MENU
klinika

Historia e Sindit

“Fillova të djersitesha tej mase…kisha kaluar një sulm në zemër”

18.04.2021 - 15:17

Të shtunën në mëngjes gushtin e kaluar, Sindi kishte filluar punët e saj tipike javore, pastrimi, lavanderia, fshirja.

Ajo filloi të djersitej papritur. Shumë djersitje për thjesht një pastrim të shtëpisë. Ajo kontrolloi për t’u siguruar që kondicioneri ishte i ndezur dhe filloi të lante fytyrën, pastaj u ndje shumë e trullosur. Burri i saj, Naldi, donte të telefononte urgjencën. Sindi këmbënguli të priste.

Por kur ndjeu një dhimbje në gjoks dhe dhimbja u përhap nëpër krah, Naldi thirri urgjencën për ndihmë.

“Në mendjen time, mendova se ishte diçka si një sulm në zemër,” tha ai. “Thjesht nuk e kuptova se si mund të ndodhte kjo.”

Ambulanca arriti brenda disa minutash. Ata i bënë disa pyetje Sindit dhe kryen një elektrokardiogram EKG. Testi nuk tregoi asgjë të habitshme. Ndoshta ishte një sulm paniku ose stresi.

Sindi pyeti vazhdimisht nëse gjendja kishte të bënte me zemrën. Asaj i thanë që në moshën 37 vjeç ishte shumë e re, nuk kishte faktorë rreziku dhe EKG ishte normale. Mjekët e urgjencës i thanë se mund të provonte ushtrime të frymëmarrjes, të telefononte mjekun e kujdesit primar ose të shkonte në spital.

“Nëse ata më dhanë mundësinë për të qëndruar në shtëpi, kuptova se nuk duhet të ishte ndonjë gjë serioze,” tha ajo.

Pesëmbëdhjetë minuta pasi u larguan, dhimbja e gjoksit u përkeqësua. Naldi mori fëmijët e vegjël në makinë dhe e çoi me shpejtësi Sindin në spital. Për shkak të protokolleve COVID-19, asaj iu desh të shkonte e vetme në dhomën e urgjencës.

Stafi kreu një EKG, pastaj një tjetër. Ata e transferuan Sindin në një dhomë private dhe filluan të lëviznin me një ritëm të shpejtë, duke marrë gjak dhe duke filluar një serum IV. Sindi dëgjoi mjekun që foli në telefon me një kardiolog dhe mësoi se nuk do të shkonte në shtëpi.

Në atë kohë i shkruajti një mesazh burrit të saj, duke i thënë se po zhvendosej në repartin kardiak. Atë mbrëmje kardiologu dha lajmin nga i cili Sindi kishte frikë: “Unë mund të konfirmoj që sot keni pasur një sulm në zemër”.

Për shkak të moshës së Sindit dhe mungesës së faktorëve të rrezikut, mjeku donte të kryente menjëherë një procedurë të kateterizimit kardiak për një pamje nga afër se si po funksiononte zemra dhe nëse kishte ndonjë arterie të bllokuar.

Kur Sindi u zgjua pas procedurës, kardiologu i tha se nuk i duhej një stent ose ndërhyrje tjetër. Ajo i kishte mbijetuar një lloji sulmi në zemër të shkaktuar nga diseksioni spontan i arteries koronare SCAD, një ngjarje e rrallë në të cilën ndodh një carje në murin e arteries. Ai mur ka tre shtresa; carja lejon që gjaku të kalojë përmes shtresës më të brendshme, por më pas bllokohet dhe mpikset brenda. Kjo mund të ngushtojë ose bllokojë arterien dhe të shkaktojë një sulm në zemër.

Sindi kishte një dëmtim në murin e arteries së majtë dhe iu tha që duhej të shërohej vetë, me ndihmën e ilaçeve. Ajo bëri disa teste për t’u përpjekur të kuptojë pse ndodhi kjo, por mbetet një mister.

Studiuesit nuk janë të sigurt se çfarë e shkakton SCAD, por pacientët shpesh janë gra që janë të shëndetshme, me pak ose aspak faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës. Disa studime kanë treguar një lidhje hormonale, duke treguar një incidencë më të madhe midis grave pas lindjes dhe grave që përjetojnë ose janë afër një cikli menstrual.

Sindi çuditej për dhimbjen midis shpatullave që ajo filloi të ndjente pasi djali i saj lindi në prill 2019. Dhjetë muaj më vonë, ajo filloi të ndjente palpitacione të zemrës. Mjeku i kujdesit parësor i kishte bërë disa analiza dhe gjithçka ishte normale. Sulmi në zemër erdhi gjashtë muaj më vonë.

“Të mos kesh përgjigje konkrete është shqetësuese ndonjëherë,” tha ajo. “Nuk është aspak mirë të kesh të gjitha këto pyetje në kokë dhe të mos kesh siguri.”

Por gjithmonë duhet të këmbëngulni deri në fund për të marrë përgjigjet e duhura, është më mirë të parandalosh sesa të kurosh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN