Faqja e parë e “El Mundo Deportivo” sot ka tronditur opinionin botëror të futbollit. Bëhet fjalë për kontratën faraonike të Lionel Messit te Barcelona, shifra që shfaqen për herë të parë, ndonëse klubi është munduar t’i fshehë.
E përditshmja katalanase ka publikuar në detaje shifrat që përfiton argjentinasi nga rinovimi i fundit i kontratës, që ka ndodhur pak më shumë se dy vite më parë.
Sipas kësaj gazete, nga nëntori 2017, deri 30 qershorin 2021, sipas pikave të kontratës, Messi mund të përfitojë 555.237.619 euro (pa taksa), pra më shumë se 139 milionë në vit. Një shifër që del pas mbledhjes se pjesës fikse me variablat (në bazë të arritjeve sportive).
Në marrëveshje zbulohet se Messi ka përfituar dy shifra marramendëse në formë bonusi: 115 milionë euro për hedhjen e firmës dhe 80 milionë euro për besnikëri ndaj klubit.
Duke iu referuar shifrave që përfiton nga arritjet sportive, “Pleshti” deri tani ka siguruar 511 milionë euro nga kontrata, që përkthehet me 92% të totalit të mundshëm, pavarësisht se në tri edicionet e fundit të Champions, Barcelona nuk e ka prekur finalen.
Ka ardhur edhe reagimi i klubit të Barcelonës, që i dalin në mbështetje Leo Mesit dhe shkruajnë se kush e ka nxjerrë këtë informacion mbi të ardhurat do përballet me pasoja të tmerrshme.
LATEST NEWS ❗
Press Release: Leo Messi
All the details 👇https://t.co/CVDmFaZ6t4— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 31, 2021
“Klubi mohon që kontrata është shfaqur në publik, pasi ai është një dokument privat që drejtohet nga parimi i konfidencialitetit midis dy palëve. Barcelona kategorikisht mohon çdo përgjegjësi në botimin e këtij dokumenti dhe do të marrë masa ligjore për çdo dëm të shkaktuar nga gazeta.
Barcelona shpreh mbështetjen e saj të plotë për Messin nga kushdo që shtrembëron imazhin e tij. Ky është një dokument sekret dhe qeveritar dhe posedimi i tij në mënyrë të paligjshme dhe botimi i tij do të ketë pasoja të tmerrshme për ata që e bëjnë këtë” – shkruhet në reagimin e klubit.
Gjithsesi, në këtë reagim, klubi nuk mohon shifrat, por thjesht publikimin. Tani dëmi është bërë, Messi ka marrë një goditje të fortë, por nga ana tjetër, pavarësisht bonuseve që përfitonte, kërkoi të largohej. Kjo tregon se nuk largohej për kontratë të re, por anën sportive.