Bashkimi Europian i ka akorduar Shqipërisë, për Trashëgiminë: kalatë, kishat, muzetë dhe Teatrin e Kukullave, që do të hyjnë në proces restaurimi, një fond prej 40 milionë dollarësh.
Mario Mariani, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, saktëson detajet gjatë një interviste për mediet: Ndërhyrja e BE-së është një mesazh – sipas tij, – që kultura shqiptare është kulturë e Europës.
Projekti nga BE vjen pas aludimeve se Teatri i Kukullave mund të shembej, për shkak të rrënimit. Financimi bëhet pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 ,në kuadër të programit “EU for Culture”.
Mario Mariani theksoi mes të tjerash, se puna nis me restaurimin e mozaikut të Muzeut Kombëtar.
“Pjesë e projektit ‘Eu for Culture’ janë edhe Kalaja e Lezhës, Kalaja e Bashtovës, Muzeu Etnografik në Krujë dhe Kavajë, në Kishën e Rodonit dhe Kishën e Rubikut, etj”.
Mes objekteve që klasifikohen për restaurim, falë këtij fondi, janë Kalaja e Lezhës dhe Teatri i Kukullave.
Nëse për të parën, ka pasur një projekt bashkëpunimi me sektorin privatin, ndërsa për Teatrin e Kukullave është aluduar për shembje, shkak gjendja e amortizuar – Mariani, i pyetur nëse ndërhyrja është një mesazh nga BE, Mariani iu përgjigj se “po, është një mesazh i BE-së. Ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Kur Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, kjo trashëgimi do të jetë trashëgimi kulturore e Bashkimit Europian. Ju përmendët përdorimin e këtyre siteve dhe më lejoni te them, se ne kemi bashkëpunuar me bashkitë dhe institucionet vendase për përzgjedhjen dhe për mënyrën sesi do të ndërhyhet gjatë restaurimit në këto monumente”.
Mariani u shpreh për kriteret mbi të cilat është bërë përzgjedhja e monumenteve dhe po ashtu, iu përgjigj interesimit edhe për kriteret e restaurimit, për çka vendi ynë, ka pasur debate, duke qenë se janë bërë restaurime që për specialistët, kanë zhbërë trashëgiminë.
“Kompanitë që do punojnë, do të jenë të licencuara dhe të kontrolluara. Punimet, do të mbikëqyren në vazhdimësi” – ka përfunduar, përfaqësuesi i BE-së.