Mbrëmja e gjysmëfinales për Eurovizionin, solli sërish në skenë, dy shqiptarë.
Sikur pritej, Anxhela Peristeri për Shqipërinë. Por shtetin zvicerian, e përfaqësoi, në mënyrë shumë origjinale dhe me talentin artistik që ndryshoi atmosferën, një këngëtar i ri, lindur në Zvicër. Gjoni, sikur vetë emri i tij, rrjedh nga dy shqiptarë emigrantë. Ndërsa skena ku ai këndoi, mori ngjyrat e një teatri apo muzikali, nën magjinë artistike nga Gjon’s Tears... 22-vjeçari, Gjon Muharremaj.
Po ashtu Anxhela Peristeri, e mirënjohur, e suksesshme, e afirmuar, me këngën ”Karma” ngjalli shumë emocione te publiku, duke u bërë ndër këngëtaret më të diskutuara të Eurovizionit.
Pas interpretimit, Anxhela arriti që nga votat e publikut dhe jurisë profesionale, të sigurojë finalen.
Përkundër asaj që paraqitja skenike e saj u pëlqye nga shumëkush, shkrimtari Liridon Mulaj ka kritika për këtë pjesë.
Sipas tij, veshja ishte copy-paste nga divat botërore, nuk kishte origjinalitet dhe traditë që përfaqësonte Shqipërinë.
“Nuk do shumë mend e as kalem, me kuptue se veshjet e përfaqësuesve në Eurovision janë të marra copy-paste nga JLo, Beyonce, apo ndonjë divë tjetër botërore. Autenticitet, zero! Origjinalitet, traditë, zero! Më ka mbetë ora te Rona Nishliu dhe “Suusi” i saj, i mrekullueshëm. Zor se mund ta kapërcejmë atë performancë, në shumë vite të ardhshme”, – ka shkruar Mulaj, në “Facebook”.