Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden anuloi të mërkurën një urdhër të paraardhësit të tij që bllokonte shumë aplikantë të kartës së gjelbër të hynin në Shtetet e Bashkuara.
Ish-Presidenti Donald Trump e lëshoi masën e ndalimit vitin e kaluar, duke thënë se ishte e nevojshme për të mbrojtur punonjësit amerikanë në mes të nivelit të lartë të papunësisë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Zoti Biden e hodhi poshtë atë arsyetim në një deklaratë të mërkurën që shfuqizonte ndalimin e vizave. Presidenti demokrat tha se ajo masë kishte penguar familjet që të bashkoheshin në Shtetet e Bashkuara dhe dëmtonte bizneset amerikane.
Demokrati Biden, ka premtuar të shfuqizojë shumë nga politikat e ashpra të imigracionit të zotit Trump. Grupet për mbrojtjen e imigrantëve kishin kërkuar javët e fundit që ai të hiqte ndalimin e vizave, i cili kishte afatin të skadonte më 31 mars.
Zoti Biden la në fuqi një tjetër masë që ndalon shumicën e punëtorëve të huaj të përkohshëm.
Në tetor, një gjykatës federal në Kaliforni bllokoi ndalimin e zotit Trump për ata punëtorë të huaj pasi prekte qindra mijëra biznese amerikane që e sfiduan atë vendim në gjykatë.
Curtis Morrison, një avokat imigracioni në Kaliforni, i cili përfaqëson personat e prekur nga ndalimi tha se zoti Biden tani do të duhet të trajtojë çështjen e një numri të madh kërkesash që janë zvarritur prej muajsh ndërsa pandemia ndërpreu pjesën më të madhe të procedurave nga Departamenti i Shtetit. Procesi mund të zgjasë me vite, tha ai.
Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment./VOA