MENU
klinika

Zbulohet dokumenti i fshehtë

Çfarë konsiderohet njeri i famshëm në Facebook?

24.03.2021 - 10:21

Moderatorët e Facebook – synimi i të cilëve është që të kujdesen për përmbajtjen në platformë – veprojnë përmes një udhëzimi me 300 faqe, ku shpjegohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet në varësi të situatës së caktuar. Udhëzuesi daton që nga dhjetori i vitit 2020 dhe nuk është publik, por dokumenti është zbuluar nga Guardian që ka publikuar edhe mënyrën se si veprohet në Facebook përsa i përket përmbajtjes së ndaluar, reagimit ndaj figurave publike/private dhe trajtimit të çështjeve delikate.

“Për figurat publike, ne heqim sulme të rënda si dhe sulme të caktua ku figura publike është etiketuar drejtpërdrejt në postim ose koment. Për individët privatë, mbrojtja jonë shkon më tej: ne heqim përmbajtje që ka për qëllim të degradojë ose turpërojë, duke përfshirë, për shembull, pretendimet në lidhje me aktivitetin seksual të dikujt,” shkruhet në udhëzues.

Në mënyrë të ngjashme, figurat publike dhe private nuk mund të “ekspozohen” ndaj përmbajtjes “që vlerëson, feston ose tallet me vdekjen ose dëmtimin e rëndë fizik të tyre”.

Por çfarë konsiderohet figurë publike në Facebook?

Guardian shkruan se përkufizimi i Facebook për figurat publike është i gjerë. Të gjithë politikanët llogariten si figura publike, pavarësisht nga niveli i qeverisjes dhe nëse janë zgjedhur ose po qëndrojnë në detyrë, ashtu si çdo gazetar që është i punësuar “për të shkruar/folur publikisht”.

Fama në internet është e mjaftueshme për t’u konsideruar si figurë publike, me kusht që përdoruesi të ketë më shumë se 100,000 fansa ose ndjekës në një nga llogaritë e rrjeteve sociale. Të jesh në lajme është e mjaftueshme për t’u konsideruar figurë publike.

“Personat që përmenden në titull, nëntitull ose pamje paraprake të 5 ose më shumë artikujve të lajmeve ose mediave brenda 2 viteve të fundit” llogariten si figura publike. Një përjashtim nga ky rregull është që fëmijët nën moshën 13 vjeç nuk llogariten kurrë.

Ekziston një përjashtim tjetër për figurat publike dhe lidhet me të qenurit i/e famshëm në mënyrë “të pavullnetshme”. Këto janë figura publike “të cilët nuk janë të famshëm të vërtetë dhe të cilët nuk merren me famën e tyre, përveç rasteve kur janë akuzuar për veprimtari kriminale”, sipas udhëzimeve.

Facebook mban një listë të fshehtë të këtyre “figurave publike të pavullnetshme”.

Përdoruesit mund të ngacmojnë dhe sulmojnë njerëz të vdekur, për shembull, por vetëm nëse ata kanë vdekur para vitit 1900; atyre u lejohet gjithashtu që të “ngacmojnë/sulmojnë” personazhe imagjinarë.

Por vendimi për të lënë përdoruesit të ngacmojnë dhe sulmojnë figura publike, kur ndërkohë kompania i ndalon ata që të ngacmojnë individët privatë, ka të ngjarë të shkaktojë shqetësim në mesin e përdoruesve të famshëm, të cilët janë ankuar se Facebook nuk arrin të bëjë sa duhet për të mbrojtur figurat publike nga abuzimi në internet.

Politika e Facebook për ngacmimin dhe sulmin mbron figurat publike nga sulmet, duke përfshirë kërcënimet e drejtpërdrejta të dëmtimit të rëndë fizik, termat nënçmues të seksualizuara ose kërcënimet për të publikuar informacione personale.

Udhëzuesi është i fshehtë dhe sipas platformës, është vendosur të mos publikohet pasi leximi i tij mund të ndihmojë abuzuesit që t’u shmangen rregullave.