MENU
klinika

Berdi Islami: Buka e vjetër e opozitës, e thyer dhe e ngjitur...

Zgjedhjet e 25 prillit dhe çeta plakë e Lulzim Bashës

26.02.2021 - 12:03

25 prilli po vërvitet si fantazmë mbi politikën shqiptare. Do të jetë fushëbeteja më e ashpër e këtij lloji dhe, duhet thënë, askush nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja e saj.

Nga e majta – le të themi se është e majtë – do të jetë një forcë politike, ajo që edhe sot qeveris, e cila kërkon mandatin e tretë dhe që, prej gjysëm viti ka ndezur të gjithë motorët e pushtetit, të financës, të ngjeshjes së radhëve, afrimit të të fortëve, studimit të gjendjes.

Nga e djathta – le të themi se janë të djathtë – ditën e djeshme u sanksionua një aleancë e ditur, e përbërë nga një grumbull forcash politike, shumë nga të cilat janë Frymë të vdekura dhe, ku, dëshirat, përpjekjet, synimet, përparësitë e shpallura, lidhjet e fshehta e të hapura janë krejt të ndryshme dhe nganjëherë të kundërta, si ndodh mes partisë së Idrizit dhe të Dules.

Ditën e djeshme Basha ka mbyllur marrëveshje me të gjithë aleatët e tij, PBDNJ Vangjel Dule, Partia Drejtësi për Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, Partia Republikane e Fatmir Mediut, Partia Demokristiane e Nard Ndokës, Partia Agrare e Agron Dukës dhe Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar e Dashamir Shehut.

Një ditë më parë mbylli gjithashtu marrëveshjen me Artur Rroshin, drejtuesin e Partisë së Ballit Kombëtar, e tani, saktësohet se edhe Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit do të jetë pjesë e kësaj marrëveshje.

Në fakt nuk është asgjë tjetër, veçse Çeta Plakë e Lulzim Bashës, një trashëgimi politike nga pararendësi i tij, që, edhe atë çka po lodhet të paraqesë këto ditë, si një lider modern, i qetë, i kohës, “i vetmi” që nuk ka studiuar në kohën e komunizmit, por është diplomuar në Holandë, që gatuan me shumë piper, ndihmon plakat në rrugë për t’u mbajtë domatet, lexon libra për fëmijët nën moshën tre vjeç, do ia heqin pjesëtarët e kësaj çete, që, secili veç e veç e të gjithë bashkë, janë vetëm “buka“ e vjetër e opozitës, e thyer dhe e ngjitur, e revoltuar dhe e rikthyer, mallkuese dhe lutëse.

Asnjëri prej tyre nuk i duhet Lulzim Bashës. Te asnjëri prej tyre nuk gjendet frymë e re, mendim i ri apo vizion i ri politik. Secili është provuar dhe secili ka lënë pas vetes dëshmi dështimi.

Më tepër se prurje të reja, ata janë drunj të vjetër të politikës, që, as nuk u latzuan si duhet dhe as nuk mësuan gjë. Të prirë drejt pushtetit nga politika, të vetmuar në hallin e tyre dhe të mbetur prapa derës së Bashës për një qyqe vend, sepse ndryshe do të jenë askush, ata, sigurisht, nuk do të ndihmojnë në krijimin e imazhit të një opozite ndryshe, por pamjet e vjetra do të sillen të reja, kur nuk do të jenë asgjë tjetër, veçse xhaketat e kthyera prapsht.

Basha nuk kishte nevojë për asnjërin prej tyre, ose thuajse për asnjërin. I vetmi që i bën punë është Fatmir Mediu, jo vetëm se nuk ka ndërruar kurrë kah dhe as nuk ka dëshmuar gjëra të brendshme, por, në mos për asgjë tjetër, ai ka ende forcën të të hapë rrugë për institucionet e larta të SHBA, në Kongres dhe Senat dhe, nuk ke nevojë të harxhosh para për të takuar një kongresmen apo senator.

Të tjerët çfarë i duhen atij? Për një grusht votash?

