Kryetari i Partisë Republikanë, Fatmir Mediu ka diskutuar me përfaqësues të Këshillit Politik propozimet që kjo forcë i ka drejtuar Partisë Demokratike.
Sipas Mediut, ajo që ai i ka kërkuar Lulzim Bashës është që të mos neglizhohen logot e partive. Ai shprehet se koalicioni opozitar nuk është thjesht një përfshirje e partive politike te Partia Demokratike, por është një koalicion, ku qendra e këtij koalicioni është Partia Demokratike.
“Është shumë e rëndësishme që koalicioni të përfshijë logot e të gjithë partive përkatëse, me një emër koalicioni të caktuar dhe po ashtu, edhe peshën e partive politike në të gjitha qarqet dhe rajonet. Neglizhimi i peshës së partive politike apo strukturave të tyre organizative dhe elektorale, mendoj që është në dëm të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por edhe të suksesit elektoral, dhe po ashtu mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky koalicion, jo vetëm koalicioni rreth Partisë Demokratike, por dhe koalicioni me LSI-në, duhet të jetë një koalicion i cili qartësisht të ketë një platformë të qartë pro europiane, pro interesit kombëtar, në shërbim të punësimit, ndërtimit të institucioneve, zhvillimit normal të demokracisë, problemeve që na shoqërojnë sot, sidomos problemi i pandemisë dhe zgjidhjen sa më shpejtë të saj, e cila duhet të jetë si platformë, një platformë që orienton programi, qëllimet tona të përbashkëta”, tha Mediu.
Mediu u shpreh se momenti i nënshkrimit të një koalicioni nuk është thjesht një akt i përcjelljes së një dokumenti pranë KQZ-së, por përcakton dhe raportin politik dhe raportin elektoral.
“Dua ta ritheksoj; Partia Republikane nuk i ka kërkuar asnjë gjë Partisë Demokratike, por ka kërkuar vlerësimin e peshës elektorale të Partisë Republikane dhe kemi kërkuar që të kontribuojmë me kandidatët apo me strukturat tona, në mënyrë që deputetët, që mendoj janë deputetë të koalicionit dhe jo deputetë të njërës apo tjetrës parti, por të koalicionit opozitar, të gëzojnë mbështetjen në cdo qendër votimi të Partisë Republikane”, tha Mediu.