Sondazhet e deritanishme flasin për rezultate të dobëta për partinë e qendrës së djathtë të Merkelit, Bashkimin Demokristian. Përveç pakënaqësisë me shkallën e ulët të vaksinimit dhe me kufizimet akoma në fuqi të koronavirusit, partia e Merkelit është goditur dhe nga skandali që dy deputetë të saj kanë përfituar nga tenderat për maska në fillim të pandemisë së koronavirusit.
Këto zgjedhje janë një test edhe për liderin e ri të CDU-së Armin Laschet, i cili u zgjodh gjatë muajit janar.
Laschet ka theksuar që këto zgjedhje rajonale nuk mund të krahasohen me zgjedhjet e përgjithshme, dhe rezultati nuk do të ndikojë stabilitetin e lidershipit të tij. Megjithatë rezultatet e dobëta mund të sjellin shumë pikëpyetje për shpresat e tij për të pasuar Merkelin në shtator.
Ndërkohë Laschet ka lënë të kuptojë që ai dhe Markus Soeder, lideri i CSU-së dhe guvernatori i Bavarisë, do të vendosin në prill ose në maj se kush do të jetë kandidati i qendrës së djathtë që do të zëvendësojë Merkel-in. Soeder nga ana tjetër ka forcuar pozitat e tij gjatë pandemisë.