU
klinika

Vjosa Osmani fton sot partitë politike

Kur mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme?

22.12.2020 - 10:00

Pas vendimit të Kushtetueses se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitime, presidentja në detyrë Vjosa Osmani pritet të ftojë sot partitë politike për t’u konsultuar rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Pas konsultimit me subjektet politike, pritet të shpallet edhe data e zgjedhjeve, jo më larg se 40 ditë sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas Eugen Cakollit, nga KDI-ja, kjo do të thotë se zgjedhjet i bie të mbahen më datën 24 janar të vitit 2021.

“Nëse u.d. e presidentit shpall sonte ose nesër dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me shumë gjasë i bie se zgjedhjet do të mbahen më 24 janar të vitit të ardhshëm”, ka thënë Cakolli, citojnë mediat e Kosovës.

Sjellim në vëmendje që dje Gjykata Kushtetuese vendosi pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, duke bërë vendosur zyrtarisht që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Përcaktuese ishte vota e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Në arsyetimin e vendimit të Kushtetueses konstatohet se deputetit Arifi ka qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë dhe për këtë arsye ai nuk mund të ishte kandidat për deputet dhe as të fitonte një mandat.