Sa vetë do të ngurrojnë të besojnë tek njeriu që kërkon të sjell imazhin e një lideri ndryshe, kur të gjitha krahët e tij aleatë nuk anë gjë tjetër. Veçse parazitë të politikës, për të cilët një paçe në mëngjes është më e vlefshme se sa një mendim racional, ku nuk mund të flitet për vizion të politikës apo mendim ndryshe? Në fakt , shumë prej tyre janë shushunjat që i janë qepur politikës dhe mendojnë që tani për postet e ardhshme, nëse vijnë në pushtet, apo për marrëveshjet e mundshme nëse humbasin.

Vetëm për bindje politike nuk mund të flitet. Jo vetëm që nuk janë të djathtë, por as nuk e njohin atë; jo vetëm që nuk kanë forcë për të forcuar opozitën, por e zvarrisin atë.

Nëse sot janë në opozitën e së djathtës nuk e kanë bërë se kanë bindje, por se nuk i ka afruar Rilindja, që ka edhe ajo sektin e saj. Dhe që, në fund të fundit, duke qenë e vetme në pushtet, nuk e ka parë të arsyeshme t’i blejë, si i ka blerë , kur i janë dashur. Duke i shpërblyer me poste, me tenderë, me heshtje ndaj asaj që kanë bërë.

Nëse një ditë Edi Rama do të ketë nevojë për to, historia do të përsëritet.

A kishte gjë të re në të gjithë këtë që sapo ndodhi dhe që ishte e pritur?

Absolutisht, asgjë.

Asnjëri nga emrat e cituar, të cilët drejtojnë forca politike, nuk është i panjohur dhe asnjëri prej tyre, po ashtu, nuk bart shpresë.

Secili në veçantë dhe të gjithë në grup janë vazhdim i një politike të herëshme, të dëmshme dhe pa asnjë prosperitet. Të gjithë janë të provuar, shumica e tyre kanë dalë nga e njëjta portë ku po futen tani dhe , nëse kur kanë ikur vetja u është dukur si triumfatorë, tani mbetën si lypsarë pas dyerve të Bashës, për të gjetur një vend për veten e tyre në listat fituese.

Për asgjë tjetër.

Shumë prej tyre kanë qenë herë majtas e herë djathtas. Nard Ndoka, nga i së djathtës, u bë i së majtas dhe shkoi përsëri nga e nisi. Në rast se i propozojnë të jetë rishtas ministër i Shëndetësisë – një shenjë përdalluese se sa rëndësi i kushtonte qeveria Berisha sistemit shëndetësor – përsëri mund të kalojë. Asnjë problem nuk është. Njeriu që do të ishte i panjohur nëse nuk do të ishte pjesë e një politike puthadore do të jetë kandidat në një vend të sigurtë në Shkodër, duke spostuar Gurakuqin e mençur, si ndodhi katër vite më parë kur spostoi një profesoreshë universiteti. Shpëtim Idrizi, ndryshe nga Ndoka, e filloi majtas, pasi kishte qenë i deleguar në dogana e tatime, si njeriu i besuar i Nanos, pastaj kaloi djathtas, u rikthye te e majta, emëroi njerëzit e tij në postet e institucioneve plot bereqet, dhe tani përsëri nga e djathta. Asnjëherë çështja çame nuk ka qenë më e lënë pas dhe, nëse pret që do të ketë ndihmën e Dules për të zgjidhur pronat çame, atëherë, ose është naiv, ose përfitues i jashtëzakonshëm. Agron Duka e filloi i majtë, ministër i bujqësisë, edhe ai nga gjiri i Nanos doli, sipërmarrës i fuqishëm, askush nuk e di pse u zemërua me të majtën dhe shkoi tek e djathta. Nëse Nano bën thirrje, Duka mund të rikthehet, njëjtë si Idrizi. Një shenjë porte të hapur e kanë lënë që të dy.

