MENU
klinika

Bedri Islami: 25 Prilli dhe oligarkia politiko-financiare

Shqipëria e vogël e luksit, përballë Shqipërisë së madhe, të plaçkitur…

14.01.2021 - 15:40

Ditët e fundit, sidomos në media sociale dhe ato të opozitës, por jo vetëm këtu, është ngritur një valë e madhe rreth një dreke në Dubai, ku dy ministra dhe disa funksionarë të tjerë, sëbashku me biznesmenin e njohur Samir Mane janë filmuar duke ngrënë dhe pirë në një nga lokalet më të shtrenjta të atij vendi.

Pyetjet u ngritën rrufeshëm: kush vajti, pse vajti, me se vajtën, çfarë duan aty, çfarë hëngrën, sa kushtoi dreka, kush pagoi, pse kishte verë në tavolinë, sidomos në një vend ku vera dhe alkohooli janë rreptësisht të ndaluara; çfarë aferash fshihen pas kësaj dreke, ishte dreka e vonuar apo dreka paradhënëse; çfarë lidhje ka mes drekës dhe enigmës së portit të ri të Durrësit dhe një firme arabe, që do të ndërtojë 2 mijë apartamente në Durrës; çfarë u bisedua dhe me cilët është biseduar; përse zonja Balluku rri aty kur Shqipëria po përmbytet e deri tek sa kushton një biftek në këtë restorant luksoz.

Në debat hyri edhe shefi i qeverisë, i cili, pasi e quajti rutinë të gjithë këtë mesele, që në fakt të kujtonte llupësit gargutianë, në vend që të shuante debat, e ndezi edhe më shumë atë.

Opozita bëri kujdes të fshinte nga video e publikuar portretin e biznesmenit Mane, të cilin e quan oligark kur është ajo vetë jashtë pushtetit dhe e mban si bir të dashur kur është në qeverisje. E gjithë përleshja me “ lojën luftrash” të opozitës me oligarkët fshihet pas këtij shembulli.

Zhurma ende nuk është shuar dhe do të ringrihet rishtas, sa më shumë të afrojë dita e zgjedhjeve të 25 prillit e pastaj, me siguri do të harrohet. Si shumë afera të tjera, që, edhe pse kanë qenë mijra herë më të mëdha, më abuzive dhe më të pështira, tani janë në harresën e përgjithshme, një veti apo tipar kombëtar i yni. Ne harrojmë vazhdimisht…

“Bifteku në pjatë” është vetëm njëra pamje e asaj që ndodh në këtë vend. Ajo më u dukshmja në këtë moment, kur bifteku në një restorant në Dubaj kthehet në armë zjarri, baruti i së cilës është ndezur këto ditë, por që dëshmon shumë përtej saj.

Në “ pjatën” e politikës dhe të oligarkisë politiko – financiare të lidhur me të është vënë e gjithë Shqipëria. Ajo është shkyer dhunisht, është hedhur tutje si leckë, është plaçkitur, është djegur, është grabitur, dhe është sot e shndrruar në pasuritë e mëdha të një klase politik,e që në fakt duhej të ishte, në një përmasë të madhe, objekt i SPAK-ut, ama i një SPAK-u të vërtetë, serioz, të ndershëm dhe, mbi të gjitha, të guximshëm.

Më shumë se gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve u flakën nga sistemi i drejtësisë dhe shumica e tyre për shkakun e pasurisë së paligjshme.Edhe ata që kanë mbetur janë aty pasi struktura e ngritur për Vetingun ka mbyllur njërin sy dhe nuk dëgjon nga njëri vesh.

Këto prokurorë dhe gjykatës kanë vendosur në “ pjatën” e tyre pasuri marramendëse dhe, jo befasi, të fshehura pas arsyeve bajate. Të gjithë këtyre, njërit e tjetrit, pasurit: apartamente, prona, toka, vila, dyqane, garazhe u janë bërë nga dhurata dhjetra e dhjetra mijra eurosh nga kunetër, vjehërr e vjehrra, të cilët për vete jetojnë si njerëz të zakonshëm, ose jetojnë jashtë shtetit , ku në shumë raste u duhen mbiorë pune për të mbijetuar.

Reforma në Drejtësi, nisur prapsht, sipas një liste idiote, nuk shoshiti e nuk po shoshit ata që kanë pjatën e madhe të përvetësimit, gjongjonërit e alarupët e drejtësisë, të cilët diheshin e tregoheshin me gisht se si i kishin vënë pasuritë; nuk goditi që në fillim kokat që kishin bërë ligjin, por u la hapësirë disa vite kohë për të bërë përsheshe të tjera dhe, kur u erdhi dita, për të pasur gjykimin e tyre, dhanë dorëheqjen nga sistemi dhe shpëtuan nga Vetingu.

Ku është parë që një gjyqtar apo prokuror, qoftë edhe njeri i zakonshëm, pasi ka vjedhur e mashtruar, ka përvetësuar e përfituar, të thojë se nuk dua të hetohem për krimet që kam bërë dhe drejtësia e re të rri në heshtje. Të tjerë, pasi kishin vënë grumbuj “ pjatash” para vetes, si zonja Fullani, bënë sikur u larguan, për t’u rikthyer, kësaj here pa Veting, si të ardhur rishtas.

Kush do ua heqë këtyre të përjashtuarve nga Vetingu “pjatën e biftekut” milionësh, ndaj të cilëve heshtim, na duket gjithçka normale, e besueshme dhe e pranuar.

