MENU
klinika

Poeti i dëshpëruar!

Ekstravagant… si Vladimir Majakovski

14.04.2021 - 13:12

          Vladimir Majakosvki sapo kishte mbushur të trembëdhjetat, kur lexoi Marksin për herë të parë. Shumë shpejt mori pjesë në takimet e fshehta dhe shpërndau broshura të Partisë Bolshevike. Në vitin 1909, adoleshent, u arrestua për herë të tretë dhe kaloi njëmbëdhjetë muaj në burgun e Butyrkas. Në vetminë e qelisë 103, Majakosvki përsosi të shkruarin dhe artin e tij. Shtatlartë, agresiv, i majtë, Vladimir Majakosvki është poeti paradoksal që dominoi dekadën e parë të Bashkimit Sovjetik. Vargjet e tij i bënë jehonë revolucionit, vrulleve ekstravagante dhe shpërthimeve të tij. Mirëpo, pavarësisht statusit si propagandues zyrtar, Vladimir Majakovski ruan njëherazi imazhin e poetit “të mallkuar” në Rusi. Pa dyshim, për shkak të vetëvrasjes më 14 prill 1930, në moshën 36-vjeçare. /Konica.al

Artist që kridhej furishëm në art, ai provoi edhe kinemanë apo leximet e veprave në publik. I thuri lavde revolucionit, por nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste. Guximi i hapur dhe dëshira për të provokuar, i krijuan shumë armiq brenda regjimit. Po ashtu, ai ishte një lojtar i pandreqshëm, kishte fobi mikrobet dhe pasion për gratë. Ishte i rreptë me të afërmit, i apasionuar, i aftë të sillej me harbutëri. Dashurinë e jetës, Elsën, e njohu përmes së motrës, Lilit. Më pas, Elsa shkoi të jetonte në Francë dhe u bë e njohur si Elsa Triolet, gruaja e Luis Aragonit./Konica.al

Në rrethin e Vladimir Majakosvkit takojmë figura të shumta artistike të kohës, si Gorki, Pasternak, por jo domosdoshmërisht pati marrëdhënie të mira me ta. Gjatë udhëtimit të parë në Francë, takoi Vladimir Pozner, i cili shprehet: “Ishte aq i gjatë, saqë edhe kur rrinte ulur, të lindte dëshira ta ftoje të ulej. Shkova ta takoja në një dhomë kaq të vogël hoteli, që nuk i përshtatej Majakosvkit dhe këpucëve të tij. Këpucët i la te dera dhe, që të futesha unë, ai duhej të futej në shtrat”. Siluetë gjigande me zë të ulët, cigaren në cep të buzëve, ky është imazhi që na mbetet nga Majakosvki. Në Rusi, leximet e tij mblodhën turma. U vetëvra më 14 prill 1930. Brenga personale? I lodhur, duke u përpjekur të mishëronte përherë avangardën? Ndjesia e asfiksisë politike? Është e pamundur t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Letra e fundit ishte në vargje: “Po vdes, mos fajësoni askënd. Asnjë thashethem, i ndjeri nuk i honepste dot”.

Emri i Vladimir Majakosvkit lidhet pazgjidhshmërisht me imazhin e revolucionit rus. Autori i poezisë “Odë për revolucionin” ishte i sinqertë. Krijimtaria dalë nga pena e tij, i buronte nga zemra, duke pasur stilin, imazhet dhe të shprehinë karakteristike. Thuhet rëndom se “revolucioni gllabëron fëmijët e vet”, diçka e ngjashme ndodhi me Majakosvkin. Është e vështirë të gjesh një tjetër krijues, që i përkushtohet me kaq dashamirësi një teme “duke ecur në grykën e këngës së tij”.

Poet dhe dramaturg, Majakovski është një legjendë: mjaft t’i shqiptohet emri dhe do dëgjojmë përplasjen e flamujve të revolucionit 1917, si për të qortuar tërbimin e lëvizjes futuriste. Duke aderuar në futurizëm, Majakovski nisi një betejë kundër konformizmit, borgjezisë dhe vlerave të saj. Shumë shpejt u përhap në mbarë botën, falë veprimtarisë së jashtëzakonshme të Marinetit. Në Rusi, futurizmi u bë i njohur në 1912, ku u formua një grup i vërtetë dhe prodhoi vepra me vlerë të madhe, por në kundërshtim me pikat thelbësore me Marinetin. Futuristët rusë ishin apolitikë dhe e konsideronin të pamendueshme, që arti “të shfaqë në flamurin e saj idealet e masave punëtore, pasi trekëndëshi merr formë katrore”. I shfaqur në skenën poetike ruse si mishërimi i poetit modern, agjitatorit dhe propagandistit të palodhur, Majakovski është zhytur në shakullinën e historisë. Nisur nga popullariteti, Majakosvki udhëtoi në Letoni, Britani, Gjermani, Meksikë, Kubë dhe SHBA në vitet 1920, ku shkroi esenë: “Zbulimi im i Amerikës” (1925). Midis 1922 dhe 1928 Majakosvki u përfshi në avangardën sovjetike lëvizja Fronti i Majtë i Arteve dhe redaktoi revistën e lëvizjes LEF. Qe autor i dy shfaqjeve satirike: “Çimka” (1928) dhe “Banja” (1929).

Rrethanat e vdekjes së Majakovskit mbeten ende veshur me mister: më 14 prill 1930, poeti u vetëvra në banesën e tij në Moskë. Dy ditë më parë, ai kishte shkruar këto vargje: “Siç thonë ata / incidenti u mbyll / Varka e dashurisë / u shkatërrua nga jeta e përditshme”. Fjalët e tij të fundit qenë: “Qofshi të lumtur”.

I admiruar, po aq sa edhe i urryer, pasioni i zjarrtë për poezinë i kuptuar si akt revolucionar, nuk e fsheh faktin se Majakosvki ishte personalitet me brishtësi të jashtëzakonshme. Sot është dita e duhur për të zbuluar muzikën e poezisë së tij. /Konica.al

S’kam nevojë për ty

E di mirë

Së shpejti do të vdes.

Nëse vërtetë ti ekziston

O Zot,

O Zoti im,

Në qofsh ti ai që thur qilimin me yje,

Nëse ky mundim i përditshëm, i shumëzuar

Është për mua një eksperiment yti,

Vesh petkun zyrtar.

Vizitën time prit.

Do të jem i përpiktë,

Nuk do të vonohem njëzetekatër orë.

Inkuizitar i larë

Dëgjomë!

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Re me pantallona"

Poeti gjenial i futurizmit

“Ne jetojmë pa e ndie nën kambë vendin”

Poeti guximtar që shkroi kundër diktatorit të tij


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit