MENU
klinika

Stërvitje në të njëjtën kohë

Ushtarët amerikanë në Kosovë, ata rusë në Serbi

20.05.2021 - 10:26

Nga 17 maji e deri më 29 maj, Kosova do të jetë arenë për stërvitje të përbashkëta të forcave të ushtrisë së SHBA-së dhe të Kosovës. Stërvitja “Defender – Europe 2021”, sipas njoftimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, po mbahet në Babaj të Bokës, në Komunën e Gjakovës.

E si “kundërpeshë” për stërvitjet e forcave amerikane, sot në Serbi ka nisur një stërvitje mes forcave të njësive speciale të Rusisë dhe atyre serbe.

Sipas “b92.net”, në ceremoninë hapëse të kësaj stërvitje është potencuar “aktiviteti i përbashkët luftarak për zhvillim të bashkëpunimit të forcave serbe dhe ruse në luftën kundër terrorizimit”.

Ndryshe, “Defender Europe 2021”, ushtrimi më i madh i SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore, përfshin 16 stërvitje në Evropë, mes tyre edhe në Kosovë. FSK-ja është përfshirë me 330 pjesëtarë në këtë stërvitje.

“Ky ushtrim ka për qëllim të ndërtojë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprueshmërinë mes gjithë aleatëve dhe partnerëve. Përfshirja e FSK-së në këtë ushtrim ka domethënie të madhe, pjesëmarrja e FSK në këtë ushtrim ngritë aftësitë e personelit tonë në kryerjen e detyrave. Pjesëmarrja në këtë ushtrim demonstron aftësinë e vendit për të shërbyer si partner strategjik i sigurisë në regjion dhe më gjerë”, ka thënë javë më parë, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Më herët, një stërvitje e tillë u mbajt edhe në Shqipëri, ku po ashtu mori pjesë FSK-ja.

Image