MENU
klinika

Një histori magjepsëse

Autodidakt: gjeniu shpikës dhe biznesmeni i pamëshirshëm!

11.02.2021 - 13:55

        Udhëtimi i Tomas Edisonit, shpikësit të llambës elektrike dhe fonografit, drejtuesit të biznesit dhe themeluesit të kërkimit modern shkencor industrial, është vërtet burim frymëzimi. Rrugëtimi i tij të magjeps. Është një rrugëtim autodidakt, duke e shndërruar atë në shpikësin më të madh të të gjitha kohërave. I konsideruar si ati i kërkimit shkencor modern, Edison deopozituar 1 000 patenta në të gjallë, duke e shndërruar inovacionin një lajtmotiv të përhershëm. Në fund të shekullit të 19-të, shpikësi Tomas Edison ishte heroi i mirëfilltë amerikan, pionieri i shumë fushave (tingull, energji elektrike, telegrafi, kinema…). /Konica.al

Tomas Alva Edison lindi më 11 shkurt 1847, në Milan (Ohajo) dhe ishte fëmija i shtatë dhe i fundit i çiftit Samuel Edison Jr. dhe Nancy Elliott Edison, por do të ishte një nga katër që do të mbijetonte deri në moshim. Gjeniu u arsimua më së shumti në shtëpi, pasi e la shkollën në vitin 1859 për të punuar në hekurudhën Detroit-Port Huron, Miçigan, ku jetonte asokohe familja. Një ditë, kur u kthye nga shkolla, i dha të ëmës një letër, që ia kishte dhënë mësuesja. E ëma e e lexoi, ndërsa sytë iu mbushën me lot. I hutuar, Tomasi e pyeti se çfarë i shkruante mësuesja. Ajo e lexoi letrën me zë të lartë: “Djali juaj është gjeni. Kjo shkollë është shumë e vogël për të dhe ne nuk kemi as burime të mjaftueshme dhe as mësues të aftë për ta mësuar atë. Ju lutem, mësojeni vetë në shtëpi!”.

Shpikja më e madhe e Tomas Edisonit nuk ishte llamba elektrike, fonografi, apo fotografia lëvizëse, apo çdo gjë tjetër e prekshme, ishte mënyra e të menduarit për teknologjinë. Ide të shumta kishte pasur kohë më parë se të shpikeshin llambat elektrike, mirëpo nga të gjitha idetë që u shndërruan në shpikje, vetëm llamba u bë simbol i ideve. Ajo që e bëri llambën një imazh kaq të papërmbajtshëm për idetë nuk ishte vetëm shpikja, por shpikësi i saj. Bota do të ishte shumë më e errët pa llambat e Tomas Edisonit. Ishte ai që i shpiku, por nuk u ndal këtu, sepse ne i detyrohemi atij më shumë se 1000 shpikje, duke përfshirë fonografinë e tij të preferuar, të zhvilluar në 1877, me ndërtimin e fonografit të parë të vërtetë të aftë për të regjistruar dhe për të dëgjuar sërish zërin e njeriut dhe tingullin. Patentën e parë e shiti në moshën 22-vjeçare, nga e cila mori 40 000 dollarë për përsosjen e një aparati për transmetimin e kursit të bursës. Ky ishte fundi i “skamjes”. Më pas, shpikësi në lulëzim hapi fabrikën e parë për pajisje telegrafike në Nju Xhersi. Punëtor i palodhur, ai u thotë kolegëve: “Gjeniu është 1% frymëzim dhe 99% djersitje”, por megjithatë e gjen kohën të martohet. Në fund të jetës, do të kishte një perandori industriale me 35 000 të punësuar, gjë që ndihmoi për ta sjellë botën në epokën audiovizive./Konica.al

Tomas Alva Edisoni dëgjonte me dhëmbë, pasi shpikësi i fonografit ishte plotësisht i shurdhër nga njëri vesh dhe mezi dëgjonte në tjetrin, rezultat i një sëmundjeje misterioze në fëmijëri. Në 1879, themeluesi i “General Electric”, depozitoi patentën për llambën elektrike shtëpiake. Në 1882, “Edison Electric Company” i Tomas Edison themeloi centralin e parë elektrik në botë bazuar në 6 gjeneratorë “Jumbo” më 4 shtator për të prodhuar rrymë të drejtpërdrejtë në qarkun Wall Street të Manhatanit, me një kapacitet prej 1 200 llambash për të ndriçuar 85 shtëpi, zyra apo dyqane. Në periudhën kur përsosi llambën inkandeshente me djegie të gjatë, ai njihej tashmë. Brenda një dite, në 1888, ai shkroi njëqind e dymbëdhjetë ide, pra mesatarisht gjatë gjithë jetës së tij, ai patentoi diçka afërsisht çdo njëmbëdhjetë ditë. Sigurisht, që ishte llamba dhe fonografi, por edhe kinetoskopi, makina diktuese, bateria alkaline dhe njehsori elektrik, etj. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ai zhvilloi industrinë kimike, duke i ofruar ushtrisë amerikane pajisje të shumta për të pajisur nëndetëset.

Pas disa vitesh beteja të ashpra ligjore me konkurrentët e tij në industrinë e filmit, Edison e kishte ndaluar punën me filmin deri në vitin 1918, ndërkohë kishte korrur sukses në zhvillimin e një baterie alkaline, të cilën fillimisht e përdori si burim energjie për fonografin, më vonë për të furnizuar nëndetëset dhe automjetet elektrike. Në vitin 1912, prodhuesi i automjeteve Henry Ford i kërkoi Edisonit të projektonte një bateri për vetëstartuesin, i cili do të prezantohej në ikonën Modeli T. Bashkëpunimi filloi një marrëdhënie të vazhdueshme midis dy sipërmarrësve të mëdhenj amerikanë. Përkundër suksesit relativisht të kufizuar të shpikjeve të mëvonshme, Edisoni vazhdoi të punonte deri në të 80-at. Ngritja e tij nga punëtori i varfër, i pashkolluar i hekurudhës në një nga njerëzit më të njohur në botë, e bëri atë një hero popullor. Më shumë se çdo individ tjetër, atij i atribuuojmë ndërtimin e kornizës për teknologjinë moderne dhe shoqërinë në epokën e energjisë elektrike.

Shpikësi i famshëm vdiq mes lavdisë, më 18 tetor 1931 në West Orange. Tashmë, ai kishte  grumbulluar një rekord prej 1 093 patentash: 389 për dritë elektrike dhe energji, 195 për fonograf, 150 për telegrafin, 141 për akumulim baterish dhe 34 për telefonin. Tri ditë pas vdekjes, në shenjë homazhi, Shtetet e Bashkuara u zhytën në errësirë ​​për një minutë./Konica.al

 

 

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’

Nderimi i Kadaresë/ Vjen dhe reagimi i Thaçit

“Vlerësim i lartë ndërkombëtar për gjeniun e letrave shqipe”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen