MENU
klinika

Rilindja Kombëtare

De Rada poet, politikan, atdhetar…

28.02.2021 - 12:10

       Lindi më 1814, në Makia të Kalabrisë, Itali. Mësimet e para i mori në Kolegjin e Shën Mitër Koronës. Njëzetvjeçar shkon për studime në Napoli për jurisprudencë, ku dallohet për pjesëmarrjen aktive në lëvizjen politike e kulturore të kohës. Ishte 34 vjeç, një moshë krejt e re, kur botoi e drejtoi të parën gazetë shqiptare nën titullin “L’Albnese d’Italia” (Shqiptari i Italisë S. R). Ky akt i lartë, dëshmon sa patriotizmin edhe dhuntitë intelektuale.

Më 1848, Jeronim de Rada i zhgënjyer nga dështimi i revolucionit të atij viti, tek i cili, si shumë bashkëshokë, pati shpresuar shumë, në trishtim të plotë e të thellë, e gjykoi të formës së prerë të mbyllë gazetën. Shkoi në fshatin e lindjes për të qëndruar deri në fillim të viteve 1860. Për dymbëdhjetë vjet rradhazi jetoi i shkëputur nga rrethet patriotike, gati i deziluzionuar, por jo i tërhequr nga veprimtaria intelektuale, tek e cila gradualisht gjeti motivim, shpresë e gjallëri. I entuziazmuar nga Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në l861 merr gjallëri të veçantë jo vetëm në lëmin e politikës, por edhe të krijimtarisë letrare. Boton librin “Parimet e estetikës”, një botim i rrallë për nga zhandri e sidomos për nga mënyra sesi e trajton këtë problem jo dhe kaq të lehtë me të cilin nuk mund të integrohet kushdo. Pas tre vitesh botoi librin “LASHTËSIA E KOMBIT SHQIPTAR”. Më 1866 boton librin “Rapasodi e një poeme arbëreshe”. Por, më së shumti i kushtohet përfshirjes në lëmin e politikës. Mban korenspodencë të rregullt me mjaft patriotë shqiptarë, me të cilët debaton për problemet që shqetësojnë kombin; hyn në lidhje të rregullta me personalitete kulturore evropiane, por dashamirës të Shqipërisë, bashkarisht me të cilët propogandon çështjen e drejtë shqiptare; merr pjesë aktive në rrethe të ndryshme kulturore e patriotike, duke shfrytëzuar kështu çdo hapësirë për të shpalosur historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Është një periudhë e tejmbushur me veprimtari patriotike por edhe shkencore.

Bashkëkohësit pohojnë se De Rada harrohej pas punëve të shumta, duke sakrifikuar tepër nga jeta personale e nga kujdesi për shëndetin e tij. Në vitet 1883-1887 boton revistën e parë shqiptare “Flamuri i Arbrit”, ashtu sikurse vijon lidhjet e rregullta me drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Njëherësh mbron si rrallëkush çështjen shqiptare, duke evokuar jo vetëm të kaluarën e lavdishme të largët, por edhe qëndresën e gatishmërinë e popullit për të mbrojtur me çdo sakrificë trojet, nderin dhe lirinë e tij. Më l902, boton librin me titull “Testamenti politik”, përmes të cilit shpreh optimizmin e tij për të ardhmen e atdheut të të parëve të tij. Vdiq më 28 shkurt l903, në vetmi dhe varfëri të dhimbshme, kur ishte 89-vjeçar.

Fundjetën e hidhur, trishtimin për këtë fat të helmët të mësuesit të tij të madhërishëm dhe të respektuar, e përshkruan nxënësi i tij Luigj Gurakuqi, në takimin e parë që pati me De Radën në Kolegjin e Shën Adrianos të Shën Mitër Koronës më l889, trembëdhjetë vjet para se De Rada të ndërronte jetë. Gurakuqi, që njihte dhe vlerësonte madhështinë e poetit, të intelektualit, të atdhetarit dhe të pedagogut të spikatur, kur u takua me atë mbeti i zhgënjyer pas atij kontrasti të madh mes madhështisë dhe veprës deradiane dhe jetesës së përvuajtur të tij. Prandaj edhe shkroi me dhimbje të thellë shpirtërore, por edhe me revoltë krejt të bazuar dhe moralisht të qëndrueshme, përmes të tjerash: “…Realiteti i ashpër shumë larg nga ideja e lartë dhe madhështore që kisha krijuar për gjendjen e poetit të pavdekshëm, m’i mpiu për një çast ndjenjat dhe më errësoi kujtesën: nuk arsyetoja më, më dukej sikur isha në ëndërr…. Duke e parë atë të varfër e plak, aq të dërrmuar e të këputur, por gjithnjë krenar e të fortë, e plot besim e guxim në zemër; duke parë syrin e tij të trishtuar e të lodhur të ndriste në çast dhe të lëshonte rreze drite të fortë dhe fytyrën e tij të hequr e të zbehtë të gjallërohej e të ndizej, u largova i mallëngjyer e plot admirim, duke mallkuar padrejtësinë e njerëzve dhe ashpërsinë e fatit që kënaqej të merrte nëpër këmbë të mëdhenjtë e të ndershmit dhe t’ua mbushte jetën me vuajtje e hidhërime…”, përfundon patrioti, Luigj Gurakuqi.

