MENU
klinika

Poeti i kombit

Drita naimiane në letrat shqipe

25.05.2021 - 16:26

Jak’o dit’e uruar
Që lind nga perendon,
At’an e ke ndrituar
E ne pse na harron

      Figura qendrore e letërsisë shqipe të Rilindjes. Naimi i këndoi pa reshtur kombit dhe shqiptarisë. Zjarri përvëlues i mallit të atdheut, do të bëhej kënga e popullit, me butësinë elitare të shpirtit të poetit, që i drejtohet Zotit të gjithësisë për të mbarë të Shqipërisë…

Bilbili i gjuhës shqipe

Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike dhe didaktike, shtrihet në një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm më 1886, ai botoi veprat “Bagëti e Bujqësia”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Histori e përgjithshme” dhe poemën greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”. Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht “Tehajylat” (Ëndërrimet) më 1888 botoi “Dituritë”, më 1890 “Lulet e verës”, më 1894 “Parajsa dhe fjala fluturake”, më 1898 “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë” dhe më 1889 “Historia e Shqipërisë”.

Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori pranë hoxhës së fshatit, në arabisht e turqisht.

Vjershëtori u dallua që në vogëli. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”, ku njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke dhe romake, ra në kontakt me idetë e revolucionit borgjez francez, si dhe me iluminizmin francez. Me përvetësimin e disa gjuhëve, si: greqishtja e vjetër dhe e re, latinishtja, frëngjishtja, italishtja dhe persishtja, Naimi, vuri themelet e botëkuptimit të tij, se edhe njohu poezinë e Evropës e të Lindjes –  tradita poetike që ndikuan në formimin e tij si poet.

Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri, në klimë më të shëndetshme.

Gjatë viteve 1872-1877, Naimi punoi si nëpunës në Berat e Sarandë. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij si atdhetar e poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.

Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.

Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s’e pa dot të lirë. Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostullin e shqiptarizmës, poetin e madh.

Dhembja dhe vlerësimi për poetin e madh atdhetar, do të shprehej përmes vargjeve elegjiake të Çajupit, që niste kështu:

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqipëri,

mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai.

Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres.

Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit.

Dashuria për atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi e afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të reja, të ndryshme nga ato të letërsisë së vjetër, temat e problemet e kohës.

Në formimin e poetit ndikuan disa faktorë, por ai kryesor ishte jeta e popullit të tij dhe lëvizja për çlirim kombëtar.

Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, prej të cilave mori elemente që u shkrinë mjaft natyrshëm në veprën e tij artistike. Por krijimtaria e tij shprehu më së miri, jetë dhe traditën historike dhe artistike të popullit shqiptar. Traditat poetike popullore – një nga burimet e formimit të tij si poet, –  vërehet jo vetëm në gjuhën e poezisë dhe në figuracionin e pasur, por, së pari, në përmbatje dhe në frymën patriotike.

Vepra naimiane vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, që do të njihte më vonë, një zhvillim të mëtejshëm gjer në shqipen e sotme të njësuar e të. Ndërsa të tjerë emra të shquar të letërsisë shqipe, do të ta vlerësonin figurën e poetit si të pandashme me idealet e larta kombëtare:

Eqrem Çabej: “Ai është frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë”.

Me veprën e tij, N. Frashëri ndezi zemrat e shqiptarëve dhe siç shkroi poeti i vertikales estetike (F. Arapi) – ajo vepër mbetet një e atillë vlerë e çmuar – se krijoi atdheun poetik, një atdhe të lirë e përparimdashës midis popujve të Europës.

Që fluturon nër zjarr e flakë,
Therorrësin` e vetëvetes
E pate dhembjen më të pakë… (L. Poradeci – “Naimit”)

Kurse për Asdrenin, poezia naimiane është fyelli magjistar, që me tingujt e dashurisë së zjarrtë për tokën arbërore: Na jep fuqi dhe hir qiellor… Dhe e kujton plot venerim për misionin e tij frymëzues ndaj brezave: O fyell, t`adhuronj me mall e besë,/Se bashk` me zërin t`ënd hyjnor jam rritur…

Mjaft emocionuese janë edhe përjetimet e sjella prej Sevasti Qiriazit nga takimet e saj me Naimin në Stamboll, atje ku ajo ndodhej e shoqëruar edhe nga i vëllai i saj Gjerasimi. Ajo sapo ishte diplomuar në kolegj dhe kishte vendosur që para se të realizonte misionin e lartë për hapjen e shkollës së parë shqipe të vashave (Korçë), të takohej me poetin, për të marrë bekimin e tij. Dhe fjalët e Naimit, mbetën të skalitura në mendjen e kësaj heroine të shkollës së parë shqipe: Te gjitha ato çupa e gra që do të vijnë nën hijen tënde i frymëzo me ideale të nalta e të vërteta, që të arrijmë një qytetërim të vërtetë, edhe kështu ta bëjmë edhe brezin tonë të pushtonjë gjithë ato virtuta dashurije, vëllazërije, atdhetarije dhe bashkimi që karakterizon kohërat e Skënderbeut…

Ndërsa, At’ Gjergj Fishta do t’i këndonte me vargjet më elegante dhe fisnike njërit prej trinisë së pandashme të Frashërllinjve, pikërisht në “Lahutën e Malcìs”, sfidant ndaj ngucakeqasve që e bezdisnin dita me ditë, duke e pyetur direkt e tërthorazi: pse të ketë një poet kombëtar, a nuk duhet të ketë një jugu e një veriu, një tosk e një gegë, një të krishterë e një mysliman:

Aj âsht trimi Frasher Begu,

Qi gjithkund, ku e qiti shtegu,

I la nâm aj Toskënìs,

Faqe t’ bardhë i la Shqypnìs.