Ende nxënësit shqiptarë, mësojnë nga libra me përmbajtje që nxisin urrejtjen. Bëhet fjalë për librin e gjeografisë së vitit II, ku thuhet se shqiptarët kanë qenë maqedonas dhe se, me pranimin e fesë islame janë shqiptarizuar./Konica.al
Reagon koalicioni ASH-AAA, kërkojnë përgjegjësi nga ministrat e BDI-së që kanë lejuar këtë përbuzje.
“Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin veten si autokton, kryesisht ato janë popullsi maqedone që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe nga ndonjë fis që e ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”, – thuhet në librin e gjeografisë.
Kjo është vetëm një pjesë e tekstit që mësojnë nxënësit e vitit të dytë, të shkollës së mesme.
Përkundër premtimeve të shumta nga drejtues të Ministrisë së Arsimit e që pas 2002 kanë qenë shqiptarë, për përmirësimin e gabimeve flagrante në shumë tekste shkollore, libri i gjeografisë i botuar në vitin 2002, me autorët: Dragan Vasileski, Bllagoja Markoski, Nikolla Panov, Nikolla Dimitrov e Gjorgji Pavllovski, vazhdon të ribotohet me të njëjtën përmbajtje.
Fatmir Amiti, profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku”, thotë se nxënësve u shpjegon që ky tekst është tendencioz.
Muaj më parë, ministrja e Arsimit, Carovska, premtoi ndryshime sistemore në përgatitjen e materialeve mësimore, prej muaji mars të këtij viti.
“Me heqjen e disa librave nga përdorimi, nuk do të kryejmë punë. Punë do të kryejmë vetëm derisa kemi koncept të ri të materialeve didaktike, në metodologji, ku do të marrin pjesë njerëz të cilët, me të vërtetë do t’i shohin të gjitha aspektet e jetesës në shoqëri dhe nuk do të jenë të fokusuar vetëm në temën e tyre. Librat në vendin tonë, janë në nivel të ulët dhe këtë, të gjithë ne e dimë. Që të kemi sistem gjithpërfshirës, që do të ofrojë libra kualitativë duhet të bëhet zgjidhje e re ligjore dhe metodologji e re, për vërtetimin e përmbajtjeve shkollore dhe materiale mësimore didaktike, kjo mund të arrihet vetëm me qasje sistemore”, – deklaroi për mediet Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës ( 29.10.2020).
Koalicioni ASH-AAA përmes një komunikate reagoi ashpër ndaj heshtjes së institucioneve për këtë çështje. Sipas tyre, kjo përbuzje institucionale është bërë me dijeninë dhe përgjegjësi të ministrave të BDI-së, që ndër vite kanë lejuar një denigrim të tillë ndaj shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Ky koalicion kërkon ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për librat shkollorë:
– Konceptimi i librave shkollorë për nxënësit shqiptarë, të realizohet nga autorë shqiptarë
– Konkursi për librat e rinj, të ketë formën ku do të pranohen minimumi, dy libra më të mirë nga dy gjuhët, që më pas të mund të gërshetohen temat nga komisioni multietnik, për cilësi më të mirë të librit.
Koncepti i librave shkollorë për nxënësit shqiptarë të realizohet nga autor shqiptarë, si dhe konkursi për librat e rinj të ketë formën ku do të pranohen së paku, dy libra më të mirë nga dy gjuhët, me qëllim që të mund të gërshetohen temat nga komisioni multietnik, për cilësi më të mirë të librit.