MENU
klinika

Në Imola dhe Portimao

Si nisen pilotët nesër në Formula 1 dhe Moto GP

17.04.2021 - 17:37

Kanë përfunduar dy garat për pole position në Formula 1 dhe Moto GP. Leëis Hamilton me Mercedes ka siguruar sot “pole position” në pistën italiane të Imola, “pole” nr.99 në karrierë për pilotin britanik.

Ai dha kohën 1’14”411”, duke lënë pas dy makinat Red Bull të Sergio Perez e Max Verstappen. Një paraqitje e mirë e Hamilton, që konfirmoi se makina gjermane është më e shpejta edhe pse diferencat me Red Bull janë të ngushta.

Mirë u paraqit edhe Ferrari i Charles Leclerc, që u klasikua në vendin e katërt. Nuk dha atë që pritej Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes, duke u kualikuar i teti, ndërsa makina tjetër Ferrari, ajo e Carlos Sainz, do ta nisë garën nga vendi i 11-të. Dobët u paraqitën edhe veteranët Sebastian Vettel (i 13-ti) e Fernando Alonso (i 15-ti).

Ndërsa në Moto GP, piloti francez i Yamaha, Fabio Quartararo, siguroi “pole position” në pistën e Portimao, ku të dielën do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Portugalisë.

Ai ndali kronometrin në 1’38”862, duke lënë pas spanjollin Alex Rins me Suzuki dhe francezin Johann Zarco me Ducati Pramac. Në fakt, në provat e sotme zyrtare, kohën më të shpejtë e dha italiani Francesco Bagnaia (1’38”494), me Ducati.

Gjithsesi, sipas komisarëve të pistës, ai shkeli rregulloren e flamurit të verdhë dhe u dënua me 10 pozicione. Ai do ta nisë garën nga vendi i 11-të. Spanjolli Marc Marquez, që rikthehet në pistë pas 9 muajsh, me motorin e tij Honda u klasikua në vendin e gjashtë, gati gjysmë sekondi më i avashtë së vendi i parë. Zhgënjen sërish Valentino Rossi, që me Yamaha Petronas u rendit i 17-ti.