MENU
klinika

C0vid-19 prek fundin/ Asnjë rast pozitiv në Tiranë!

Nis injektimi i dozës së dytë! Sasia e vaksinave ‘Pfizer’ që mbërritën dje

25.05.2021 - 08:46

Pas 14 muajsh jo pak të ethshëm, duket se epidemia po arrin në pikën fundore. Për herë të parë janë raportuar vetëm 6 raste të reja nga më shumë se 2 mijë testime të kryera, çka dëshmon për një përmirësim të ndjeshëm të situatës.

Tirana, e cila për muaj me radhë ka mbajtur peshën kryesore, duke regjistruar më shumë raste për pasojë edhe hospitalizime, për të dytën ditë në harkun e një jave nuk ka regjistruar asnjë rast pozitiv me COVID-19.

“Janë kryer 2020 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 6 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 2 raste në Shkodër, Mat, 1 rast në Mirditë, Berat”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë shëruar 94 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në rreth 129 mijë që nga fillimi i epidemisë. Kjo ka sjellë edhe uljen e mëtejshme të rasteve aktive në vend. Aktualisht janë vetëm 944 të infektuar aktivë, nga të cilët 505 janë vetëm në Tiranë. Të hënën është raportuar edhe një humbje jete, ndërsa në spitalet COVID situata vijon të jetë e qëndrueshme prej disa javësh.

“Në spitalet COVID po trajtohen 57 pacientë, nga të cilët 7 pacientë janë në terapi intensive. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, betejën me COVID-19 nuk e ka fituar 1 qytetar nga Korça, 66 vjeç”, kanë bërë me dije autoritet. Përmirësimi i situatës pritet të shoqërohet edhe me lehtësimin e masave anti-Covid. Zv. ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, tha se është duke u marrë në konsideratë ndryshimi i orës policore si edhe heqja e maskës në ambientet e jashtme. “Ndërkohë që fundi i majit, shpresojmë në lehtësim të masave në vijim përkundrejt orarit, biznese apo edhe masat e tjera që Komiteti i Ekspertëve është duke i gjykuar. Mund të vlerësohet po ashtu maska në mjediset e jashtme”, tha Tomini në nje interviste televizive.

DOZA E DYTË

Lidhur me procesin e vaksinimit, me mbërritjen e 60 mijë dozave të vaksinës kineze nisi dje edhe injektimi i dozës së dytë. Për shkak të mungesës së dozave, shumë të moshuar në radhë për dozën e dytë iu është dashur të presin. Për shkak se nuk janë njoftuar më herët nga mjeku i familjes për mungesën e vaksinave, ata janë paraqitur thuajse çdo ditë në qendrat e vaksinimit duke qëndruar për orë me radhë në pritje.

Mbërritja e sasisë së parë me 60 mijë doza, të siguruara nga kontrata e dytë, bëri që të rifillojë procesi i vaksinimit me Coronavac. Por sërish dozat janë të pamjaftueshme për të përmbyllur këtë proces, kjo për shkak se numri i personave që kanë marrë një dozë e që janë në pritje për të dytën është shumë herë më i lartë se sasia e vaksinave që mbërritën të dielën. Për shkak edhe të ezaurimit të vaksinave, në javën që shkoi vaksinimet u reduktuan me 25 për qind.

Ndërkohë, në mbrëmje kanë mbërritur edhe 14 mijë vaksina “Pfizer”, një pjesë prej tyre nga marrëveshja me kompaninë amerikane dhe pjesa tjetër nga Bashkimi Europian. “E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor. Duke filluar nga dita e nesërme serish vijnë vaksina, janë 14,040 vaksina që vijnë nga kontrata jonë me ‘Pfizer’ dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian. Brenda muajit maj dhe fillim qershori, presim gjithashtu të vijnë edhe 40 mijë vaksina të ‘AstraZeneca’ nga instrumenti ‘COVAX’ dhe do të kemi serish sipas kalendarit të ardhjes së vaksinave, lloje të vaksinave që qeveria shqiptare ka kontaktuar dhe do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit”, tha më herët ministrja Manastirliu.