MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Marrëveshja e Brexit/ Johnson duhet të paguajë shtrenjtë!

28.12.2020 - 09:00

Marrëveshja e Brexit është më e mirë se  Brexit pa marrëveshje.

Por marrëveshja që Boris Johnson arriti me Bashkimin Evropian në prag të Krishtlindjes nuk është triumf politik, nuk është ndonjë arritje diplomatike.

Një ditë me siguri do të konsiderohet si një nga mashtrimet më të mëdha ndonjëherë të shkaktuara elektoratit britanik.

Na u tha që një marrëveshje e tregtisë së lirë me BE do të ishte “një nga më të lehtat në historinë njerëzore” për tu arritur, se ne “do të arrinim një marrëveshje të madhe”.

Na u tha që një marrëveshje e tregtisë së lirë do të na jepte “përfitimet e njëjta” nga anëtarësimi në BE pa ndonjë nga detyrimet ose kostot financiare.

Megjithatë, marrëveshja e arritur nga Johnson do të shkaktojë të gjitha kostot që ai mohoi.

Do të duhen disa javë për të kuptuar plotësisht faqet e shumta të tekstit ligjor.

Por tashmë është e qartë se kjo marrëveshje do të ketë pasoja  për Britaninë në dekadat e ardhshme: për mirëqenien dhe qëndrueshmërinë e komuniteteve në  një komb tejet të pabarabartë; për potencialin e MB në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme; dhe mbase edhe për vetë integritetin e kombit tonë.

 Akti i dëmit kombëtar të Johnson nuk mund të vinte në një kohë më të keqe.

Ai do të ketë edhe një dëm të konsiderueshëm ekonomik gjatë një pandemie globale.

Që kemi përfunduar këtu nuk është ndonjë befasi e madhe.

Ishte në interesin e të dy palëve që të arrinin një marrëveshje përpara afatit  të kësaj jave. Por asnjë numër fjalimesh  nga Johnson nuk mund të fshehë se ai ka rënë dakord të paguajë një çmim serioz.

Së pari janë kostot që do të maten në paund.

Kjo marrëveshje tregtare më shumë shton sesa eleminon pengesa në tregti.

Mallrat do t’i nënshtrohen kontrolleve të kushtueshme të reja doganore dhe rregullatore.

Pasojat ekonomike do të jenë të rënda: Zyra për Përgjegjësinë e Buxhetit ka parashikuar që në planin afatgjatë, kjo lloj marrëveshje do të zvogëlojë PBB-në me 4%, duke ulur kostot afatgjata të pandemisë.

Por, siç kemi shkruar shpesh, BE ishte gjithmonë shumë më tepër sesa një projekt ekonomik. Ishte një ndërmarrje idealiste për të parandaluar që kontinenti të shkatërrohej përsëri nga lufta.

Dekada më vonë, ne jetojmë në një botë të rrezikuar nga lloje të reja të paqëndrueshmërisë.

Sfidat më të mëdha globale me të cilat përballemi, kriza e klimës, pandemitë globale, shmangia e taksave ndërkombëtarem mund të trajtohen vetëm përmes shteteveqë veprojnë në bashkëpunim, jo vetëm.

BE ka të metaL asnjë bashkim i 28 kombeve nuk mund të jetë i papërsosur, dhe përballet me sfida ekzistenciale të vetat.

Por bota është një vend më i mirë për të dhe është një shkak për trishtim të madh që Britania e Madhe po i kthen shpinën asaj që përfaqëson.

Kjo marrëveshje do të zvogëlojë ndikimin global të Mbretërisë së Bashkuar jo vetëm nga këndvështrimi i interesit tonë kombëtar, por në drejtimin e përgjegjësive tona ndërkombëtare si një nga demokracitë më të pasura në botë.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ konica.al