De Rada – themeluesi i publicistikës shqipe

Krijimtaria e De Radës është e gjerë dhe e pasur në: publicistikë, gjuhësi dhe krijimtari letrare. Në publicistikë bëri emër me botimin e një gazete dhe të një reviste, që janë të parat e këtij lloji edhe brenda vendit tonë. Kështu, De Rada mbetet themeluesi i shtypit shqiptar jo vetëm si nismëtar, por edhe si profesionist në këtë fushë. Gazeta “L’Albanese d’Italia” u botua në tridhjetë e shtatë numra, por me ndërprerje, nga 23 shkurti deri në 3 qershor të vitit 1848, në Napoli. Është e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar me përmbajtje politike, shoqërore dhe letrare. Jepte informacion për ngjarjet e ndryshme politike të kohës, si në Itali ashtu edhe në vende të tjera të Evropës. De Rada gjeti rastin të botojë edhe disa pjesë nga poema e Anton Santorit “Vallja e garesë së madhe”, por edhe nga poema e tij “Këngët e Serafina Topisë”. Hera-herës shtron problemin për njohjen e të drejtave të arbëreshëve për gjuhë dhe shkollë shqipe. Është me interes fakti, që gazeta pjesërisht botohej edhe në gjuhën arbëreshe. Ishte një gazetë e organizuar, profesionale, pikërisht për këtë aresye u bë mjaft e lexueshme. Edhe pse gazetë, që i përket gjysmës së parë të shekullit XIX, u rreshtua krahas shtypit të kohës jo vetëm për problematikën që trajtonte, por edhe për nivelin e saj mjaft të mirë. Edhe me vonë, ajo shërbeu si traseja ku do të ecnin simotrat e saj në të ardhmen.

Në publicistikë, De Rada kontribuoi edhe me botimin e revistës “Fiamuri i Arbrit”, numri i parë i së cilës doli më 20 janar l883, për t’u mbyllur më l887. Ishte një reviste e përjavshme me rubrika politike, shoqërore, kulturore, letrare, e botuar në gjuhën arbërishte dhe italishte. Autori gjeti mundësinë të pasqyrojë në të mendimin e personaliteteve arbëreshe, të cilët, luajtën rol të rëndësishëm për ekspozimin e Shqipërisë në Evropë, si një vend me popullsi dhe tradita të lashta: me ndjenja të spikatura patriotike për mbrojtjen e çështjes së tij, sidomos për të ruajtur tërësinë territoriale. Revista shërbeu si tribunë për mjaft intelektualë dhe patriotë shqiptarë, për të thënë sa me patos patriotik aq edhe me argumente shkencore të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në rubrikën kulturore rrahu mendimin për përhapjen e arsimit dhe të gjuhës shqipe në të dy brigjet e Adriatikut, duke luajtur njëherësh rolin e misionarit të unifikimit të gjuhës së përbashkët, sa më letrare. Revista u botua në Koriliano Kalabro, ndërsa shtatori 1885 në Kozencë. Për nga mënyra e paraqitjes së problematikës, nga ana e problemeve që merrte përsipër të trajtonte, nga profesionalizmi, e të tjera, mbetet edhe në ditët tona, modeli i një reviste bashkohore, problemore dhe grishës

Krijues letrar dhe shkencëtar

Në gjuhësi, De Rada dha kontribut jo vetëm si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetra vjet, por edhe përmes veprimtarisë së mirëfilltë si gjuhëtar. Në vitet l870-l884, boton punime shkencore mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, si dhe për strukturat gramatikore të gjuhës shqipe. Janë dy punime që japin të dhëna shkencore për të folmet arbëreshe. Punimet e De Rades në këtë fushë kanë shërbyer si argumente të besueshme për studiuesit e mëvonshëm të gjuhës shqipe.

Me nismën e tij organizoi dhe drejtoi punimet e dy kongreseve gjuhësore të shqipes në harkun kohor 1895-1897, kur ai ishte i formuar dhe i pjekur plotësisht si gjuhëtar. Sentencat e De Radës për problemet gjuhësore mbeten edhe në ditët tona, si pika referimi e studimi. Ai bëri përpjekje të lavdërueshme për të hartuar një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe, një domosdoshmëri e asaj kohe.

