MENU
klinika

Teatri... vazhdon

Roland Minga: Virtualiteti, perceptim i shtrembëruar i skenës

12.03.2021 - 15:49

        🎭 𝗙𝗲𝘀𝘁𝗶𝘃𝗮𝗹𝗶 𝗠𝗯𝗮𝗿𝗲̈𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲̈𝘁𝗮𝗿 𝗶 𝗧𝗲𝗮𝘁𝗿𝗶𝘁 𝗠𝗢𝗜𝗦𝗜𝗨 𝗢𝗻❗

Me “Në shtëpi në orën 7”, nga autori Robert Cedric Sherrif dhe regji nga Roland Minga, teatri “Petro Marko” prezantohet në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”.

Festivali vijon me shfaqjet livestream në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe atyre pjesëmarrëse.  Kjo ishte shfaqja e 16-të në konkurrim, ndërsa festivali ka nisur rrugëtimin virtual më 23 shkurt, ndërsa po i afrohet mbrëmjes finale.

Regjisori Minga, një nga emrat e njohur të jetës teatrore në vend, në një reagim shprehet se, festivali “Moisiu On”, vjen si një lëvizje të guximshme edhe pse mbart me vete rrezikun. “Mendoj se është një lëvizje për të treguar se jemi ende në “realitetin” artistik, të cunguar për shkak të kushteve të krijuara. Me thënë të drejtën, më duket pak lëvizje e guximshme, por që mbart rreziqe, pasi teatri kishte mbetur i vetmi aktivitet i painfektuar nga Facebook-u. Kam frikë se do të krijojë një perceptim të shtrembëruar të skenës. Skena ka nevojë për perceptimin e gjallë, jo për ftohtësinë e celularëve dhe ekraneve. Megjithatë është konsideruar si një hap modest”, – sugjeron regjisori.

Festivali po zhvillohet prej disa ditësh dhe në konkurrim janë 20 shfaqje teatrore, përfshirë dehe projektet nga skena e pavarur.

Regjisori Minga thotë se, për veçoritë e kohës kjo është një lëvizje pozitive, pavarësisht problematikave që rezultojnë. “Është një event specifik, në kushte specifike. Nuk e them për të bërë oportunistin, por këto kushte janë. Nuk e di sa objektive do jenë vlerësimet, duke llogaritur që filmimet në pjesën më të madhe, janë për arkiv dhe jo për ekranin. Shumica janë nga shfaqjet drejtpërdrejt, që mund edhe të merret si pozitive nga ana tjetër”, vijon më tej, ai.

Regjisori Minga e mendon se do jetë problematikë vlerësimi, pikërisht –  sipas tij –  për “durimin”, që duhet treguar në ndjekjen e një shfaqjeje.

“Ekrani kërkon një narracion më të thjeshtë në përcjellje, ndërkohë që një shfaqje teatrore ka nevojë që shikimi të kaloje nëpërmjet filtrit të figurës artistike, metaforës së shfaqjes”, – thekson ai.

Si zhvillohen ngjarjet

“Në shtëpi në orën 7” është një shfaqje teatrore, që u vu në skenë në prill të vitit 2019, në Vlorë. K

ëtë komedi e solli me profesionalizëm trupa e teatrit “Petro Marko”, me regji nga Roland Minga. Preston vjen nën interpretimin e Astrit Mamajt, znj. Preston – Matilda Avduli, doktori – Margent Çaushi, majori – Jorgaq Tushe, Pegi- Eliona Thomaraj dhe komisari – Lavdimir Abilaliaj.

Skenografia dhe kostumografia, mbajnë emrin e Drini Shehut, ndërsa formulimi muzikor, nga Artur Dhamo.

“Në shtëpi në orën 7” është një komedi suspansi e autorit anglez Robert Sedrik Sherrif, që trajton psikologjinë e njeriut në kushte ekstreme, siç është lufta, apo ekseset e tjera shoqërore. Gjurmët që ajo lë në jetën e individit. Regjisori Minga, thotë se ka qenë e vështirë që personazhet të luanin të papriturën, që vazhdon deri në fund. Sipas tij, nuk ka qenë e lehtë që të ruajë komedinë, ndërkohë që personazhet duhet të ruanin dramaticitetin e linjës dramaturgjike, gjendjen e suspansit, etj.

“Në fund të fundit edhe jeta e këtij të bekuari planet, kështu ka ecur, ku çdo betejë për jetën kanë dashur të na e servirin si luftë. Në vendin tonë, ku nuk ka kaluar jeta jonë, ndërrimi i sistemeve, viti ‘97, tërmeti, pandemia së fundi, që në psikikën e njeriut lë gjurmë të thella, as më shumë e as më pak, por si një luftë. Një eksperiment i vazhdueshëm midis individit dhe realiteteve të krijuara për interes të grupeve të caktuara, që kanë guximin të përcaktojnë fatet e botës”, – tregon ai.

Në shfaqje, Preston kthehet në shtëpi në orën shtatë, si zakonisht.

Xhenet, e shoqja, e shqetësuar pas pritjes plot ankth për mungesën e të shoqit prej 24 orësh, përpiqet të kuptojë diçka. Prestoni, nëpunës banke dhe llogaritar i një shoqate bamirësie, pas një sërë faktesh dhe ndodhish fatkeqe, kupton se ai vërtet ka munguar për 24 orë, por amnezia nuk e lë të kujtojë. E shkaktuar ajo, – siç del prej dëshmive, – nga shpërthimi i një gome makine, që i sjell ndërmend Prestonit situatën e luftës (shpërthim i vërtetë i një bombe), e mbyll atë në një rreth vicioz, të pashpjegueshëm. E gjithë kjo i shkakton atij një psikozë të rëndë, që është sjellë me mjeshtëri nga R.S.Sherrif, në mënyrën më të vështirë të mundshme për një dramaturg, në komedi, por njëkohësisht edhe më e përtypshme nga publiku.

Për një sërë rrethanash, rastësisht të lidhura me amnezinë, dikush përfiton duke vjedhur buxhetin e një veprimtarie bamirësie, në shoqatën ku Prestoni është llogaritar. Përpëlitja në ndërgjegjen e tij, midis të ngjarjes së vërtetë të ndodhur dhe asaj të nënkuptuar, e ushqejnë psikozën e rëndë, të trashëguar nga lufta, të Prestonit… Kush e ka bërë vjedhjen? Ç’lidhje ka Prestoni, me të… dhe a ka vërtet, lidhje?