Në jetën e përditshme njerëzit mund të kenë dhimbje koke, e cila shfaqet në pjesën e pasme të saj, por si fillim nis mbi kavitetin nazal, pra mbi hundën, në pjesën e ballit ose mbi sy. Mund të themi që koka jep dhimbje edhe kur shoqërohet me temperaturë të lartë në pjesën e sipërme të saj, por mund të bëhet edhe e ftohtë. Edhe nëse personi ecën në një ambient me temperaturë të ftohtë e era është e fortë e godet, veçanërisht pjesën e fytyrës. Edhe qëndrimi para një ekrani shumë të madh televizori mund të japë dhimbje koke gjithashtu si dhe dritat e forta që nuk janë në këndin e përshtatshëm për sytë dhe sistemin nervor. Kështu rekomandohet që drita për të lexuar të ketë një kënd rënieje nga ana e majtë dhe këndin e ngritjes nga e djathta. Nëse lexojmë në këto kushte, mund të rrimë para një libri edhe 6-7 orë dhe mos të kemi asnjë problem me dhimbjen e kokës. Dhimbjet e kokës mund të shfaqen edhe nga konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike, e veçanërisht verës e cila çliron një gaz sulfuror që depërton në gjak e godet qelizat nervore. Pra, janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e dhimbjes së kokës e nëse gjejmë shkakun mund ta eliminojmë.
Trajtimi popullor
Në momentin e parë që konstatojmë se kemi një dhimbje koke të çfarëdoshme, duhet të pimë një gotë ujë më mjaltë ose thjesht një gotë me ujë. Kjo ka kuptimin e saj fiziologjik pasi mund të ndodhë që përqindja e ujit në tru të ulet, e kështu dominojnë disa substanca të tjera që janë toksike e kryejnë pasqyrimin e informacionit. Gjithashtu, në rastet e dhimbjes së kokës, edhe uthulla e mollës do të ndihmonte shumë pasi ngacmon menjëherë në moment sistemin nervor, e aktivizon, e mobilizon për punë dhe nuk lejon fryrjen e zgjatimeve nervore.
Nëse nuk qetësohet në këtë mënyrë, duhet të analizohet imtësisht faktori që ndikon në shfaqjen e dhimbjes. Kur personi ka dhimbje në pjesën e pasme të kokës, këshillohet që të bëjë një masazh në zonën e qafës me vaj sinapi, vaj liri, vaj ulliri për të lehtësuar qarkullimin e gjakut dhe për të liruar zgjatimet e nervave. Kur dhimbja shfaqet në pjesën ballore të kokës, e madje personi ka edhe bllokim hundësh, kjo do të thotë që pacienti vuan nga sinoziti e një çaj për këtë të fundit e dy pika vaj dafine, mund të japin efekte të mrekullueshme. Edhe kur truri nuk merr mjaftueshëm oksigjen, individi mund të ketë dhimbje koke. Gjithashtu, edhe niveli i lartë i kolesterolit në gjak, mund të shkaktojë dhimbje koke, e për këtë mjafton të merret lulja apo fruta e murrizit që ndihmon në shkrirjen e pllakëzave të yndyrave dhe balancimin e sistemit nervor e qarkullimin e gjakut. Edhe çaji me fruta pylli përmban antioksidantë, por edhe acide organike që ndihmojnë në qetësimin e dhimbjeve të kokës, pasi ushqen sistemin nervor.
Migrena dhe trajtimi i saj
Migrena shkaktohet nga mungesa e qarkullimit normal të gjakut në tru, kjo pasi ngushtimi i arterieve dhe venave bën që truri të mos furnizohet normalisht me gjak dhe oksigjen dhe kjo jep dhimbje të kokës. Arsyet e migrenës janë të shumta, por akoma nuk është vërtetuar shkaku i vërtetë dhe kura e saj. Migrena është një sëmundje e trashëgueshme e mund të stimulohet nga ndryshimi i mënyrës së jetesës si: ndryshimi i ajrit, ujit dhe mënyra e të ushqyerit. Ndryshimet hormonale shkaktojnë fillimin e dhimbjes së kokës, prandaj një numër i madh individësh, që vuajnë nga migrena, janë femrat dhe adoleshentët. Këto dy grupe kanë ndryshime hormonale të shumta e sasia e lartë ose e ulët e estrogjenit tek femrat shkakton migrene, por edhe infeksionet në organizëm e stimulojnë sëmundjen. Të tjera shkaqe janë anemia, mungesa e vitaminës B, pagjumësia, stresi dhe problemet me qarkullimin e gjakut. Megjithëse migrena është një sëmundje që nuk kurohet, ajo parandalohet dhe me anë të mënyrës së ushqyerjes mund të evitoni shfaqjen e saj. Hapi i parë është: individët që vuajnë nga migrena të konsumojnë shumë ujë gjatë ditës, minimumi 1.5 litra në ditë. Kështu qelizat e trurit do të jenë të hidratuara mjaftueshëm. Hapi i dytë është masazhim i qafës me vajra esenciale që rregullojnë qarkullimin e gjakut, të paktën 1-2 herë në javë.
Vaji i sinapit dhe vaji i mentes kanë efekte qetësuese dhe rregullojnë qarkullimin e gjakut që shkon në tru. Pjesë shumë e rëndësishme është edhe mënyra e të ushqyerit, pasi sa më shëndetshëm të hani, aq më pak shfaqet migrena. Gjithashtu, gjumi është tepër i rëndësishëm, jo vetëm për mirëfunksionimin e trurit, por për gjithë organizmin. Kur fillon dhimbja e kokës duhet të konsumoni sa më shumë lëngje, sidomos çajrat janë shumë të këshillueshme, pasi zgjerojnë enët e gjakut, dhe veprojnë si qetësues natyral të trurit.
Një çaj shumë efektiv për dhimbjet e kokës përgatitet kështu: në 2 litra ujë zieni 2 minuta 1 lugë mente, 1 lugë bar blete, 1 lugë borzilok, 1 lugë rozmarine, 1 lugë lule basani, 1 lugë mendër si dhe 1 lugë murriz lule ose frutë. Konsumoni 3-4 gota çaj në ditët kur keni dhimbje koke. Pas kësaj duhet të konsumoni 10-20 fije shafrani në ditë, pasi ky përmban antioksidantë të fuqishëm, grupin e vitaminave B1, B2 dhe B6 që janë ushqyes të trurit, dhe piko krocine dhe krocinine të cilat veprojnë si qetësues të trurit dhe largojnë radikalet e lira në organizëm. Boronica dhe xhenxhefili ushqejnë sistemin nervor, zgjerojnë enët e qarkullimit të gjakut dhe ndalojnë të vjellat, pra është me shumë interes që 4-5 ditët e dhimbjes së fortë të kokës, këto bimë të përdoren në mënyrë intensive. Kurse në ditët e tjera këshillohet të përdorni vazhdimisht borzilokun, qoftë si erëz kuzhine, qoftë si një çaj të lehtë. Rrënja e valerianës këshillohet të përdoret në rastet kur migrena shkakton pagjumësi dhe të vjella pasi kjo bimë është një qetësues natyral shumë i efektshëm për dhimbjet e kokës që përdoret gjerësisht edhe në ilaçe. Ndërkohë, vajrat esenciale janë shumë efektive për qetësimin e dhimbjeve të kokës, pasi ato veprojnë shpejt. Një mikser vajrash që mund të përdoret 5-6 pika në ditë është: 5 ml vaj livando, 3 ml vaj mente, 1 ml vaj borziloku, 1 ml vaj mendër e butë si dhe 10 ml vaj ulliri.