Miqësitë e vjetra, sidomos pas posteve që u dhuroi ish shefi i qeverisë, vështirë të harrohen. Bamir Topi dhe Fryma e tij demokratike e filloi nga e djathta, synoi të kishte aureolën e partisë të së djathtës autoktone shqiptare, për më tepër përfaqësues i tiranësve të vjetër; askush tjetër sa Bamir Topi dhe partia e tij nuk u zemërua aq shumë me Berishën dhe nuk shkroi një libër aq të ashpër, libër që mund të jetë edhe krejt i vërtetë, për njeriun SB që e mori nga një Institut dhe e bëri president. Fryma kaloi disa kohë tek e majta, një aleancë mes dy “horave“ të bulevardit, si i kishte cilësuar Berisha, për më tepër puçistë; në zgjedhjet e para si forcë politike mori më shumë se 30 mijë vota, çka, normalisht do të kishte tre deputetë. Ligji nuk ia lejoi asgjë dhe katër vite më pas kishte diçka më tepër se 8 mijë votues. Dy nga “të revoltuarit“, Oketa dhe Biberaj, ikën, u kthyen te gjiri i “nënës“, pas Fryma qëndroi në heshtje, “pa frymë“ dhe tani u kthye përsëri aty ku ishte. Kryetari dhe themeluesi i forcës politike, Bamir Topi, dha dorëheqjen, si duket gjithçka ishte bërë pas kurrizit të tij, pasi 8 vite në opozitë kishte lodhur pasuesit. Do të ulë kokën Topi kur të bëhen listat për kandidatë, duke hyrë në rradhët e PD-së si i pavarur? Koha nuk është e largët.

Dule, përfaqësuesi shpirtëror i pranisë greke në Shqipëri, i zgjuar, e dinte se mund të ecte në rrugën e politikës vetëm me bekimin e prelatëve të lartë të Kishës së tij, ndaj e filloi si dhjaks, për të shkuar djathtas, kthyer majtas, rikthyer djathtas, për të qenë krahu i majtë i Idrizit, si do të jetë Idrizi krahu i djathtë i tij.

Politika shqiptare ka mbetur në të njëjtin vend që prej shumë kohe. Një klasë politike, që është nën çdo nivel të mundshëm për të përfaqësuar një popull të arsimuar dhe të ditur, jo vetëm shton apatinë, por ngjall dëshirën e largimit. Sepse e kanë të pamundur që, doktor shkencash, mjekë të talentuar, artistë të njohur, të cilët duan të bëjnë për vendin e tyre, të mund të durojnë dhe të jenë në mëshirën e ligjeve që kalon ky parlament, apo, edhe më tej, një qeveri që i kap për fyti deputetët.

Lulzim Basha kishte gjithë kohën e duhur për të bërë katarsis me deputetët e listës së tij. Kishte mundësi të zgjidhte me dorë të lirë. Jo përmes atij komisionit „ të famshëm“, që vetë e hodhi në erë, por përmes mendimit të njerëzve të ditur, të formuar dhe Shqipëri – dashës.

Kishte mundësinë që në 25 prill, në mos tjetër, të paraqiste një trupë që mund të linte pa gjumë pushtetarët e sotëm dhe t’i detyronte edhe atë të bënte zgjedhje të denja, të duhura dhe të mirëpritura. Edhe nëse do të kishte humbur, ai do të ishte i qetë se njerëzve u afroi më të mirën e mundshme.

E çfarë të mire u afron njerëzve me këtë çetë plakë, që ecën në rresht pas një kunati, ku mendohet se do të bëhen përsëri listat, ku meraku se në cilin vend do të jem është më i madh se çfarë do u afrojmë njerëzve?

Basha, si duket, edhe pse ka afër vetes këshilltarë izraelitë, nuk ia doli edhe kësaj here e , si duket, nuk do ia dalë të përmbysë trashëgiminë e së vjetrës.

Në vitin 2005 Berisha bëri lëvizjen e tij më të studiuar politike, edhe pse e përkohshme dhe njerëzit e saj dolën më lakmitarë se të tjerët. Ai formoi një trupë për Orientimin e Politikave, KOP, vendosi në krye të saj një njeri të panjohur, që, vërtet në fjalët që thonte nuk kishte brumë, por kishte elokuencë dhe enigmën e të panjohurit.

Tani, përballë tyre Basha vendos këtë çetë pleqsh në politikë, që askush, askurrë nuk u a pa hajrin, por që vetë ata ia panë hajrin shumë e shumë politikës. Shikoni pasurinë e tyre dhe binduni.

Basha riktheu një çetë të plakur.

Ndoshta e gjithë kjo është një lojë pas perdeve të tij, si beteja e fundit para dëbimit…shpesh herë , në politikë, ajo që duket krejtësisht e hapur, është tejet e fshehtë.

Kur ai ta kuptojë këtë, atëherë do të jetë i nëmuri i vetë PD-së!/ Dita

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bedri Islami/ Dëshmia në Hagë

Aktakuza/ Tre qëndrime ndaj çështjes Thaçi


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin