MENU
klinika

"Një kryeministre nga fshati"

Jacinda Ardern: traktoristja që la Londrën për atdheun

03.01.2021 - 16:34

       Në të gjitha gazetat në mbarë botën, trajektorja e Kryeministres Ardern, është një vijë e drejtë në ngjitje të vazhdueshme. Rrëfyer kjo, si një roman i jashtëzakonshëm./Konica.al

Në disa aspekte, pa dyshim që është. Megjithatë, historia e Kryeministres aktuale në Zelandën e Re, e konfirmuar këtë vjeshtë, me 49.1 për qind të votave, është gjithashtu historia e zakonshme e një gruaje, e cila, është e lirë të shprehet dhe të drejtojë një vend. Të paktën, çfarë shumë dëshirojnë të bëhen: shembull i një normaliteti të ri, shkruajnë mediet e huaja.

Lindur më 1980, Ardern u rrit në Murupara, një qytet i vogël me 1,970 banorë, të shpërndarë në fshatrat në jug të Auckland-it.

Google Maps është një pikë mbi një hapësirë të gjelbër. Aq larg nga qendra e botës, sa atje nuk mund të imagjinohet të ndodhë asgjë. Prindrit e saj, i përkasin besimit Mormon. Babai polic, ndërsa nëna e punësuar në një mensë shkolle. Puna në arë është mëse e zakonshme, për të gjithë në ato anë; edhe Jacinda e re, pas shkollës hipte në traktor dhe ndihmonte familjen për punët në bujqësi. Mundet të jetë mijëra kilometra larg kryeqyteteve të Kinës, Evropës, Shteteve të Bashkuara, por ky cep i përgjumur i provincës është gjeografia që të gjithë e njohim, në realitet. Në fakt, shumica rriten si Ardern, në skaje të largëta. Pa arsim apo pasione, ata mbeten atje…

Ajo ishte e zonja dhe spikat shumë herët. Vajza provinciale studion, diplomohet, dashurohet me politikën dhe shkon në Britaninë e Madhe, vendin elargët me zhvillime të shpeshta e të shpejta. Në vitin 2006, në moshën njëzet e gjashtëvjeçare, ajo u bë “më e mira e ekipit” të Tony Blair-it.  Ajo është e re, është grua dhe vjen nga larg. Ngjan si protagonistet e sagave aventureske që nisin një destinacion të ri, me guximim prej pionierësh. Veçse në ato saga, protagonistë ishin gjithmonë dhe vetëm meshkuj.

Ardern, mund edhe të mos kthehej më dhe të qëndronte në qendrën që ka arritur. Por, brenda ka zjarrin që e njeh kushdo që ka lënë provincën: nevojën për të përmirësuar fillimet veta. Kështu, kthehet në Zelandën e Re: në vitin 2008 zgjidhet në drejtimin e Socialistët e Rinj dhe në më pak se një dekadë, ajo do ta gjejë veten nën betimin si Kryeministre: 37 vjeç dhe shtatzënë.

Jacinda Ardern, nga viti 2017 deri më sot, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka thyer rekorde, duke i hedhur në erë stereotipet: Kryeministrja e parë femër, Kryeministrja më e re në botë, Kryeministrja që ushqen me gji foshnjen në asamblenë e përgjithshme të OKB-së. E sjellshme, e dhembshur, amësore. Por edhe e fortë. Ishte ajo, që u përball me masakrën e Christchurch-it, pa u përkulur – 50 myslimanë të vrarë dhe 40 të plagosur – duke i mohuar terroristit, supremacistit të bardhë, deri edhe një emër. Po ajo, që menaxhoi pandeminë me rezultatet më të mira, përmes dy bllokimeve në kohë dhe të forta, që synonin jo frenimin, por eliminimin e virusit.

Efektiviti që e ka bërë të vlerësohet nga çdo skaj i planetit

Jacinda Ardern është e këndshme, por edhe e përgjegjshme dhe e besueshme. Në fakt, një njeri pa maskë, që nuk vjen nga skena e ngjitjes së vetmuar në majë, por nga realiteti më i sinqertë: ai i yni. Një shtëpi, një fshat ku koha kthehet në mënyrë ciklike në vetvete, një komunitet ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, nga i pari tek i fundit dhe një rrugë që të çon në shkollë.

Ka qenë gjithashtu e diskutuar nga të gjithë, pasi ka mundur të ndërthurë punën me familjen, duke ndarë kujdesin e vogëlushes me partnerin. Që tingëllon si një revolucion, ndërkohë që besoj se është thjesht, një përparim i domosdoshëm: çlirues për të dy, prindrit e fëmijët. Të hedhësh në erë definicionet, ndarjet se çfarë është “mashkullore” dhe çfarë është “femërore”, është një hap përpara drejt lumturisë. Nuk është origjina, besimi, mosha, etnia, gjinia që zbulojnë se kush jemi. Eshtë talenti ynë, dëshira që na ka bërë të ndjekim një rrugë të caktuar, për të mbërritur nga “unë”, te  “ne”.

Skeptikët shkruajnë se kjo është një përrallë e bukur, e mundur vetëm në një vend me 5 milion banorë. Asnjëherë, nuk më ka pëlqyer skepticizmi, sepse nuk mendoj se nuk mund të çojë askund.  Preferoj ta lexoj historinë e Kryeministres Ardern, si një parashikim konkret dhe të ndritur të së ardhmes.