MENU
klinika

Hapat që duhet të ndiqni

Si të nisësh biznesin tënd në TikTok?

27.12.2020 - 11:49

Videot e shkurtra në TikTok u mundësojë njerëzve dhe kompanive që të kenë sukses, ndoshta shumë më lehtë sesa në platforma si Facebook dhe Instagram. Për shembull themeluesit e Popls (një etiketë e vogël e vendosur në pjesën e pasme të telefonit që ju lejon të ndani llogaritë tuaja nëpër rrjete sociale thjesht duke afruar telefonat) Nick Eischens dhe Jason Alvarez-Cohen postuan në shkurt një video 13-sekondëshe të dikujt duke përdorur produktin e tyre, video që grumbulloi më shumë se 10 milionë shikime brenda 2 ditësh.

Për të krijuar një biznes të suksesshëm në TikTok, ja hapat që duhet të ndiqni.

Fillimi

Nëse nuk do të paguani një influencer (influencues), do të duhet t’i përgatisni vetë videot. “Mësohuni të ndiheni të ekspozuar. Në TikTok, duhet të jeni pak më të hapur për të treguar të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën e biznesit tuaj,” thotë Tyler Farnsworth, themelues i kompanisë së marketingut, August United.

Së dyti, hartoni një listë me tema që do të trajtoni në llogarinë tuaj, këshillon Keenya Kelly, një sipërmarrëse me më shumë se 200,000 ndjekës në TikTok. Temat lidhini me hashtags, kështu që sa më shumë të përdorni, aq më mirë do të jetë.

Gjithashtu duhet të shihni videot e të tjerëve për frymëzim. Në fillim, vërtet mund të rastisni me adoleshentë që kërcejnë twerk, por nëse video të tilla i cilësoni me “not interested”, algoritmi do të kërkojë për ju videot më të rëndësishme që lidhen me biznesin tuaj.

TikToku i parë

Harrojeni mënyrën se si krijoni përmbajtje në Facebook dhe Instagram. Realiteti fiton në TikTok, ndërsa pamjen e përsosur lëreni për në Instagram. Për këtë arsye, braktisini postimet e zbukuruara dhe të kuruara në detaje. Raitis Purins, shefi i marketingut në kompaninë Printful, u shpreh se kompania e tyre filloi të kishte më shumë sukses në TikTok kur nisën t’i regjistronin videot me telefon.

Për të krijuar videon e parë, identifikoni paraprakisht formatet e videove që janë trend atë javë, duke i parë në “Discover”. Duhet të tregoni se jeni pjesë e klubit. Pikë e rëndësishme është: Eksperimentoni!

Përfitoni sa më shumë nga përmbajtja juaj

Pasi të keni bërë video të mira, postojini ato disa herë. Ndonjëherë videot nuk bëhen virale nëse nuk postohen më shumë se 1 herë. Këshillohet të postoni të paktën 4 herë në ditë, edhe në rast se videot janë të shkurtra 5 sekonda. Përdorni të paktën 4 deri në 6 hashtags dhe zgjidhni disa hashtags që kanë më pak se 2 milionë shikime, në mënyrë që njerëzit t’i gjejnë videot tuaja më lehtë.

Nëse doni që ta bëni më virale faqen, mund të bashkëpunoni edhe me njerëz të njohur, që ta shpërndajnë atë. Ose mund të regjistroheni në TikTok Creator Marketplace për të gjetur influencues për markën tuaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN