MENU
klinika

Irani dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje afatgjatë bashkëpunimi

DW: Dy rivalë të SHBA-së afrohen më shumë

28.03.2021 - 14:52

Në kryeqytetin e Iranit, Teheran, ministrat e jashtëm të të dy vendeve Mohammad Xhavad Sarif dhe Vang Yi nënshkruan dokumentin, që rregullon „bashkëpunimin politik, strategjik dhe ekonomik” mes Iranit dhe Kinës. Me këtë është hapur rruga për investime miliardëshe të Kinës në Iran. Në këmbim Irani do t‘i shesë naftë me çmim të leverdisshëm Kinës. Është planifikuar edhe bashkëpunimi në fushën ushtarake. Presidenti i Iranit Hassan Rohani e cilësoi bashkëpunimin me Kinën si strategjik: “Ne e duam Kinën si një partner të madh tregtie të Iranit”, theksoi Rohani në takimin me ministrin kinez Vang Yi.

“Marrëdhëniet tona me Iranin nuk do të influencohen prej situatës aktuale, por janë afatgjata dhe strategjike”, deklaroi ministri i Jashtëm i Kinës, sikurse njoftojnë agjencitë iraniane të lajmeve. Ndryshe nga shtete të tjera Irani „nuk i ndryshon marrëdhëniet me vende të tjera përmes një telefonate”, tha Vang.

Dy rivalë të SHBA-së afrohen më shumë

Jemi të mendimit, që marrëveshja mund të kontribuojë me „mjaft efikasitet për thellimin e raporteve kinezo-iraniane”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Chatibsadeh. Zëdhënësi kujtoi vizitën e presidentit kinez Xi Jinping para pesë vitesh në Teheran, ku u vendos guri i themelit për marrëveshjet e zgjeruara të bashkëpunimit. Kjo shënon edhe një një afrim të dukshëm mes dy rivalëve të rëndësishëm të SHBA-së. Për Kinën marrëveshja me Teheranin është pjesë e një nisme mjaft ambicioze të saj One Belt, One Road, që lidhet me akset historike tregtare të rrugës së mëndafshit. Aktualisht Kina është partnerja më e rëndësishme tregtare për Iranin dhe aleatja afatgjatë e republikës islamike. Qeveria në Pekin më 2016 premtoi, rritjen e tregtisë bilaterale brenda dhjetë vjetësh në 600 miliardë dollarë, duke e dhjetëfishuar atë.

Krizë e ashpër ekonomike

Përpara se SHBA më 2018 në mënyrë të njëanshme doli nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin duke vendosur sanksione të reja ndaj këtij vendi, Kina ishte blerësja më e madhe në botë e naftës iraniane. Irani për shkak të sanksioneve të vendosura nga SHBA përpara tre vjetësh, ndodhet në një krizë akute ekonomike, që është ashpërsuar edhe prej pandemisë së koronavirusit. Përderisa duket se as presidenti Joe Biden nuk ka ndërmend t’i shfuqizojë sanksionet, qeveria iraniane orientohet më shumë tek Kina dhe Rusia. Ashtu si Kina edhe Rusia është partnere e marrëveshjes ndërkombëtare atomike me Teheranin. Të dy këto vende e kanë dënuar daljen e SHBA nga marrëveshja atomike si dhe sanksionet e vendosura më 2015 ndaj Iranit. Biden ka shprehur gatishmërinë që SHBA të rikthehen tek kjo marrëveshje. Por kundrejt Kinës edhe ai si demokrat ka një qendrim të prerë. Biden tha, se ka folur personalisht me presidentin kinez Xi dhe i ka thënë atij, që SHBA „nuk do konfrontim” me Pekinin. “Megjithatë ne e dimë, që do të ketë një konkurrencë të fortë.”

Vizita e ministrit të Jashtëm kinez Vang në Teheran pasoi pak ditë pasi ai priti në qytetin jugor të Kinës Guilin homologun rus Sergej Lavrov. Edhe marrëdhëniet ruse me Uashingtonin ndërkohë janë të tensionuara. Në grindjen lidhur me deklaratat e Biden lidhur me presidentin Putin, Kremlini ndërmori hapin e rrallë të tërheqjes për konsultime në Moskë të ambasadorit rus në SHBA javën e kaluar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarata e ish-ambasadorit të Koresë së Veriut

“Kim Jong Un nuk heq dorë nga armët bërthamore”

Deklarata e inteligjencës amerikane

‘Putin autorizoi ndikimin pro-Trump në zgjedhje’

Albert Çaçi

Berlini braktis F-35