MENU
klinika

Liderët e Kosovës: Një ditë do të vihet drejtësia

22 vite nga masakra e Reçakut!

15.01.2021 - 11:10

22 vite më parë është kryer një nga masakrat më të mëdha që ushtria serbe ka kryer ndaj popullsisë civile në Kosovë ku humbën jetën 45 shqiptarë të paarmatosur. Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe solli ndërhyrjen e NATO-s, në konfliktin që u merrte jetën shqiptarëve përditë.

Shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte ngritur shqetësimin për krimet kundër njerëzimit që po kryheshin në Kosovë, gjë që solli ndërhyrjen e misionit ushtarak ndërkombëtar që solli më pas edhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.

Në përkujtim të kësaj dite në varrezat e Reçakut kanë shprehur nderimet e tyre të gjithë liderët vendas.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka bërë homazhe në Reçak së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin. Osmani ka bërë thirrje që bota t’i kthejë sytë nga Kosova duke thënë se ka dëshmi të gjalla të krimeve që janë bërë në vend.

“Kërkojmë që bota t’i kthen sytë nga këto dëshmi të qarta, Serbia ishte ajo që e udhëhoqi gjithë atë luftë, e për fat të keq duke mos kërkuar falje e duke mos lejuar drejtësinë për këto krime, dëshmon që ende po dominon kjo mendje gjenocidale”, ka thënë Osmani.

Ndërsa Kurti theksoi se ka ardhur koha që të ndëshkohen fajtorët.

 “Dimri i janarit 1999 ka qenë shumë më i ftohtë se ky që e kemi sivjet, kjo ngjarje e pat tmerruar gjithë Kosovën e popullin shqiptar po edhe i pat ndërgjegjësuar kancelaritë më të fuqishme botërore. Pas këtij akti gjenocidial nuk vonoi shumë dhe avionët e NATO-s filluan bombardimet”, ka thënë ai.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në 22 vjetorin e masakrës në Reçak nga forcat serbe tha se asnjëherë nuk do të prehen në paqe viktimat derisa ata që i kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar.

 “Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa derisa ata që kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon por jam i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është takuar me familjarë të të masakruarve në Reçak,  dhe tha se të rënët në masakrën e Reçakut e të Prekazit qëndrojnë në themel të lirisë së Kosovës.

“E vërtetë që liria ka emër, e ka Prekazin e ka Reçakun, i ka varret dhe vuajtjen e dhimbjet e gjithë atyre që më të dashurit i kanë në themel të lirisë. Lavdi e përjetshme”, tha Haradinaj.

Më 15 Janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.