MENU
klinika

3 mënyra të thjeshta

Si të menaxhoni stresin gjatë festave të fundvitit

31.12.2020 - 09:58

Festat e fundvitit ofrojnë një atmosferë të ngrohtë dhe të bukur, megjithatë për disa njerëz mund të jenë makth i vërtetë.

Ka nga ata që duhet të përgatitin gjithçka për një darkë perfekte, ata që shkëputen nga jeta aktive dhe do dëshironin më mirë të shkonin në punë sesa të festojnë Vitin e Ri apo të tjerë që thjesht nuk i presin me shumë pozitivitet mbledhjet familjare. Për të gjithë ata që nuk i kanë qejf të tilla mbledhje, ka disa mënyra për t’u rezistuar.

Ule ritmin

Je me pushime dhe rrjedhimisht duhet të ngadalësosh ritmin. Nuk është e nevojshme që gjatë kësaj kohe të bësh të njëjtat gjëra që bën normalisht. Nëse festat të detyrojnë të jesh e impenjuar me shtëpinë, kuzhinën apo ftesat, është normale që niveli i stresit të rritet. Ndaj, përpiqu të programosh më mirë kohën, kërko ndihmë, delego një pjesë të punëve dhe mëso t’u thuash, “Jo, faleminderit!” të gjitha ftesave.

Mos kërko perfeksionin

Vlerëso gëzimet e vogla të ditëve festive. Mund të të duket klishe, por është një thënie antike dhe e mençur që vlen gjithmonë kur je duke kërkuar lumturinë. Nëse pema e Vitit të Ri nuk i përmbushi pritshmëritë e tua, të paktën kënaqu me kujtimet që të zgjohen sa herë rikthehesh në shtëpinë e prindërve. Të kërkosh perfeksionin i rrit shumë pritshmëritë dhe shanset janë të mëdha që të mbetesh e zhgënjyer.

Ji mirënjohëse dhe fal

Marrëdhëniet me të afërmit dhe familjarët nuk janë gjithmonë ideale. Megjithatë, festat e fundvitit janë koha edhe për të sistemuar raportet dhe për të lënë pas mëritë. Tregohu mirënjohëse me familjen që ke dhe fal problemet e së shkuarës. Nëse vjehrrën apo kunatën e ke vërtet të pamundur ta durosh, me vullnet më mirë mund të lësh mënjanë gjithçka dhe të gjesh një mundësi bashkëjetese vetëm për pak ditë.

Merru me aktivitet sportiv

Gjatë ditëve të festave mundohu të gjesh një moment për të bërë disa ushtrime fizike. Më mirë do ishte që të bëje një shëtitje në mëngjes në ajër të pastër, sepse kjo do t’i shërbente humorit të të gjithëve. Gjatë kësaj periudhe të vitit shumë vuajnë nga luhatjet e humorit, për shkak të ditëve të shkurtra. Gjithashtu, konsumi i ushqimeve hiper-kalorike, të mbushura me sheqer dhe yndyrë, të bën më të plogësht, ndaj lëvizjet janë të domosdoshme për të të dhënë më shumë energji dhe humor të mirë.

Largohu nga rutina

Hapi i fundit është më i vështirë nga të gjithë. Duhet të shkëputesh nga gjithçka, nga çdo lidhje me botën. Puna, rrjetet sociale dhe komunikimi me miqtë e largët nuk do të të bëjë të ndihesh më mirë. Edhe pse duket si diçka për të kaluar kohën, duke komunikuar me “pjesën tjetër të botës” nuk do arrish të gjesh paqe me veten apo të dëgjosh zërin më të thellë që të tregon se cilat janë dëshirat dhe objektivat që do të kesh vitin e ardhshëm.