MENU
klinika

Eduard Zaloshnja

Një premtim që duhet ta bëjnë kandidatët për kreun e PD-së

31.05.2021 - 17:12

EDUARD ZALOSHNJA

“Të katër kandidatët, përveç premtimeve të ndryshme që po bëjnë këto ditë, duhet të bëjnë një premtim të veçantë, që ndoshta është më i rëndësishmi për të ardhmen e partisë. Ata duhet të premtojnë se në mbledhjen më të parë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, do të bëjnë një ndryshim në statutin e partisë, ku të shtohet ky nen thelbësor: “Në qoftë se pas zgjedhjeve parlamentare, PD-ja nuk arrin të krijojë qeverinë si forcë e parë e saj, kryetari largohet automatikisht nga çdo post e organ partiak, duke mbetur vetëm një anëtar i thjeshtë i partisë (në qoftë se dëshiron)”

Më 13 qershor, njëri nga katër kandidatët për kreun e PD-së do të zgjidhet nga anëtarësia e partisë për ta udhëhequr atë në katër vjetët e ardhshme. Por historia e derisotme me udhëheqjen e PD-së nuk duhet të përsëritet.

Nuk ka më kuptim që kryetari ta çojë partinë në zgjedhje parlamentare dhe pas tyre të justifikohet me “masakra zgjedhore” apo “blerje/ vjedhje zgjedhjesh”. Çdo vendim e veprim gjatë katër vjetëve para zgjedhjeve duhet të jetë i peshuar e i studiuar mirë për ta çuar partinë drejt pushtetit. Çdo taktike të kundërshtarit, partia duhet t’i përgjigjet me kundërtaktikën më efikase për marrjen e pushtetit. Dhe mbi të gjitha, nën udhëheqjen e kryetarit, partia duhet të frymëzojë sa më shumë votues, në mënyrë që dallga e tyre e votave ta përmbysë murin elektoral të partisë në pushtet.

PD-nuk është një parti e dorës së dytë. Kur ka qenë në pushtet, ose i ka pasur e vetme votat në Kuvend për ta zgjedhur e mbështetur qeverinë, ose ka pasur nevojë për fare pak vota të një partie të dorës së dytë. Gjithashtu, edhe kur ka qenë në opozitë, ka qenë absolutisht partia më e madhe opozitare. Sidoqoftë, nuk ka kuptim të mbetet pafundësisht partia më e madhe në opozitë, apo largqoftë violinë e dytë në një qeveri koalicioni të madh me PS-në.

Duke pasur parasysh këtë histori të PD-së, të katër kandidatët, përveç premtimeve të ndryshme që po bëjnë këto ditë, duhet të bëjnë një premtim të veçantë, që ndoshta është më i rëndësishmi për të ardhmen e partisë. Ata duhet të premtojnë se në mbledhjen më të parë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, do të bëjnë një ndryshim në statutin e partisë, ku të shtohet ky nen thelbësor: “Në qoftë se pas zgjedhjeve parlamentare, PD-ja nuk arrin të krijojë qeverinë si forcë e parë e saj, kryetari largohet automatikisht nga çdo post e organ partiak, duke mbetur vetëm një anëtar i thjeshtë i partisë (në qoftë se dëshiron)”

Një nen i tillë pa ekuivokë do ta vinte në përgjegjësi të plotë këdo që do të zgjedhin në krye të tyre demokratët e thjeshtë më 13 qershor. Dhe ata nuk duan një kryetar/kryetare që t’i udhëheqë nga disfata në disfatë. Ata duan dikë që t’i udhëheqë drejt fitores. Dhe fitore për ta është vetëm kur PD-ja vjen në pushtet – ose e vetme, ose si partia më e madhe e një koalicioni qeveritar…