MENU
klinika

"Kurrë, mos e humbni shpresën!"

Papë Françesku uron Pashkët

04.04.2021 - 12:51

         Në mesazhin për ringjalljen e Krishtit, Papa Françesku u bëri thirrje njerëzve që të mos e humbin shpresën, gjatë këtyre muajve të errët të pandemisë.

Gjatë meshës në Basilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa thërret njerëzit që të nisin gjithcka nga fillimi.


“Është gjithmonë e mundur të fillohet nga e para, sepse ekziston një jetë e re, që Zoti mund të zgjojë brenda nesh, pavarësisht nga të gjitha dështimet tona.

Në këto muaj të errët të pandemisë, le të dëgjojmë Krishtin e ringjallur teksa na fton, për të mos e humbur kurrë shpresen” –  tha Papa, duke shtuar se, “Jezusi u solli mesazhin e tij, ‘atyre që përpiqen të jetojnë nga dita në ditë’, njerëzit sot duhet të kujdesen për ata që kanë më shumë nevojë”.

Për shkak të distancës sociale, vetëm rreth 200 besimtarë me maska, u lejuan të merrnin pjesë në meshën, që shënon periudhën midis kryqëzimit të Krishtit dhe ringjalljes të Dielën e Pashkëve.

 

Shërbesa filloi dy orë më herët se zakonisht, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund të ktheheshin në shtëpi para orës 10:00, kur nisnin masat e izolimit në Romë.

Në mesazhin me rastin e Pashkëve, Papa Françesku u bëri thirrje vendeve të shpejtojnë shpërndarjen e vaksinave, veçanërisht për të varfërit dhe i quajti “skandaloze” konfliktet e armatosura, apo shpenzimet ushtarake gjatë pandemisë.

Për shkak të koronavirusit, ky ishte viti i dytë radhazi që në ceremonitë papale të Pashkëve, kanë marrë pjesë vetëm grupe të vogla në një altar dytësor të Bazilikës së Shën Pjetrit, ndryshe nga më parë, kur besimtarët grumbulloheshin me shumicë në katedrale ose në sheshin jashtë.

Pas meshës, Papa Françesku lexoi mesazhin “Urbi et Orbi”, ku tradicionalisht flet për problemet e botës.

Ai tha se “Pandemia vazhdon të përhapet, ndërsa kriza sociale dhe ekonomike mbetet e rëndë, veçanërisht për të varfërit. E megjithatë, tha ai, dhe kjo është skandaloze, konfliktet e armatosura nuk po marrin fund dhe arsenalet ushtarake po forcohen.”

Sheshi i Shën Pjetrit ishte i zbrazët, me përjashtim të disa policëve që zbatonin masat e një bllokimi të rreptë triditor në shkallë vendi.

Papa u lut që Zoti të ngushëllonte të sëmurët, ata që kanë humbur një të afërm dhe të papunët, duke i nxitur autoritetet që t’u japin ndihmë dinjitoze familjeve në nevojë më të madhe.

Ai lavdëroi punonjësit e mjekësisë, shprehu simpati për të rinjtë që nuk mund të shkonin në shkollë dhe tha se, u bënte thirrje të gjithëve për të luftuar pandeminë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


20 shprehje frymëzuese të Nënë Terezës

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit”