MENU
klinika

"Njolla të murrme"...

Kritika e Enverit dhe… autokritika e aktorëve durrsakë

11.03.2021 - 16:42

       Pjesa e katërt
Publikohet historia e panjohur e dramës “Njolla të murrme” të dramaturgut Minush Jero, që u vu fillimisht në skenë nga regjisori njohur Mihallaq Luarasi, në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës ku fitoi kupën e festivalit dhe u vlerësua me superlative nga ana e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, por disa kohë më vonë kur ajo u shfaq në skenën e Teatrit Popullor në Tiranë. Në lozhë ishte vetë Enver Hoxha dhe drama u kritikua dhe u godit prej tij, si një dramë ‘ku nuk dilte forca e klasës punëtore dhe aty dominonin ndjenjat mikroborgjeze” etj. E gjithë fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai e ‘kryqëzoi’ atë pjesë dhe autorët e saj, duke i quajtur ‘njerëz me njolla’ si dhe diskutimet e zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, si Miho Gjini etj., dhe regjisorëve e aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, si: Spiro Urumi, Gjergj Vlashi, Nikolin Xhoja, Llazar Ziu, etj., që lëshuan akuza të ashpra ndaj kolegëve të tyre që kishin interpretuar në atë pjesë, si dhe autokritika e dramaturgut Minush Jero dhe regjisorit, Luarasi, pas ‘rrufeve’ që lëshoi udhëheqësi kryesor i Partisë ndaj veprës së tyre!

Drama “Njollat e murrme”, e autorit Minush Jero (që u interpretua në skenën e Teatrit të Metropolit në vitin 2016 në Tiranë), është një nga pjesët teatrale më të përfolura e të shumë diskutuara para viteve ’90-të dhe pothuaj gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Njolla të murrme”, vënë në skenë nga ana e regjisorit të njohur, Mihallaq Luarasi që u shfaq si premierë në takimin kombëtar të teatrove profesioniste në qytetin e Korçës në tetorin e vitit 1969, u vlerësua si e jashtëzakonshme edhe nga kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu dhe asaj i’u akordua çmimi i parë, por kur ajo u dha në Tiranë disa kohë më vonë, ku në lozhë ishte vetë udhëheqësi kryesorë i Partisë, Enver Hoxha, ajo u anatemua prej tij.

Në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, vetë Enver Hoxha i kushtoi asaj një nga pikat e rendit të ditës, madje duke e analizuar me detaje njësoj sikur të ishte një kritik letrar. Kjo gjë do të ishte vetëm prologu i një ‘furtune’ që po ndërmerrte Enver Hoxha ndaj njerëzve të letërsisë, artit e kulturës, e cila do të kulmonte me Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion, ku përsëri vetë Enveri do ta anatemonte dhe do të hidhej në një sulm të paparë ndaj autorëve të saj.

Ndërsa tashmë këto ngjarje janë të njohura, Memorie.al po publikon një sërë dokumentash që fillojnë me fjalën e Enver Hoxhës në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, të vitit 1969, ku ai goditi për herë të parë “Njollat e murrme” dhe në numrat në vijim, po publikojmë edhe “kryqëzimin” që i’u bë kësaj drame nga funksionarët e lartë të Artit e Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH-së, zyrtarët e Ministrisë dhe Kulturës, si dhe kolegët e Minush Jeros dhe Mihal Luarasit, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, të cilat i kemi nxjerrë nga dokumente sekrete (tashmë prej vitesh të deklasifikuara), që ndodhen në Arkivin Qëndror të Shtetit, fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, publikohen të plota dhe pa asnjë shkurtim.

Kur nuk kishin kaluar vetëm pak ditë nga mbledhja e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha mori në analizë, kritikoi ashpër e hodhi poshtë dramën “Njollat e murrme”, të autorëve Minush Jero dhe Mihallaq Luarasi, të cilën ai e ndoqi vetë nga llozha në Teatrin Popullor në Tiranë, me porosi nga Sektori i Kulturës në Komitetin Qendror që mbulohej personalisht nga Ramiz Alia, dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Durrësit, në fillimin e janarit të vitit 1970, organizoi një “diskutim krijues” për të analizuar “shkaqet e vërteta që kishin çuar autorët e ‘Njollave…’ tek ajo vepër e gabuar”. Dhe ajo gjë bëhej, pasi dramaturgu Minush Jero ishte me punë dhe banim në qytetin e Durrësit, dhe njëkohësisht anëtar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të atij rrethi.

Në dokumentet arkivore që publikohen për herë të parë në këtë libër, në atë mbledhje, përveç pjesës më të madhe të shkrimtarëve, artistëve, letrarëve, aktorëve dhe regjisorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, morën pjesë edhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit, e njëherazi dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Rita Marko, si dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Durrësit, Iljaz Reka.

Vijon nga numri i kaluar

“Vepër, ideologjikisht e gabuar, nuk na falet që s’e kuptuam që në fillim”. “Drama tërësisht me tendenca reaksionare, joshqiptare, ka heronj mikroborgjezë”. “Partishmëria dhe realizmi socialist mungojnë tërësisht në vepër, pasi aty nuk ka heronj pozitivë që ta mbartin atë”.

Këto ishin disa nga akuzat që u artikuluan më shpesh atë mbrëmje të largët janari të vitit 1970, në sallën e ftohtë të teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar të Durrësit, ku shkrimtarë, artistë, letrarë, aktorë e dashamirës të artit ishin mbledhur për të diskutuar rreth dramës “Njolla të murrme”, e cila, pasi kishte marrë Flamurin e Festivalit në takimin kombëtar të teatrove profesioniste të mbajtur në qytetin e Korçës në tetorin e vitit 1969, pak ditë më pas në një nga mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo ishte kritikuar, akuzuar e hedhur poshtë nga vetë Enver Hoxha, i cili i ftonte të gjithë njerëzit e artit e kulturës që të reflektonin ndaj asaj vepre të gabuar dhe me “njolla”.

Në këtë kuadër mbahej edhe ai “diskutim krijues” në qytetin e Durrësit, ku aktorët e regjisorët e teatrit “Aleksandër Moisiu”, kush i detyruar dhe kush me zell e bindje, u ngritën ndaj dy kolegëve të tyre, Jero e Luarasi, të cilët Partia i kishte vënë në “bankën e të akuzuarave”.

Në pjesën e tretë të këtij shkrimi në numrin e djeshëm, publikuam raport-informacionin e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Durrësit drejtuar sektorit të Edukimit në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, si dhe diskutimin e aktorit Nikolin Xhoja (‘Artist i Merituar’) dhe atë të Gjergj Vlashit, (me pak shkurtime) regjisorit të Estradës së Durrësit, kurse në shkrimin e sotëm po vazhdojmë me diskutimet e aktorit të njohur Spiro Urumi dhe të Llazar Ziut, kryeinspektorit të Kulturës pranë Komitetit Ekzekutiv të atij rrethi.

Diskutimi i aktorit të teatrit të Durrësit, me kritika dhe akuza të ashpra ndaj dramaturgut Minush Jero dhe regjisorit, Luarasi

(Diskutimi i aktorit, Spiro Urumi)

TË THELLOHEMI NË DOKUMENTET E PARTISË DHE NË VEPRAT E SHOKUT ENVER

Studimi i pamjaftueshëm i dokumenteve të Partisë dhe veprave të shokut Enver, më tepër se për këdo është i domosdoshëm për ne punonjësit e letërsisë dhe të arteve. Ne jemi luftëtarë të frontit ideologjik, jemi në vijën e parë të këtij fronti, po a e zotërojmë këtë ideologji? Pra dhe ne sot, dhe tani me probleme ideore po merremi. Po a jemi në atë nivel që kërkohet të zotërimit të kësaj ideologjie?

Unë mendoj jo. Nuk them se ne nuk lexojmë dhe nuk studiojmë, por përpjekjet tona duhen shumëfishuar. Po të kishim përgatitjen e duhur ideologjike, nuk do të na kishin shpëtuar gabime të tilla. Unë për vete e ndiej nevojën e kësaj ngritjeje ideologjike. Shoh në vete dhe te kolegët se përpjekje ka, por jo sistematike, studim ka, por jo të thellë dhe të gjithanshëm të veprave të shokut Enver.

Ne kemi pasur raste, të cilat vërtetojnë se niveli ideopolitik është i pamjaftueshëm. Kështu kanë qenë pjesët “Dashuri e tillë”, ku akuzohej shoqëria socialiste, që vihej në bankën e të akuzuarve si vrarëse e dashurisë, apo “Festë e fenerëve”, që kishte bashkekzistencën paqësore idesh, ku vajza e majorit militarist dhe i biri i majorit amerikan që hodhi bombën atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, bien në dashuri, ngrihen kundër etërve të tyre, gjë krejt abstrakte e zhveshur nga realiteti.

Për hir të “Paqes”, majorit japonez, Fanomando, iu vra e shoqja dhe dy djemtë iu paralizuan, u verbuan nga amerikani Kenedi, ndërsa e bija bie në dashuri, ngrihet kundra gjakut, racës.

PAK FJALË PËR DRAMËN, Ç’ËSHTË “NJOLLAT E MURRME”?

Vepra “Njollat e murrme” është një vepër e gabuar, antisocialiste. Partishmëria, kjo domosdoshmëri e realizmit socialist, mungon në dramë, në dy drejtime. E para, mungon se s’ka personazhe pozitivë që të mbartin këtë ideologji dhe e dyta, nga qëndrimi ideo-emocional dhe i gabuar i autorit. Prandaj, ai as nuk i shtron dhe as nuk i zgjidh drejt problemet. “Njollat e murrme”, nuk ka heroiken e ditëve tona. Ja një tjetër veçori e domosdoshme e realizmit socialist.

Pra, gabimi themelor nuk është vetëm se në qendër ka heronj mikroborgjez, por se nuk u është kundërvënë heroikja, si rrethanë tipike e ditëve tona. Për sa i përket karakterit popullor për këtë veçori, të realizmit socialist as që bëhet fjalë fare. Aty gjuha, frazeologjia është shumë e ndërlikuar, sa në kolektiv njëherë, kur e lexuan, kishte ndonjë shok që ndalonte leximin dhe thoshte:

“Lexoje dhe një herë të lutem se nuk kuptova gjë fare”. Kjo ka të bëjë se mendimi i padrejtë është ndërthurur në mënyrë të atillë që të mos kuptohej lehtë. Punonjësit e thjeshtë atë vepër do ta quanin joshqiptare nga përmbajtja dhe nga forma. Këtë tingull ja përforcon edhe vënia në skenë dhe interpretimi i aktorëve sa për të dhënë një ide. Perdja është e hapur.

Dekori paraqet një rreth të madh të murrmë. Sipërfaqja e rrethit duket nga salla, mbasi është mbi tuba metalikë. Bri rrethit ngjitet tangjent një rrugë, edhe ajo e murrme.

Në këtë rreth vërtiten tre personazhe mikroborgjezë, këndojnë tri këngë të huaja, edhe shoqëria jonë nuk futet brenda që të ndriçojë këta njerëz. Në një akuarium janë tre peshq të ndriçuar. Aty në dramë shihen aq shumë tendenca reaksionare, sa duke i analizuar më vonë të duket çudi që s’i ke kuptuar në kohë, madje të vjen inat dhe e ndien veten të nënshtruar. Perifrazimet dhe ndërlikimet janë të çuditshme.

Në Këshillin Pedagogjik bëhet fjalë se si një mësues i paska thënë një nxënësi:

“I ke sytë si të qenit”. Pra mësuesi e fyen nxënësin dhe bëhen dy mbledhje për këtë. Kurse aty për aty, Lea, e fyen tri herë me radhë kolegun e vet, duke i thënë “borgjez”. Shihni sa ç’thurrje. Për një fyerje ndaj nxënësit u bëka mbledhje, kurse për kolegun jo?! Të shohim ca momente dhe të gjykojmë se ç’thonë personazhet.


Ja se çfarë i thotë Lea korit që përfaqëson shoqërinë tonë: “Edhe ju kërkoni si unë lumturitë e mëdha, që vinë nga dashuritë e vogla”.

Pra, Lea akuzon korin, akuzon shoqërinë. “Idealet janë fjalë të mëdha, s’të ngopin. Kurse dashuritë e vogla sjellin lumturitë e mëdha”. Kjo është e meta mikroborgjeze, në vend që ajo të gozhdohet, na akuzon.

Lea, kur flet për shoqet e saja që shkuan në malet e larta dhe të largëta, si pishtar për të ndezur dritat e Partisë, shprehet:

“Mua për të gjitha ato që shkonin, më vinte keq, u qaja hallin, i quaja si aventura të këndshme”. Një qëndrim po aq neveritës shfaq doktori: “Unë bridhja pas lekut, si korbi pas kërmave dhe kërmat kanë gjithmonë erë të keqe”.

Shihni se ç’koncept? A mundet mjeku ynë i ri të rend pas lekut, si pas kërmave?! Ç’janë kërmat?! Të sëmurët. Pra, kush janë këta që sëmuren në “lagështira minierash, temperatura furrash, në maja çatish, në majë të direkut, në uzinat e ftohta? A s’janë këta njerëzit tanë?

Ky njeri me profesion fisnik, arrin gjer aty, sa njerëzit t’i quaj kërma, të mos shkoj natën te fëmija i komshiut, i cili, meqë s’pati ndihmën mjekësore, të nesërmen vdiq. Të mos di se cili është ai i plagosur që ishte hedhur në flakë për të mbrojtur fabrikën?!

Ky njeri sikur ndjen zërin e fshatarëve në buzë të zhuritura, duart të çara dhe të plasaritura që i thonë: “Ik, ik, studio, bëhu diçka dhe kurrë mos u kthe më këtu”. Shihni se ç’doktor mikroborgjez zotërojnë skenën tonë.

Ndërsa e shoqja arrin të lajë shtëpinë vetëm, sepse aty u ulën disa fshatarë. Me neveri e përbuzje, ajo shprehet tekstualisht kështu: “Kanë kaluar 17 vjet që kur është çliruar Shqipëria, dhe ata janë akoma me morra”. Kjo është shpifje nga më të turpshmet. Ne kemi fjetur me javë në fshatra, në shumë shtëpi, por kurrë s’na ka ndodhur kjo gjë. Kur e lexoj tani më vjen të çuditem, se si ne gëlltisim këtë gjë, këto shpifje, në vend që të fishkëllenim, prandaj e ndiej veten të turpëruar që e pëlqeva në fillim.

Ja përse unë e ndiej nevojën që të bëjë autokritikë, duke mbajtur përgjegjësi morale si edhe shokët e tjerë. Unë shpreh bindjen se me ndihmën e Partisë, ne shkrimtarët dhe artistët do ta mprehim më shumë vigjilencën, dhe nuk do të lejojmë kurrë të na shkasin ndër hundë vepra të tilla të murrme, që nxinë realitetin tonë.

SPIRO URUMI
AKTOR I TEATRIT “ALEKSANDËR MOISIU”

Kritikat dhe akuzat e forta të kryeinspektorit të Kulturës të rrethit të Durrësit, ndaj dramës “Njolla të murrme” dhe autorëve të saj

(Diskutimi i Llazar Ziut)

DISA MENDIME RRETH MËSIMEVE QË DUHEN NXJERRË NGA GABIMET E DRAMËS “NJOLLAT E MURRME”

Diskutimi rreth mësimeve që duhen nxjerrë nga gabimet ideore të dramës “Njolla të murrme” është me rëndësi. Partia na mëson që të nxjerrësh mësime, si nga sukseset tona, po ashtu të analizojmë me frymë partishmërie gabimet tona. Jam dakord, në përgjithësi, me kritikat dhe dënimin që iu bë “Njollave të murrme” të Minush Jeros. Po kështu, edhe për vënien në skenë të dramës nga teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës, nën regjinë e Mihallaq Luarasit.

Si mund të shpjegohet që Minush Jero, pas kaq vitesh mbas dramës, “Jashtë bie shi” të dështuar, nxjerr një tjetër po të kësaj kategorie? Kjo flet, natyrisht për pozitën e tij antiparimore objektiviste-borgjeze, për punën e pamjaftueshme të thelluar në mësimet e Partisë, për ta parë realitetin tonë socialist nga pozitat e klasës punëtore.

Edhe unë do t’i thosha se në vitet e fundit, kur revolucionarizimi i mbarë jetës së vendit, si dhe i artit dhe i kulturës në veçanti po ecën me hapa të mëdha, shkruarja e një drame të tillë, e aq më keq, aprovimi e vënia në skenë e saj, është një ngjarje që me të vërtetë duhet të na shkundë nga çdo dremitje, sado e vogël që do të na bënte të humbasim vigjilencën.

Nuk dua të ndalem në analizën e vetë dramës. Në diskutimin e parë që bëmë, dhamë mendime rreth saj. Në shtyp, si dhe këtu sot u fol me shumë të drejtë për gabimet e saj të rënda ideore. Po kështu s’dua të flas as për të metat dhe as për gabimet e teatrit “Çajupi” që e vuri. Të marrim çështjen e trupës sonë të teatrit dhe të estradës. Pa dyshim puna e tyre është shumë pozitive dhe si e tillë është çmuar.

Festivali kombëtar i këtij viti, përligji, si me thënë, punën pozitive të trupave tona. Por kur ne analizojmë, qoftë edhe shfaqjet tona më të mira, si “Njerëz mbi shkëmb” apo “Dy me zero” ose “Mulliri i Kostë Bardhit”, ne përsëri nxjerrim një seri të metash, veçanërisht në lidhje me forcimin e idesë së kontrollit të klasës punëtore (në të parën), për forcimin e roleve pozitive në komedi, apo të rolit të Partisë dhe tipikës në luftën çlirimtare, në dramën e tretë.

Këto dobësi të konstatuara, veç të tjerash, e kanë burimin edhe te puna jonë, te formimi ynë, te pozita e qartë dhe e thellë ideore e jona (regji-aktorë) sepse për vetë natyrën e artit skenik, koncepti regjisorial apo mishërimi aktorial i rolit përbën në të njëjtën kohë, (me të dhënat e autorit të dramës) edhe vetë ndjenjat, konceptet, botëkuptimet e interpretuesit (regji-aktor).

Prandaj ne, krahas dënimit të dramës “Njolla të murrme”, nuk mund të mos dënojmë me të njëjtën forcë edhe shfaqjen e teatrit “Çajupi”, ashtu sikundër prapa dobësive të pjesëve të vëna nga teatri ynë “A. Moisiu” s’mund të mos shohim dhe dobësitë e regjisë dhe të trupës sonë. Shoku Enver na mëson: “Qëndrimi kritik parimor ndaj gjithë krijimtarisë letrare-artistike duhet të karakterizojë organet drejtuese të të gjithë artistëve dhe shkrimtarëve tanë”.

Me gjithë mësimet e shumëvlefshme të Partisë, neve sot po shqyrtojmë pikërisht gabime që kanë të bëjnë me shkarjen nga rruga e “qëndrim kritik parimor”: Jemi para gabimeve parimore të autorit që shkroi veprën, duke u nisur nga pozita të huaja për konceptet tona klasore: para gabimeve parimore të teatrit “Çajupi” e të trupës së tij, që e përqafuan dhe i dhanë jetë skenike kësaj vepre ideologjikisht të gabuar, para gabimeve parimore të organeve të Ministrisë, që aprovuan dhe lejuan ardhjen në festival të kësaj shfaqjeje.

Para gabimeve parimore të jurisë, e cila e çmoi atë nga kashta, duke mbyllur, si të thuash sytë, ndaj njollave të saja të zeza ideore:

Para gabimeve tona që nuk vumë në dukje në kohë porsa e pamë dhe me forcë anët e saja të gabuara parimore, madje dhe kur u sinjalizuam nga Partia në rreth: Të gjitha këto gabime ilustrojnë faktin se ne kemi nevojë për një thellim të mëtejshëm, për një forcim klasor-revolucionar të pozitës sonë si artistë, si aktorë, si trupa. Vërejtje e dytë:

Gjatë diskutimeve në Tiranë, lidhur me dramën “Njollat e murrme” u shprehën mendime se “një ndër” cilësitë e saj të rralla “është se” për t’u kuptuar ajo deri në fund duhej parë dy-tri herë, ky mendim natyrisht nuk qëndron aspak, ai është me kokë poshtë. Kërkesa e parë për një vepër artistike është pikërisht qartësia e saj ideore, thjeshtësia, për t’u kuptuar shpejt e shpejt nga secili dhe nga spektatori më i thjeshtë.

Atëherë si mund të quhet drama “Njollat e murrme” plot frazeologji intelektualiste, plot pikëpamje sa “të murrme” plot frazeologji aq edhe të paqarta, të shprehura në një tautologji të tërë fjalësh, si vepër “me merita të posaçme artistike”? Mos vallë kështu nuk tentojmë për të futur nga dritarja ato që shporren nga dera?/Memorie.al/

LLAZAR ZIU
KRYEINSPEKTOR PËR KULTURËN, PRANË KOM.EKZKUTIV.

K.P. I RRETHIT DURRËS.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dëshmia e rrallë e mikut të ish-kryeministrit

“Mehmet Shehu u nxi në fytyrë, kur i dhashë traktatin e PKSH”!

Gazetari rrëfen "shndërrimin" e PPSH-së

“Ç’bëmë kështu? Vramë veten me duart tona”

Dosja e 7 gazetarëve, ushtarakëve dhe artistëve

“Dështoi atentati ndaj Enverit në Bllok, vendosën të vrisnin…”