MENU
klinika

U largua nga Kongresi Amerikan

Presidenti mesazh mirënjohje për Eliot Engel: Avokat i palodhur i shqiptarëve

04.01.2021 - 11:12

Presidenti Ilir Meta ka shprehur mirënjohjen për kontributin që kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën.

Pas lajmit për largimin e tij nga Kongresi Amerikan, Kreu i Shtetit në një postim në Facebook thotë se Engel ka qenë një avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan. Meta shpreh bindjen se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

“Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike.

Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor.

Jam i bindur se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, shkruan Meta.