MENU
klinika

Europa League

Arsenal kalon me vuajtje, eliminohet Napoli

25.02.2021 - 21:02

Arsenal mori një fitore dramatike 3-2 kundër Benfica-s në ndeshjen e kthimit të 1/16-ave të Europa League. Topçinjtë siguruan kualifikimin në 1/8-at falë një goli të Pierre-Emerick Aubameyang në minutën e 87-të.

Dy gola për ish-sulmuesin e Milan-it dhe dy asiste për talentin Saka. Ka qenë pikërisht një kombinim magjik i dyshes së mësipërme që ka zhbllokuar takimin në minutën e 21-të.

Portugezët barazuan në të 43-n me një super goditje dënimi të Goncalves dhe kanë përmbysur rezultatin në të 61-n me Silva-n, pas një gafe të Ceballos. Skuadra e Arteta-s është kundërpërgjigjur në të 67-n me Tierney, para se kombinimi i radhës Saka-Auba t’i dhuronte kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 4-3.

Ndwrsa Napoli është treguar i pafuqishëm në sfidën e kthimit ndaj Granadës dhe nuk ka shkuar më shumë se fitorja 2-1, duke u eliminuar pas humbjes në ndeshjen e parë me shifrat 2-0. Një kualikim historik për Granadën që në debutimin në kupat e Europës arrin të prekë fazën e 1/8-ave.

Ndeshja nisi e bukur dhe me një Napoli që ndezi shpresën pas vetëm 3 minutash me anë të Zielinskit. Polaku shënoi pas një marshimi gati 50 metra, ku mposhti portierin mik me një goditje të bukur. Sidoqoftë, Granada reagoi në minutën e 25-të me anë të Montoros.

Ky i fundit shënoi me një goditje me kokë, duke i dhënë një goditje të rëndë napolitanëve. Fabian Ruiz shënoi golin e 2-1, por ishte i pamjaftueshëm për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë. Kështu, Napoli eliminohet nga Granada, me spanjollët që avancojnë për më tej.

Në ndeshjet e tjera Ajax kaloi më tej pas një tjetër fitoreje 2-1 ndaj Lille, ashtu si Villareal që mposhti me të njëjtin rezultat Salzburg. Shakhtar Donetsk gjithashtu kaloi më tej pas triumfit 1-0 ndaj Maccabi Tel Aviv, ndërsa Rangers toi 5-2 ndaj belgëve të Antwerp.

Surpriza më e madhe e mbrëmjes ishte Molde, që mposhti 0-2 Hoffenheim në Gjermani, duke siguruar kalimin për më tej, pasi në ndeshjen e parë kishte barazuar 3-3, ku përmbysi një disavantazh 0-3.