MENU
klinika

Sfidat e administratës së re

Biden u betua por tani është pjesa më e vështirë

24.01.2021 - 09:37

Java që lamë pas ishte e shkëlqyer për Amerikën. Por sistemi i vendit është prishur në mënyra që Biden nuk ka gjasa të rregullojë. Çdo ditë nga betimi i tije media është mbushur me përshtypje optimiste për administratën e re të Biden dhe shanset e saj për të menaxhuar me sukses problemet e vendit.

Nuk është çudi. Çfarëdo që të mendoni për ish-Presidentin Donald Trump, zhvendosja e tonit në diskursin e kombit në ditët e fundit ka qenë e jashtëzakonshme. Fjalimi inaugurues i Presidentit Joe Biden ishte një shfaqje e përsosur e modestisë, njerëzillëkut dhe dëshirës së mirëfilltë për të bashkuar vendin.

Veprimet e tij të hershme ekzekutive mbi klimën, pandeminë, imigracionin, etj, u përqendruan me zgjuarsi në ndryshimet e rëndësishme që shumica e amerikanëve mbështesin.

Nëse të gjithë ndihen pak çuditshëm, atëherë, kjo është krejtësisht e kuptueshme. Është mëse e zakonshme si ndjesi pasiqë vendi u çlirua nga një drejtues agresiv dhe i ashpër që ka lënë edhe shumë pengesa në rrugën e drejtuesit të ri të vendit.

Por është e rëndësishme që edhe të veprohet, si për të zbutur pritjet për atë në mënyrë që administrata e re të arrijë objektivat. Dihet që nëse vendi nuk gjen një mënyrë për të trajtuar problemet e tij themelore strukturore – çështje për të cilat askush nuk po flet tani – ky moment të optimizmi nuk do të zgjasë.

Tri çështje theksojnë sfidat më të rëndësishme të administratës Biden-Harris:

E para përfshin Senatin, i cili – megjithëse tani është nën kontrollin nocional Demokrat – është i bllokuar lidhur me mënyrën se si do të ndahet pushteti, nëse duhet të ruhet e drejta e Republikanëve për ndikim edhe kur të fillojë gjyqi i fajësimit të Trump.

Çështja e dytë, shfaqi dëshirën e fortë të demokratëve të rangut të lartë për të parë gjyqin e fajësimit të Trump të shkojë përpara. Biden mund të dëshirojë që Senati të kthejë faqen dhe të përqendrohet në axhendën e tij legjislative, por gradat duan drejtësi. Kërkimet e pavarura e konfirmojnë këtë. Të mërkurën, FiveThirtyEight publikoi një mesatare të sondazhit të mbledhur nga të dhënat e fundit në dispozicion. Ajo tregoi se, në prag të inaugurimit të Biden, 87.8 për qind e demokratëve dhe 52.5 për qind e amerikanëve në përgjithësi ende ishin pro heqjes së Trump nga detyra apo pro fajësimit të tij.

Çështja e tretë dhe më e rëndësishme lidhet me 139 Republikanët që kishin votuar kundër çertifikimit të fitores elektorale të Biden. Edhe pse veprimet e tyre mund të kenë mërzitur shumicën e amerikanëve, pjesën më të madhe të botës së korporatave dhe udhëheqjen e vetë partisë së tyre, ligjvënësit nuk ka gjasa të paguajnë një çmim politik për qëndrimin e tyre antikushtetues .

Të marra së bashku, këto tre momente nxjerrin në pah dy gjëra. Së pari, ato ofrojnë edhe një tregues se sa të polarizuara janë bërë Shtetet e Bashkuara.

Së dyti, ato theksojnë se sa e vështirë do të jetë për këdo madje edhe për një politikan kaq të aftë sa Biden për të bërë ndryshimin.

Sigurisht, do të ishte mirë sikur Biden të mund të fitonte mbi GOP siç sugjeroi Tom Friedman kohët e fundit. Ose, siç argumentoi David Brooks , Biden do të arrijë marrëveshje bipartizane duke përdorur besimin që ai ka krijuar në Senat dhe aftësinë e tij për të ndarë politikën nga luftërat e kulturës.

Karakteri thellësisht i denjë i Biden dhe dëshira e vërtetë për të ndihmuar do të bëjë ndryshimin.

Gjithësesi mbetemi skeptikë… Vendet anë e mbanë botës kanë zgjidhur probleme të mëdha, që dukeshin të pamundura. Kushti i parë i domosdoshëm për të përmbushur reformat e mëdha, është një krizë e madhe e pranishme.

Dhe SHBA ndodhet në një moment krize… Por më e rëndësishme është që politikanët të vendosin interesat më të mira të vendit mbi interesat e tyre të ngushta politike që mund të zgjasin sikur edhe një mandat.

 

Përkthyer dhe përshtatur nga Foreign Policy/ F.H, Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN