MENU
klinika

Shën Gjoni

Një akademi teologjike shqiptare

16.12.2020 - 15:28

        Diku, nëpër librat kishtarë, rrëfehet një legjendë e hershme me tone fantastike. Ajo gojëdhënë tregon për Gjon Vladimirin… dhe nis kështu si përrallë: “Një ditë prej ditësh, Joani, duke shëtitur nëpër krahinat e mbretërisë së tij, pa në pyll, mbi lumë të Kushës, një shqiponjë që mbarte ndër flatra Kryqin e Ndritshëm. Shqiponja zbriti në tokë, la Kryqin dhe u zhduk ngaqë ishte engjëll. Joani mori Kryqin me falje të mëdha, e puthi dhe e vendosi po në atë vend, ku ndërtoi më pas kishën”./Konica.al

Legjenda, si gjithë krijimet fantastike, nuk përmend fare data, as saktësime të tjera, të dokumentuara. Më pas, në histori tregohet se ky Joani paska qenë Gjon Vladimiri, princ i Krajës, buzë liqenit të Shkodrës. Mbretërimi i tij i përket fillimit të shekullit XI, kohë në të cilën hordhitë sllave bridhnin nëpër trevat e Ilirisë dhe haheshin midis tyre për të rrëmbyer troje sa më të gjera të Ballkanit. Një njërin prej këtyre konflikteve, bie viktimë dhe Shën Gjoni… “Vlladisllavi, Car i bullgarëve, duke dashur të pushtojë mbretërinë e Joanit, e thirri atë në kryeqytetin e vet. Shenjti e besoi, por Vlladisllavi nxori shpatën dhe i preu kokën…”. Këtu ndërhyn prapë legjenda, me çuditë e veta dhe thotë, se, mrekullisht, në këtë çast, shenjti mori ndër duar kokën e prerë dhe u nis kaluar drejt kishës që pati ndërtuar pranë Elbasanit. Këtu u varros Gjon Vladimiri prej kryepeshkopit të vendit, më 4 qershor 1915.

Kozarja, e shoqja, nga dashuria e madhe për shenjtin, ndërtoi pranë kishës një shtëpi… dhe aty banoi derisa vdiq. Më vonë, shtëpia u kthye në manastir…

Nga tërmetet dhe rrebeshet e kohës, faltorja e ngritur që në fillim të mijëvjeçarit të dytë, qe rrënuar krejt, mbas 300 vjetësh. Në shekullin e 14-të, asaj nuk i dukeshin më gjurmët. Ishte Karl Topia, ai që në kohën e sundimit të vet më 1381, ngriti në Luginë të Kushës, atë manastir e bazilikë, që, për nga bukuria e madhështia, s’patën shoqe në tërë Ballkanin…

Në Mesjetën e vonë, Manastiri i Shën Gjonit arriti të bëhet një nga qendrat më të rëndësishme teologjike të ritit ortodoks në Shqipëri. Atje do të mblidhen murgjër e dijetarë, që do të krijojnë vepra të rëndësishme kishtare në gjuhën shqipe. I tillë do të jetë autori i “Psaltirit”, që deri më sot nuk ia kemi saktësuar dot emrin, por herë i kemi thënë “Anonimi i Elbasanit”, herë Papa Totasi, herë Theodhor Bogomili. Në të vërtetë, libri i “Psalmeve” është një vepër si “Meshari” i Gjon Buzukut, i rëndësishëm ndoshta sa ai, ngaqë përmban përveç përkthimeve të lira, edhe pjesë fetare, krejt origjinale. Ai dëshmon për një shqipe arkaike, jo më e re se shek. XVIII, me një drejtshkrim të sigurt dhe me alfabetin shqip të posaçëm, më të vjetrin që njohim. Po në Shën Gjon shkroi edhe i përndrituri, martiri i shqipes, Theodhor Haxhi Filipi dhe atje e nxori veprën në gjuhën amtare “Mesha e Shën Gjon Gojartit”. Dhaskal Todrit i takon merita që manastirin tonë e ktheu në një Akademi Teologjike Shqiptare, për këtë shpiku dhe alfabetin e vetë prej 53 germash, për këtë iu desh dhe shtypshkronja./Konica.al

Todrit të Madh s’i eci fati. Ai jetoi e punoi në një kohë plot trazime. Vepra e tij humane u ndërpre nga ato forca grabitqare, që s’u pëlqente ndritja dhe lartësimi i shqiptarëve në gjuhë të vet. Ata jo vetëm që e vranë, por ia dogjën dhe shkrimet e shenjta, të përkthyera… bashkë me “Dhiatën e Re” e “Dhiatën e Vjetër” në gjuhë të ëmbël shqipe… shkruar në të folmen e pasur të Elbasanit… Kjo ndodhi më 1827.

Martirizimi i Dhaskal Todrit u dha shenjë të parëve tanë, për t’u mbledhur e për t’u bashkuar rreth këtij manastiri. Familjet më atdhetare të Elbasanit i dorëzuan djemtë e vetë si oshënarë në Shën Gjon. Këta vinin nga “Banushajt” e Fikasit, “Gegat” e Karakullakut, “Theoharët”, “Xhuvanët”, “Nost” e “Xhufkat” e qytetit. Në mes të shekullit XIX, Shën Gjoni u bë jo vetëm qendër fetare, por dhe qendër studimesh nga më të rëndësishmet e Shqipërisë. Kush deshi të njohë kulturën shqiptare dhe historinë e kombit tonë, do të kalonte medoemos në Shën Gjon. Kësaj periudhe i përket pelegrinazhi, që bëjnë në këtë manastir shkencëtarët dhe albanologët nga më të mëdhenjtë si Hahni, Dozoni e të tjerë më vonë. Shkolla e Shën Gjonit u kthye kështu në çerdhe të Rilindjes sonë Kombëtare. Prej kësaj, do të dalin mjeshtrit e parë të predikimit në gjuhën amtare dhe këta s’do të jenë as një e as dy, po një çetë e tërë peshkopësh, me Gjermanonin… Visarionin… Ireneun…

Lufta e Dytë Botërore solli dhe katastrofën e kësaj Selie të Shenjtë. Së pari, Shën Gjonin e përdhosën fashistët më 1940-1941. Aty u vendos Kuartieri Gjeneral i Frontit Italo-Grek. Aty qëndroi Badilio, aty fjeti dhe Duçja, një javë, deri në fund të janarit 1941. Nazistët gjatë tërheqjes i vunë zjarr bujtinave më 1944. Komunistët e zhdukën fare nga faqja e dheut, pa lënë as nam e as nishan. Ç’krijoi mendja e ndritur në njëmijë vjet, e shkatërroi obskurantizmi për disa çaste./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nismëtar i letërsisë

Barleti epos i shpirtit shqiptar