MENU
klinika

Mediu flet për marrëdhëniet me PD: Ja çfarë kërkoj!

PR prezanton 16 kandidatët për deputetë në Fier

21.01.2021 - 10:00

Partia Republikane ka prezantuar 16 kandidatë për deputetë në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë fjalës së tij, kryetari i kësaj force politike, Fatmir Mediu foli për marrëdhëniet me Partinë Demokratike.

fatmir mediuMediu tha se mes PD dhe PR kërkon marrëdhënie në mënyrë që çdo qytetar të ketë vlerë në zgjedhje.

“Unë dua mundësinë për të konkurruar, për të kontribuar çdo republikan, në çdo qendër votimi, nga Vermoshi e deri në Konispol, të gjithë së bashku, demokratë dhe republikanë, për të fituar.

Ka shumë sot që shtrojnë pyetjen; Çfarë ka ndodhur ndërmjet nesh, Parti Republikane – Parti Demokratike? A po bëjmë Pazar? A po kërkojmë më shumë sesa na takojnë? Unë dua marrëdhënie të Partisë Republikane me Partinë Demokratike, në mënyrë që gjithsecili nga ju, qytetar i thjeshtë, republikan e demokrat, të ketë vlerë në zgjedhje.

Politika jonë, regjimi i korruptuar që kemi përballë, manipulimi i vazhdueshëm i jetës sonë, manipulimi që Edi Rama do që t`i bëjë zgjedhjeve, kërkon që republikanë, demokratë, njerëz të ndershëm, të bashkohen në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ne nuk mund t`a vëzhgojmë të keqen, ne duhet të përballemi me të keqen”, tha Mediu. Fatmir Mediu theksoi se gjendja ne Shqipëri është shume e rende dhe për këtë përgjegjësi, sipas tij ka Rama.

“E keqja vetëm shkatërron. Tetë vjet shkatërrim shteti, të institucioneve demokratike, shkatërrim të lirive dhe të drejtave. Tetë vjet papunësi, largim masiv të shqiptarëve. Tetë vjet Europa ka qenë kundër Edi Ramës për shkak të krimit dhe korrupsionit.

Duhet të presim dhe katër vite të tjera? Kjo do t`a çonte Shqipërinë në një moment që do të ishte e vështirë për t`u rikthyer. Do t`a çonte kombin në një moment shumë të vështirë për t`u rindërtuar dhe për të bërë atë që është më e mira.

Lirinë, jetën, ndërtimin e lumturisë, na i ka falur dhe na i ka dhënë Zoti dhe ne nuk mund t`i lëmë peng të Edi Ramës apo kujtdo lideri politik të një regjimi të korruptuar, se kemi një përgjegjësi të madhe përballë fëmijëve tanë, të ardhmes së tyre, kemi përgjegjësi të madhe përballë prindërve tanë, për atë që ata kanë bërë për ne. kemi përgjegjësi të madhe përballë vetes sonë, në qoftë se besojmë se jemi njerëz të zotë dhe të aftë.

Prandaj besoj që Partia Republikane është parti e vlerave dhe krijon me Partinë Demokratike një mozaik të jashtëzakonshëm, të vlerave politike të së djathtës. Partia Republikane është partia që beson tek prona private, si themeli i ndërtimit të ekonomisë së një vendi.

Mbi çdo politikë, mbi çdo interes , ne duhet të kuptojmë se, si politikanë të së djathtës, interesi kombëtar është interesi ynë primar, është interesi ynë madhor dhe kjo është pika e parë e Partisë Republikane.

E dyta, ne duam një qeveri që e zgjedhim vetë dhe respekton liritë dhe të drejtat tona, një qeveri që nuk na mbivendoset duke na shtypur dhe shfrytëzuar, duke na vjedhur dhe abuzuar, por që na krijon shanse dhe mundësi për t`a krijuar të ardhmen tonë në Shqipëri”, u shpreh Mediu.