MENU
klinika

Rama: Më 15 mars hapet hyrja e re e Tiranës

Si do menaxhohet trafiku? Vendoset rrethrrotullim në zonën e Astirit

08.02.2021 - 11:27

Nga 15 Marsi, pritet që trafiku i krijuar në zonën e ish-Sheshit Shqiponja të marrë një lehtësim me hapjen e tunelit katër, në të cilin do të kalojnë në një sens, të gjithë mjetet që vijnë nga Durrësi për në zonën e njohur si Pallati me Shigjeta.

Por kjo lëvizje do të jetë vetëm e përkohshme, pasi projekti në përfundim të tij do të bëjë që në tunelin katër tek ish -Sheshi Shqiponja do të lëvizin mjetet që duan t’i drejtohen Durrësit, nga Pallati me Shigjeta.

Lajmin e dha mbrëmjen e të dielës ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku e cila së bashku me kryeministrin Edi Rama inspektuan punimet në kantieret e ndërtimit.

“Sipas parashikimeve, e gjithë angazhimi të dorëzohet e do bëhet i kalueshëm në 15 mars do ta përdorim nga Durrësi për në Pallatin me Shigjeta, për një periudhë të shkurtër kohe deri sa të mbyllen të gjitha të tjerët”, tha Balluku.

Sipas drejtorit të ARRSH Ergys Verdho, pjesa e menaxhimit të trafikut “për ata që vijnë nga Pallati e Shigjeta dhe rruga “Dritan Hoxha”, do menaxhohet në një rrethrrotullim dhe mbi tunelin katër”.

“Po deklarojmë që për një muaj e pak ditë deri në 15 mars ne bëhemi gati për të kaluar këtu një pjesë të trafikut, pavarësisht se projekti këtë e ka parashikaur për fluksin nga Pallati me Shigjeta deri në Durrës ne do e përdorim për menaxhimin e trafikut deri në përfundimit total të projektit. Kemi pasur ankesa për trafikun e ngarkesën por duke qene se këtu punohet non stop ndoshta ka pyetje si punohet, këtu punohet me tre turne ndaj ka ecur ka shumë për përfundimin e tuneleve”, tha Balluku.

Ndërsa Verdho shpjegoi se “për një javë ne bëjmë menaxhimin e trafikut, vendosim rrethrrotullim te Astiri dhe e zhvendosim unazën te pjesa e Astirit”.

“Astiri, sa kohë e humbur kot, sa llogje e dëngla kot, sa peripeci e pengesa kot më kot, nga politika pa din e pa iman…”, shkruajti Rama për projektin në rrjetet sociale, ku publikoi dhe albumin e fotove nga kantieri i ndërtimit.