Një biznesmen- pushtetar i kapur në trafik droge në Kosovë,edhe pse largohet nga detyra prej shefit të qeverisë, rikthehet nga Gjykata Kushtetuese, që ishte vetë shëmbëlltyrë e dështimit; mosdeklarime pasurie prej 30 milionë eurosh amnistohen nga financat e shtetit, sepse u vjen një vendim gjykate…

Në Shqipëri janë ngritur dhjetra resorse moderne, të shtrenjta, për të cilat as nuk mund të ëndrrojë një njeri i zakonshëm; vila me vlera astronomike janë pronë e njerëzve të politikës, në të dy krahët, të gjykatësve, punonjësve të policisë, të doganave, dhe të një klase të re oligarko – politike.

Një ministër për të blerën ëj vilë të tillë duhet të vendosë pagën e 40 viteve , por e bën pas disa muajve…

Në Shqipëri ka me dhjetra institucione për kontrollin e pasurisë; ka ligje dhe vendime, janë thirrur në ndihmë ekspertë të njohur ndërkombëtarë, institucione të posaçme kanë ndihmuar në ngritjen e tyre, e përsëri, asgjë nuk ndodh. Në ditët e ndërrimit të qeverive hakerohen ose bëhet sikur hakerohen sistemet e doganeve, ku humbin disa qindra milionë dollarë; shkatërrohen prova dhe dosje të tëra zhduken; askush nuk e di se me çfarë janë blerë pasuritë e mëdha të paluajtshme dhe si justifikohen ato; strukturat e financës janë kthyer në gogol për bizneset e vegjël, por përkëdhelës për hajdutët e mëdhenj.

Kapot e politikës, që na e kanë zvetënuar këtë vend jetojnë në vila luksoze; secili prej tyre ka në pronësi vendbanime të pazakonta dhe askush nuk e di se sa kushton njëra prej tyre.

Shefi i qeverisë duhet të ia kishte filluar i pari: sa kushton vila e tij në Surrel; që nga toka e blerë, tatimet e paguara, detyrimet e shlyera, paga e punëtorëve, harxhimet deri në hollësi që pastaj të ketë të drejtën morale t’u thojë të gjithëve: ejani e kontrolloni tek unë, që shteti të ju kontrollojë ju të tjerëve.

Si mund të besohet një shef opozite që thotë se banon me qira në dy vila luksoze dhe nuk tregon se kush është pronari i vilës, sa është qiraja që paguan, çfarë ndodh me dy katet që ka lënë bosh në njërin nga pallatet më të shtrenjta të Tiranës; si mund të jetë i besuar kur media shkruan edhe për dy vila të tjera në bregun e detit, makinë më të shtrenjtë se 100 mijë euro?

Çfarë shembulli mund të sjellë një opozitar që fsheh pagesat e zakonshme, të detyrueshme në çdo vend të botës?

A do i shkohet pas ministrave të Rilindjes që dihet se janë ndër njerëzit më të pasur në këtë vend dhe këtë e quajnë meritë, sa përqeshin edhe një grua zonjë, shqiptare e Kosovës, që duke qenë ministre e Arsimit , nuk bëri pasuri?

Askush nuk e di se sa kushton vila e familjes Meta, video e së cilës u zhduk nga qarkullimi sepse i ngjante atyre të sheikëve arabë, me luksin, kapadaillëkun dhe pasurinë që e bënin moderatoren të i shkëlqenin sytë?

Pasunarë janë edhe vemjet e partive të vogla, që , edhe pse nuk kanë asnjë peshë në politikën shqiptare, duke e dredhur bythën herë majtas e herë djathtas, bëhen ministra, edhe kur janë hajvanë nga sektori që mbulojnë, bëjnë pasuri dhe shesin dëngla sikur janë çatia e botës. Shteti u vendos atyre në “ pjatë biftekun” e tyre, që kushton miliona!

Këto duken të zakonshme, por qindra afera korruptive fshihen pas tyre dhe , sado të mundohet Kontrolli i Lartë i Shtetit, dje dhe sot, për t’i denoncuar, rreth shtetit është krijuar një oktopod i fuqishëm, para të cilit, ajo dreka në Dubai është qesharake dhe loj fëmijrore.

Por , kur shteti i vendos Bashkim Ulajt në dy pjata argjendi dy tenderë, secili nga 10 milionë euro, përmes një adolishenti, i cili , sapo merret vesh alibia e rreme zhduket pa gjurmë, dhe, në fund askush nuk përgjigjet për këtë, duke e kaluar gjithçka me një “ edhe në botë ndodhin këto gjëra”, përse na bën përshtypje një drekë në Dubai, ku nuk dihet se kush han e kush paguan?

Kur shteti merr me vete në delagacion biznesmenin më të fqishëm në vend dhe emrin e tij e fsheh edhe vetë opozita, atëherë çfarë rëndësie ka sa ka kushtuar një biftek në Dubai?

Ishte një kohë kur shqiptarët hapnin sytë tek dëgjonin raportet e Genc Rulit dhe të Blerim Çelës për abuzimet e antarëve të Byrosë Politike për mishin që kishin përdorur, agrumet që kishin ngrënë, pijet që kishin pirë, mollët që kishin porositur.

Këto të sotmit, mbledhur në disa “ blloqe”, nuk duan vetëm “ copa bifteku”, nuk duan vetëm “ viçin”, por të gjithë tufën.

Për të zgjedhur mes tyre jemi thirrur me 25 prill./ Dita

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Bedri Islami/ Terrori në Vjenë, një listë emrash dhe një dokument

Përfshirja e shërbimit sekret serb në përpunimin e të rinjve shqiptarë drejt radikalizimit