Por, De Rada shkëlqen sidomos në fushën e krijimtarisë letrare. Është më madhështori dhe më elokuenti midis dhjetra arbëreshëve, të cilët kanë botuar aq vepra letrare me vlerë për letërsinë shqipe. Filloi të krijojë që herët, dhe nuk rreshti së shkruari deri në ditët e fundit të jetës. Por u bë i njohur sidomos me veprat që i kanë rezistuar kohës. Më l861, kur ishte i pjekur intelektualisht, botoi librin “Parimet e estetikës”, ku shpalos mendimin e tij estetik për krijuesin. Është i rrallë dhe krejt origjinal në llojin e vet.

Parimet që trajton me aq profesionalizëm, qartësi dhe kompetencë shkencore, por edhe krejt kuptueshëm, shërbejnë si metodë studimi e krijimi jo vetëm për studentët e kësaj fushe, por edhe për të tjerët. Me këtë vëllim ai zë vend të nderuar midis estetëve evropianë. Në vitin 1864 boton librin “Lashtësia e Kombit Shqiptar”dhe pas dy vjetësh librin “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, me të cilat më së shumti si historian, publicist e atdhetar, synon të propogandojë çështjen kombëtare shqiptare. Por, gjithsesi, janë të rrallë ata që e mbrojnë çështjen kombëtare shqiptare me kaq këmbëngulje, guxim e profesionalizëm.

Ishte vetëm 22 vjeç, kur boton librin “Këngët e Milosaos”, një poemë liriko-epike me përmasa ndërballkanike. Kemi të bëjmë me një histori të thjeshtë dashurore të dy të rinjve, të cilët, për shkak se vijnë nga klasa të ndryshme shoqërore, munden të bashkohen me shumë vështirësi. Poema përshkohet nga ideja se, mbi të gjitha qëndron detyra ndaj atdheut dhe gatishmëria e shtetasve të tij për ta mbrojtur atë me çdo kusht e sakrificë, duhet të jetë gjithëkombëtare. Milosao, nën apelin e Kombit, shkoi në fushën e nderit dhe i plagosur, pasi puthi Flamurin Kombëtar, u shkëput nga kjo jetë i kënaqur se kishte kryer detyrën kundrejt atdheut. Gjatë viteve 1838-1843 punon me këmbëngulje për të përfunduar poemën “Serafina Topia”.

Në qendër të poemës është subjekti i njohur i dashurisë së dy të rinjve, një dashuri fatkeqe sikurse e ndeshim në mjaft botime të kohës edhe në vende të tjera të Evropës. Këtë subjekt autori e përpunon edhe më vonë, dhe në vitin 1898 boton librin “Pasqyra e një jete njerëzore”, ku përveç linjës së dashurisë midis dy të rinjve fut e ngërthen edhe linjën e luftës kundër pushtuesit të huaj osman.

Për veprën më të rëndësishme, poema e gjatë “Skënderbeu i pafan”, De Rada punoi midis vitit 1837-1896, pra gati 16 vjet pune sistematike.

Në këtë vepër madhore përfshin edhe mjaft nga këngët dhe poemat e botuara më parë, duke dhënë një tablo të plotë të jetës së popullit shqiptar gjatë “Shekullit të lavdisë së madhe”, pra, të shek. XV. Autori evokon të kaluarën e lavdishme, një linjë e njohur kjo në vazhdën e Rilindjes Kombëtare; por shpreh edhe dëshirën e kombit të tij për të jetuar në liri dhe i pavarur. Figura e Skënderbeut jepet e plotë, ai është një burrë shteti i mençur e trim, cilësi që i krijuan mundësinë të bashkojë kombin në qëllime e veprime të përbashkëta, duke shpëtuar kombin për 28 vite nga pushtimi osman, si dhe Krishtërimin evropian nga mësymja osmane.

Jeronim De Rada ishte themelues i letërsisë dhe të kulturës arbëreshe; publicist, folklorist dhe filolog i apasionuar i shqipes. Ai ishte poeti i talentuar e me diapazon të gjerë; patriot, mik i intelektualëve dhe themeluesve të Rilindjes tonë Kombëtare; njeriu që u vlerësua dhe u çmua nga rrethet letrare dhe politike të Ballkanit dhe Evropës; shqiptari i vërtetë dhe i nderuar.

MILOSAO

Fryjti era e maleve dhe rrëzoi hien e lisit.
Gjaku im te Lumi i Vodhit.
Hapeni shatoren,
o ushtarë, që të shoh
Shkodrën edhe time motër
te dritareja kundruall.
Atje nuk do zgjohem më
luleve që i tund era
si suvalë e pasosur.
Mblidhen shokët mbrëmanet
në katund, në vatërët. –
I lashë si ëndërrëz.
Mbaroi Milosaoja.

***

Jeronim De Rada, Këngët e Milosaos, Kënga XXX
Fotografia kryesore: Gravurë e Shkodrës, 1874